Foto: Levizja Vetevendosje/Facebook

LVV mban mbledhje me qendrat e saj, diskutohet edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbledhje me qendrat e saj në të cilën i pranishëm ishte edhe kryeministri, Albin Kurti dhe disa ministra. Mes tjerash është diskutuar edhe për situatën aktuale politike dhe anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës.

Sipas njoftimit, për situatën politike dhe punët që po vijojnë dhe planifikimet e mëtutjeshme, foli kryetari i LLV-së dhe kryeministri Albin Kurti. Mbi zhvillimet rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës dhe çështjet tjera ndërlidhëse, folën edhe zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti, si dhe ministri i MKRS-së, njëherazi sekretari për marëdhënie me jashtë në LVV, Hajrulla Çeku.

“Rëndësi e veçantë iu dha nxitjes dhe dinamizimit të aktiviteteve me bazë komunitetin, opozitarizmit në Kuvendet Komunale dhe në komuna në përgjithësi, anëtarësimeve të reja në qendra, e po ashtu edhe funksionalizimin e trupave organizative të brendshme zgjedhore”- thuhet në njoftimin e datës 16.03.2024.

Tutje, theksohet se nga drejtues të qendrave po ashtu u ngritën dhe bashkëbiseduan çështje politike dhe organizative të rëndësishme për komunat prej nga vijnë.

Në këtë mbledhje përpos kryeministrit Kurti morën pjesë sekretari organizativ, Alim Rama, nënkryetarja e dytë, Mrika Limani-Myrtaj, Koordinatori i Qendrave, njëherazi deputeti Salih Zyba, si dhe nga kabineti qeveritar të pranishëm po ashtu ishin ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, njëherazi sekretar për mardhënie me jashtë në Lëvizje si dhe zëvendësministri i MPJD-së, Kreshnik Ahmeti.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 13.03.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës që të ekzekutohet vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese 8 vjet më parë në lidhje me 24 hektarë tokë që iu dhuruan Manastirit të Deçanit mbi dy dekada më parë.

Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo do t’i hapë rrugë Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Kosovës i duhen ⅔ e votave të 46 vendeve të Këshillit të Europës në mënyrë që Kosova të anëtarësohet në këtë mekanizëm.

Në mesin e shteteve që do vendosin për fatin e Kosovës janë edhe Serbia, Ukraina, Spanja, Qipro, Sllovakia, Moldavia e Greqia, të cilat nuk e njohin Pavarësinë e Kosovës të shpallur më 17.02.2008.

Sidoqoftë, zëvendësministri Ahmeti beson që do arrijnë t’i kenë më shumë se 33 vota, pasi që që gjatë kësaj kohe kanë rregulluar raportet edhe me disa vende mosnjohëse.

“Jam optimist që edhe Hungaria do të votojë në favor në Komitetin e Ministrave për dallim nga niveli i ambasadorëve”- tha Ahmeti, pasi që e njëjta kishte votuar kundër herën e kaluar, në mbledhjen e mbajtur më 24.04.2023.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, e themeluar në vitin 1949. Në vitin 2022, pas sulmit rus ndaj Ukrainës, KiE përjashtoi Rusinë, duke mbetur kështu 46 shtete.

Kosova e paraqiti kërkesën për anëtarësim më 12.05.2022.

“Ne do jemi vendi i 47-të në Këshillin e Europës”- shprehet Ahmeti.