Foto: KPK

Mbledhja e KPK-së, raportohet për numër të ulët të prokurorëve në Prokurorinë e Mitrovicës

Pikë kryesore e mbledhjes së 246-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ishte trajtimi i kërkesës së kryeprokurorit të Prokurorisë së Mitrovicës, Ismet Ujkani, i cili ishte shprehur i shqetësuar për numrin e prokurorëve në këtë Prokurori.

Ismet Ujkani u citua nga kryesuesi i mbledhjes Ardian Hajdaraj të ketë potencuar se mungesa e prokurorëve shkakton pamundësi të kryerjes së veprimeve juridike brenda afateve ligjore.

Sipas kërkesës së paraqitur në mbledhje, numri ishte posaçërisht i ulët në Departamentin e Përgjithshëm, ku prokurorët nuk kishin mundësi të merrnin pjesë në seanca. Njësoj ishte gjendja me kallëzime penale.

Andaj, kërkesa e kryeprokurorit ishte transferimi i përkohshëm i prokurorëve nga prokuroritë e tjera me vendim të ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit, dhe transferimi i përhershëm i dy prokurorëve nga Këshilli Prokurorial.

“Ne e dimë si është gjendja në Prokurorinë e Mitrovicës dhe po kërkohet zgjidhje imediate, duhet të veprohet urgjentisht” –  tha kryesuesi  Ardian Hajdaraj.

Më tutje fjalën e mori Arta Kelmendi, e cila tregoi për numrin e prokurorëve nëpër prokurori.

“Prokuroria e Apelit i ka 12 prokurorë, Prokuroria e Prishtinës 45 prokurorë, Prokuroria e Prizrenit 22 prokurorë, Prokuroria e Pejës 15 prokurorë, Prokuroria e Gjilanit 14, Prokuroria e Mitrovicës 18, Prokuroria e Gjakovës 14, Prokuroria e Ferizajt 18 prokurorë. Numri total i prokurorëve – 183” – tha ndër të tjera Kelmendi.

Pas prezantimit të gjendjes nëpër prokuroritë e Kosovës sa i përket numrit të prokurorëve, fjalën e mori Jehona Grantolli, zëvendëskryesuese e Këshillit.

“Është mirë që e kemi numrin e prokurorëve por do të ishte mirë të kishim edhe numrin e lëndëve, në mënyrë që të fokusoheshim aty [ku ka më pak ngarkesë] dhe ta dërgojmë në Mitrovicë” – tha Jehona Grantolli.

Kërkesën e Grantollit që analiza të përfshijë edhe numrin e lëndëve krahas prokurorëve e përkrahën edhe anëtarët e tjerë, kështu që u mor vendim që kjo çështje të shtyhet në një takim të ardhshëm deri kur të sigurohet pasqyra e ngarkesës me lëndë.

Në Prokurorinë e Mitrovicës është e paraparë të jenë të punësuar 20 prokurorë, 10 shqiptarë dhe 10 serbë. Gjendja në këtë Prokurori është përkeqësuar pas dorëheqjes së prokurororëve të etnisë serbe.

Pikat e tjera të mbledhjes u vendos të diskutohen me dyer të mbyllura për media.

Në këtë mbledhje munguan anëtarët: Jetish Maloku e Arijana Shajkovci.

Prezentë ishin: Ardian Hajdaraj, Jehona Grantolli, Besim Kelmendi, Arian Gashi, Veton Shabani, Armend Zenelaj, Dardan Vuniqi, Milot Krasniqi e Visar Krasniqi.