Cilat drejtori nuk do t’i negocionte subjekti i tij, tregon kandidati i LVV-së për Obiliqin

Kandidati Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar të Obiliqit, në “Debat Përnime” ka treguar se cilat drejtori nuk do t’i negocionte me partnerët e mundshëm të koalicionit për balotazhin që do të mbahet në këtë komunë më 14 nëntor.

“Drejtoritë që nuk mund, nuk do t’i negociojmë janë: e Shëndetësisë, e Arsimit dhe e Bujqësisë. Janë tri drejtori që, me të vërtetë ende nuk kemi ndonjë bisedë për këto gjëra, por unë i shoh shumë të rëndësishme, Shëndetësinë, Arsimin dhe Bujqësinë”, tha ai.

Thaçi shtoi se në LVV nuk ka ndarje të pozitave deri në fitore, kur u pyet për emrat e mundshëm të udhëheqësve nëpër drejtoritë përkatëse. 

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Obiliqit, po diskutojnë në emisionin “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit. 

Të ftuar në “Debat Përnime” janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Obiliq:  Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliq dhe Halil Thaçi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i IQO për kryetar të Obiliqit, Xhafer Gashi, në rundin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 5 mijë e 975 vota apo 48,12 për qind. Kurse kandidati i LVV-së, Halil Thaçi  ka siguruar 2 mijë e 507 vota apo  20,19 për qind.