(Arkiv) I akuzuari Zoran Vukotiq në Gjykatë - foto: KALLXO.com

Çfarë thoshte prokurorja Drita Hajdari për rastin e dhunimit seksual në Vushtrri, për të cilin ishte dënuar Zoran Vukotiq?

Gjykata Supreme ia ka vërtetuar dënimin me burgim prej 13 vitesh Zoran Vukotiqit, i dënuar për dhunë seksuale ndaj një gruaje shqiptare në Vushtrri, gjatë luftës në Kosovë, në maj të vitit 1999.

Kolegji i Gjykatës Supreme i ka refuzuar si të pabazuara kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë, të avokatit mbrojtës të të dënuarit për krime lufte, Zoran Vukotiq, të paraqitura kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Prishtinë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

Ky vendim është marrë nga kolegji i përbërë nga Agim Maliqi, kryetar i kolegjit dhe anëtarët e kolegjit – Rasim Rasimi dhe Afrim Shala.

Gjykata e Prishtinës, më 5 korrik 2021 e kishte dënuar me 10 vjet burgim Zoran Vukotiqin mirëpo lënda ishte kthyer në rigjykim pas ankesave të Prokurorisë Speciale dhe palës së dëmtuar për ashpërsimin e dënimit dhe ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Nebojsha Vlajiq për lirimin e tij.

Edhe në rigjykim, Gjykata e Prishtinës më 11 dhjetor 2022, e kishte dënuar Vukotiqin me 10 vjet burgim.

Gjykata e Apelit me 15 shkurt 2023 e kishte aprovuar pjesërisht si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke e ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë vetëm përkitazi me vendimin mbi dënimin.

Të dënuarit Vukotiq për veprën penale për të cilën është shpallur fajtor ia kishte rritur dënimin edhe 3 vite, duke e gjykuar me dënim prej 13 vite burg.

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, në emisionin “Kallxo Përnime” më 6 korrik 2021, kishte rrëfyer se si kishte ndodhur dhunimi seksual në Vushtrri, për të cilin ishte dënuar Vukotiqi.

Sipas asaj që kishte thënë prokurorja Hajdari, Zoran Vukotiq ka qenë punëtor referent në Gjykatën e Vushtrrisë dhe në kohën e luftës në Kosovë ai ka qenë  pjesëtar i Policisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

“Me datën 22 maj 1999 ka qenë prezent tek varrezat e myslimanëve në Vushtrri, ku së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore, paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin e qytetarëve civilë shqiptarë, të cilët pastaj i kanë tubuar te varrezat, i kanë detyruar të ulen në tokë, ku sipas një dëshmitari, të cilin  e kemi dëgjuar gjatë seancës gjyqësore Vukotiqi e ka marrë një shkop nga një civil, i cili ishte i mbështetur në atë shkop dhe ka filluar me i goditë civilët, të cilët ishin të ulur në tokë, i godiste pa shiku kë dhe ku po i godet” – ka treguar prokurorja.

Tutje, prokurorja Hajdari ka rrëfyer se si forcat serbe i kanë ndarë qytetarët dhe i kanë vendosur në kamionë.

“Pastaj forcat serbe i kanë ndarë njerëzit e rinj, i kanë ngarkuar në kamionë dhe i kanë dërguar në burgun e Smrekonicës, përderisa qytetarët e mbetur aty i kanë detyruar me u rreshtu në një kolonë para një shtëpie dykatëshe, nga kjo kolonë kanë nxjerrë femra të reja, të bukura, i kanë futur brenda në shtëpi dhe i kanë dhunuar” – kishte thënë prokurorja.

Në momentin kur viktima e dhunës seksuale është shtyrë për të hyrë në shtëpi ka qenë shtatzënë dhe ka pasur një fëmijë në duart e saj.

“Edhe viktima jonë në rastin konkret kur ka hyrë në atë shtëpi, në korridor ia kanë marrë nga krahu beben, të cilën e mbante ajo në krah, e kanë përplasur për dysheme, ndërsa viktimën Vukotiqi e ka tërhequr në katin e dytë, ku me ndihmën e një personi tjetër, po ashtu polic, e ka dhunuar në mënyrën më të egër të mundshme dhe më mizore. Viktima ka qenë shtatzënë në kohën e dhunimit dhe si pasojë, pas disa muajsh ajo i ka humbur foshnjat, sepse i ka pasur dy djem binjakë” – ka treguar prokurorja.

Prokurorja Hjadari ka thënë se viktima ka deklaruar se edhe pesë gra të tjera të zhveshura janë dhunuar nga pjesëtarë të tjerë policorë.

Zoran Vukotiq akuzohet se si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin maj 1999 gjatë luftës në Kosovë gjatë një sulmi të gjerë nga forcat ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullatës civile shqiptare në territorin e komunës së Vushtrrisë, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare.

Ai akuzohet se mori pjesë në kryerjen e dhunës fizike dhe psikike ndaj tyre si dhe me përdorimin e dhunës dhe veprimeve të tjera çnjerëzore kishte kryer dhunim seksual ndaj gruas së nacionalitetit shqiptar në atë mënyrë që më 22 maj të vitit 1999, tek varreza e Vushtrrisë, forcat ushtarake, policore dhe paramilatre serbe në mesin e të cilëve edhe i akuzuari Vukotiq.