Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Si ndodhi dhunimi seksual në Vushtrri?

Prokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Drita Hajdari, në emision “Kallxo Përnime” ka rrëfyer se si ka ndodhur dhunimi seksual në Vushtrri, për të cilin dje u dënua me 10 vite burg ish-polici serb Zoran Vukotiq.

Sipas asaj që ka thënë prokurorja, Zoran Vukotiq ka qenë punëtor referent në Gjykatën e Vushtrrisë dhe në kohën e luftës në Kosovë ai ka qenë  pjesëtar i Policisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.

“Me datën 22 maj 1999 ka qenë prezent tek varrezat e myslimanëve në Vushtrri, ku së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave ushtarake, policore, paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin e qytetarëve civilë shqiptarë, të cilët pastaj i kanë tubuar te varrezat, i kanë detyruar të ulen në tokë, ku sipas një dëshmitari, të cilin  e kemi dëgjuar gjatë seancës gjyqësore Vukotiqi e ka marrë një shkop nga një civil, i cili ishte i mbështetur në atë shkop dhe ka filluar me i goditë civilët, të cilët ishin të ulur në tokë, i godiste pa shiku kë dhe ku po i godet”, ka treguar prokurorja.

Prokurorja tregon se forcat serbe i kanë ndarë qytetarët dhe i kane vendosur në kamionë.

“Pastaj forcat serbe i kanë ndarë njerëzit e rinj, i kanë  ngarkuar në kamionë dhe i kanë dërguar në burgun e Smrekonicës, përderisa qytetarët e mbetur aty i kanë detyruar me u rreshtu në një kolonë  para një shtëpie dykatëshe, nga kjo kolonë kanë nxjerrë femra të reja, të bukura, i kanë futur brenda në shtëpi dhe i kanë dhunuar”, ka thënë ajo.

Në momentin kur viktima e dhunës seksuale është shtyrë për të hyrë në shtëpi ka qenë shtatzënë dhe ka pasur një fëmijë në duart e saj.

“Edhe viktima jonë në rastin konkret kur ka hyrë në atë shtëpi, në korridor ia kanë marrë nga krahu beben, të cilën e mbante ajo në krah, e kanë përplasur për dysheme, ndërsa viktimën Vukotiqi e ka tërhequr në katin e dytë, ku me ndihmën e një personi tjetër, po ashtu polic, e ka dhunuar në mënyrën më të egër të mundshme dhe më mizore. Viktima ka qenë shtatzënë në kohën e dhunimit dhe si pasojë, pas disa muajsh ajo i ka humbur foshnjat, sepse i ka pasur dy djem binjakë”, ka treguar prokurorja.

Prokurorja ka thënë se viktima ka deklaruar se edhe pesë gra të tjera të zhveshura janë dhunuar nga pjesëtarë të tjerë policorë.