Caktohet seanca fillestare në rastin e rezervave shtetërore

Gjykata e Prishtinës ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar për rastin e rezervave shtetërore, ku të akuzuar janë ministrja në detyrë Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica, Hafiz Gara dhe Ridvan Muharremi.

Shqyrtimi fillestar për këtë rast pritet të mbahet më 10 dhjetor të këtij viti në ora 09:30. Këtë për KALLXO.com e ka bërë të ditur zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj të pandehurve R. H., I. L., H. G., dhe R. M. është caktuar të mbahet më datë 10.12.2025 në ora 09:30”- ka thënë Gashi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit dhe tre personave të tjerë.

Përveç ministres Rozeta Hajdari, të pandehur për rastin e rezervave shtetërore janë edhe: Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi.

Përmes një njoftimi, PSRK kishte thënë se aktakuza ndaj Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës dhe Hafiz Garës, është ngritur lidhur me dyshimet për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar,  dhe – zbulim i fshehtësisë zyrtare.

Ndërsa, ndaj Ridvan Muharremit, njofton se ka ngritur aktakuzë nën dyshimin për – ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas njoftimit, Rozeta Hajdari, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars të vitit 2022, në bashkëkryerje, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë dhe shkaktimit të dëmit ndaj buxhetit të Kosovës.

“Si rezultat i veprimeve të të pandehurëve, i është shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 2,912,134.78 euro”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 11.11.2025.

Gjithmonë sipas Prokurorisë Speciale, të pandehurit akuzohen se pa autorizim kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare, ku edhepse kanë qenë në dijeni se vendndodhja e rezervave shtetërore përbën sekret shtetëror, sipas Ligjit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, ata me dashje ia kanë vënë në dispozicion këtë informacion të pandehurit Ridvan Muharremit.

Më këtë rast edhe Ridvan Muharremi sipas Prokurorisë akuzohet se u ka krijuar kushte të tjerëve për kryerjen e veprës penale, duke ndërmjetësuar dhe negociuar drejtpërdrejt, si dhe duke propozuar e rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.

Lipovica e Gara dyshohen për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Ridvan Muharremi për veprën penale “dhënia e ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Për ngritjen e aktakuzës ndaj saj kishte reaguar edhe vetë ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari.

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, më 14.11.2025 kishte mbajtur konferencë për media rreth aktakuzës së ngritur ndaj saj nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, bashkë me afaristin Ridvan Muharremi, ishin arrestuar më 18.08.2023 nën dyshimin për veprat: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica e Hafiz Gara ishin liruar nga masa e paraburgimit me vendimin e Apelit më 31.08.2023, pasi të njëjtit gjendeshin nën këtë masë nga 19.08.2023.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin?

Dosja e Prokurorisë për Ridvan Muharremin thotë si ai në periudhën kohore nga muaji shkurt 2022 e në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të krijimit të kushteve dhe mundësive për realizimin e veprimeve inkriminuese për të pandehurit Irfan Lipovica e Hafiz Gara i ka ndihmuar ata – duke i krijuar kushtet, propozuar e siguruar fillimisht për negocim për furnizim me rezerva shtetërore.

Prokuroria ka thënë në dosje se janë propozuar operatori ekonomik “Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë për furnizim me grurë dhe “Xanto SP” ZO.O. In, me seli në Gdynia, Poloni, për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer. E më pas përmes përfshirjes pa autorizim në procesin e negocimit në mes të pandehurve Irfan Lipovica e Hafiz Gara me operatorin ekonomik ka luajtur rol kyç në negocimin e kushteve të Kontratave.

Prokuroria: Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit

Për zyrtarin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica, në dosjen e Prokurorisë thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv/sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Kësisoj, sipas Prokurorisë, Lipovica ka lejuar me dijeni të plotë që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e Prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Në Dosje thuhet se më 25 shkurt 2022 ai ka adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të Prokurimit, si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit. E më pas, duke u bazuar në një Vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë Vendimin për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022. Me këtë Vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e Prokurimit publik

Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se më pas edhe përkundër faktit se krijimi i këtij Komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij Komisioni për Negocim me operatorin ekonomik “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e Komisionit. Sipas Prokurorisë, kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe operatorit ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

Dosja: Hafiz Gara ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit

Për zyrtarin tjetër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara, Dosja e Prokurorisë thotë se ai nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në MINT, në cilësinë e personit zyrtar, në pozitën Drejtor i Departamentit të Rezervave Shtetërore të Mallrave (DRSHM/MINT), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit buxhetit të Republikës së Kosovës, ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Në Dosje thuhet se në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, më datë 25 shkurt 2022 ka adresuar te Irfan Lipovica kërkesën për përjashtimin e procedurave të Prokurimit, edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore.

Gjithnjë, sipas Prokurorisë, kjo kërkesë më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim që ta kufizojë konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit, përkundër faktit se ishte nxjerrë Vendimi për formimin e Komisionit për Negocimin e Kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022, me të cilin është anashkaluar procedura e Prokurimit publik. E më pas ishte anashkaluar edhe Komisioni, i cili ishte krijuar me qëllim të negocimit, porositjes dhe blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të grurit, vajit të lulediellit dhe sheqerit. Dosja vazhdon duke thënë se kjo i ka mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe O. E., përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin këto produkte të rezervës shtetërore, pas të cilave ishin nënshkruar Kontratat me kompanitë në Turqi dhe Poloni për Furnizim.

Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte ftuar si dëshmitar edhe kryeministrin, Albin Kurti, por ai kishte refuzuar që t’i përgjigjet ftesës duke i bërë thirrje Prokurorisë që të shkojnë në zyrën e tij për ta intervistuar.

Prokuroria në pamundësi që ta marrë dëshminë e Kurtit, i ishte drejtuar Gjykatës, me ç’rast kjo e fundit kishte marrë vendim që ta obligojë Kurtin për t’u paraqitur në zyrat e PSRK.

Kurti nuk iu përgjigj ftesës së PSRK, me ç’rast më 02.04.2025 Gjykata e Prishtinës e dënoi me 250 euro kryeministrin në detyrë Albin Kurtin që nuk ishte paraqitur në Prokurorinë Speciale (PSRK), për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Tutje, më 23.04.2025, Gjykata e Prishtinës e dënoi për herë të dytë me 250 euro kryeministrin në detyrë Albin Kurti, për të njëjtin rast.

Të gjitha raportimet mund t’i lexoni KËTU.