Rozeta Hajdari në konferencë për media për akuzën e rezervave shtetërore Foto - Laurant Berisha 14.11.2025
Rozeta Hajdari: Të gjitha provat që PSRK i ka mbledhur për ngritje të aktakuzës janë marrë në mënyre të kundërligjshme
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka mbajtur konferencë për media më 14.11.2025 rreth aktakuzë së ngritur ndaj saj nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).
Rozeta Hajdari akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare rreth procedurave për sigurimin e rezervave shtetërore në vitin 2022.
“Prokuroria Speciale ka deponuar aktakuzë kundër meje dhe te tjerëve në Gjykatën Themelore, ku PSRK pretendon që unë me dashje kam siguruar përfitim për personat e tretë duke dëmtuar buxhetin e shtetit gjatë procedurës së sigurimit të rezervave shtetërore të mallrave gjatë muajit shkurt dhe mars të vitit 2022”- tha Hajdari në konferencën për media.
Sipas Hajdarit të gjitha provat që PSRK i ka mbledhur për ngritje të aktakuzës për rastin e rezervave shtetërore janë marrë në mënyre të kundërligjshme. Sipas saj, hetuesit e PSRK kanë marrë prova ndonëse nuk kishin certifikatë të sigurisë, duke u mundësuar atyre qasje në dokumente që janë të klasifikuar si sekret shtetëror.
Sipas Hajdarit, rrezikimi i sigurisë shtetërore është bërë nga vetë PSRK gjatë hetimit të rastit.
“Të gjitha provat e Prokurorisë Speciale janë mbledhur jashtëligjshëm përmes hetuesve që kanë zbatuar urdhrin e prokurorit Valdet Gashi i cili i ka dërguar në MINT pa certifikatë të sigurisë. Kjo ndodhi në gusht të vitit 2023 ku dy policë hetues pa certifikatë të sigurisë, pa leje të qasjes në këto dokumente të klasifikuara, kanë marrë materialin brenda një ore në Departamentin të rezervave shtetërore të mallrave në kuadër të MINT-it duke u thirrë në autorizimin e prokurorit Valdet Gashi”- tha Hajdari tutje.
Hajdari tutje përmendi edhe prokurorët specialë që kanë ngritur aktakuzën për këtë rast, duke specifikuar me emra e mbiemra, Valdet Gashin dhe Milot Krasniqin, për të cilët tha se nuk kanë të fituar asnjë rast gjyqësor nga ngritjet e aktakuzave.
Sipas ministres në detyrë, kompanitë që nuk i kanë sjellë mallrat që janë të destinuara për rezerva shtetërore tashmë janë paditur dhe paratë që janë paguar për mallra do të kthehen.
Tutje Hajdari tha se një sasi e një malli (duke mos e specifikuar emrin e produktit) tha se nuk ka ardhur në depot e rezervave shtetërore.
Hajdari e konsideroi akuzën e Prokurorisë Speciale si përndjekje politike ndaj saj.