Pika kufitare në Jarinjë Foto: KALLXO.com
Bllokimi i rrugëve në veri, Policia njofton për mbylljen për qarkullim të pikës kufitare në Jarinjë
Policia e Kosovës ka njoftuar persona dhe grupe personash në orët e pasditës kanë filluar të grumbullohen dhe të vendosin barrikada me automjete dhe mjete të rënda në rrugët në veri të vendit.
Qëllimi i tyre, sipas Policisë, është pengimi i veprimeve policore dhe sjelljes para organeve të drejtësisë së personit të dyshuar për përfshirje në vepra penale terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.
Sipas Policisë janë bllokuar disa rrugë, përfshirë edhe rrugët nacionale të komunave të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, duke cenuar dhe pamundësuar lirinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe mallrave.
Si masë paraprake të sigurisë, përderisa rrugët janë të bllokuara në drejtim të pikës kufitare Jarinjë, Policia e Kosovës të njëjtën e ka mbyllur përkohësisht për qarkullim, andaj qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.
Si çdo herë Policia e Kosovës fton qytetarët që të mos bien pre e thirrjeve apo provokimeve të mundshme nga persona apo grupe kriminale, por të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës e cila do të vazhdojë të angazhohet për ofrim të sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar, si dhe ruajtjen e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës.