Pritje deri në 3 orë në Merdarë e te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosovë

Në dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, Dheu i Bardhë e Merdarë, pritjet për të hyrë në Kosovë janë shtuar.

Përderisa kolonat nuk janë më të gjata se një mijë metra, udhëtarëve u duhet të presin deri në 3 orë për t’u futur brenda territorit të Kosovës.

Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të shumta – 160 deri në 180 minuta – janë në Merdarë, e më pas tek Dheu i Bardhë deri në 120 minuta.

Pritje deri në 60 minuta për të hyrë në vend ka edhe në Jarinjë, e po ashtu 30 minuta në Muçibabë.

Situata në pikat e tjera kufitare është njoftuar se është e qetë.

Numri i qytetarëve, sidomos i mërgimtarëve, që po vijnë në Kosovë është rritur me afrimin e festave të fundvitit.