Ilustrim

Vodhi një veturë në Deçan e u nis me autobus për në Beograd, kapet në Jarinjë i dyshuari

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e para të ditës së sotme në Pikën e Kalimit Kufitar në Jarinje kanë hasur në një person të dyshuar për një rast të vjedhjes në Deçan.

I dyshuari V. O., 28-vjeçar, kur u has nga Policia ishte në një autobus të vijës së rregullt Mitrovicë-Beograd.

Ai, sipas Policisë, nuk posedonte asnjë dokument identifikimi, përveç një raporti mbi ‘raportimin e dokumenteve të humbura’.

Zyrtarët policorë me qëllim të verifikimit të identitetit të personit dhe sqarimit të rrethanave, kanë ndërmarr veprimet e nevojshme operativo-hetimore.

Pas një kontakti që u bë me Stacionin Policor në Deçan dhe pas intervistimit të personit, rezultoi se personi është i dyshuar për vjedhje të automjetit.

Vjedhja u tha se u bë vetëm pak orë para se ai të kapej në Jarinje, pra më 11 janar 2024 rreth orës 21:30 në një fshat të Deçanit.

Polica njoftoi se në këtë rast është zbuluar edhe vendndodhja e veturës së vjedhur, është gjetur në rrugën ‘Isa Boletini’ në Mitrovicë të Jugut.

Po ashtu u tha se gjatë kontrollit të detajuar, personit të dyshuar i janë gjetur një palë çelësa që dyshohet se i përkasin veturës së vjedhur.

Policia njoftoi se rasti është duke u trajtuar nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës.