SHBA-ja shqetësohet për tensione të reja në veri, shkak rregullorja e BQK-së për dinarin

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se SHBA e kundërshtojnë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë të jetë Euro.

Hovenier para gazetarëve tha se ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti për të trajtuar çështjen e rregullores së BQK-së.

Ai u shpreh i shqetësuar se Kosova mund të përballet me tensione të reja në veri.

“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja, ashtu siç e kuptojnë ne, nuk e merr parasysh plotësisht ndikimin që do të ketë tek individët, posaçërisht individët që marrin mbështetje financiare nga qeveria serbe këtu në Kosovë dhe mendojmë se kjo çështje meriton një shqyrtim më të kujdesshëm por gjithashtu një diskutim në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar që potencialisht mund të ketë përshkallëzim të tensioneve etnike dhe të jetë problematike për jetën e përditshme të një numri të qytetarëve të Kosovës”- tha Hovenier.

“Dua të ripërsëris atë që Shtetet e Bashkuara kanë thënë, ne kemi shqetësime reale dhe jemi të rezervuar për zbatimin e kësaj përpara se të përgatitet plotësisht. Ne, mendoj se mund të them se e kundërshtojmë këtë tani”- theksoi ai.

Ambasadori amerikan tha se rregullorja e BQK-së mund të shkaktojë konfuzitet tek të moshuarit.

“Nuk e di se si mund të shmanget të paktën frustrimi nga qytetarët prej implementimit të vendimit. Të marrim shembull, një pensionist që merr ndihmë financiare, është i mësuar me këtë proces”- ka deklaruar ai.

“Si do ta marrë ai person këtë benefit social? Çfarë procedura janë vendosur për atë? Deri sa ai person, i moshuar mund të jetë i hutuar për këtë. Duhet të kuptohet, pra duhet ndërmarrë veprime që sigurojnë që ndihma sociale është ende e mundshme për ta. Mendoj se do të ketë tensione nga njerëzit sepse do të ndjehen të mënjanuar nga përfitimet që ata mbështeten. Askush nuk e dëshiron këtë”- shpjegoi ai.

Më tej, Hovenier tha se shpreson që Qeveria e Kosovës mund të gjejë zgjidhje tranzicioni.

Sot më 1 shkurt, ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila parasheh që valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë të jetë Euro.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka kërkuar që Kosova “të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

“Periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre. BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja’”– tha Stano.

Ndërkaq zëvenëskryeministri Besnik Bislimi të mërkurën tha se, do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar. Ai nuk tregoi se sa do të zgjasë periudha e tranzicionit.

“Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër”- tha Bislimi.

Rregullorja për operacionet me paratë e gatshme e miratuar nga BQK ka nxitur reagime të ndërkombëtarëve për shkak të nenit që parasheh Euro-n si valutë të vetme si mjet i pagesës në Kosovë.

BQK kishte sqaruar se “valutat e tjera jo euro në Kosovë mund të përdoren si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Në Kosovë, qytetarët serbë në komunat me shumicë serbe kryejnë pagesa si dhe paguhen me dinarë.

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së, BE-ja kërkon periudhë të gjatë tranzicioni