Biznesmeni Labinot Vitia dyshohet se ia dha 40 mijë euro ryshfet ish-kryetarit Bratislav Nikoliq

Tridhjetë ditë paraburgim ka kërkuar Prokuroria e Ferizajt për Labinot Vitinë, i arrestuar gjatë ditës së djeshme në rastin e njohur si ‘Brezovica’. Përveç Labinot Vitisë, të arrestuar janë edhe Berat Lahu, Shukri Shabani, Gani Berisha, Sami Sinani, Gëzim Sinani dhe Salih Sinani.

Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit që e ka siguruar Kallxo.com përshkruhen veprimet e të pandehurve dhe dyshimet që rëndojnë mbi ta.

I dyshuari Labinot Vitia dyshohet për dy vepra penale, për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” dyshohet se i ka dhënë 40,000€ (katërdhjetë mijë euro) të pandehurit Bratislav Nikoliq që t`ia mundësojë ndërtimin e 5 vikend-shtëpizave në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2014-2019 në Shtërpcë, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që i ka dhënë 40,000€ (katërdhjetë mijë euro) të pandehurit Bratislav Nikoliq që t`ia mundësojë ndërtimin e 5 vikend-shtëpizave në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri”- thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Përveç  veprës penale “Dhënia e ryshfetit”, Vitia dyshohet edhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2014-2019 në Shtërpcë, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë dhuratë në para personit zyrtar, që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e tij, në atë mënyrë që i ka dhënë 40,000€ (katërdhjetë mijë euro) të pandehurit Bratislav Nikoliq që të ndikojë në të pandehurin Dimitrije Raiçiqeviq për lëshimin e lejeve ndëtimore për 5 vikend-shtëpiza në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë” – thuhet në kërkesën e Prokurorisë e cila Vitinë e ngarkon edhe për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Dy të dyshuarit, Shukri Shabani dhe Sami Sinani, dyshohen për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare apo autoritetit” duke punuar si persona zyrtarë-anëtarë të Komisionit për vlerësimin e kushteve për dhënien e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore.

“Ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2014 deri në vitin 2019, si persona zyrtarë-anëtarë të Komisionit për vlerësimin e kushteve për dhënien e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë, në atë mënyrë që me rastin e vlerësimit të kërkesave për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore, për objektet ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”- vikend-zona e Brezovicës, Komuna Shtërpcë”- thuhet në dosjen e Prokurorisë që rëndon ndaj tyre.

Ttuje në dosje theksohet së të dyshuarit duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, kanë dhënë vlerësime pozitive për objektet hoteliere “Stella Consulting” me pronar Gentjan Sula, “Kaona Hotel” me pronare Sanije Geci, dhe “Rimida” me pronar Rijad Hasani, si komplekset e vikend-shtëpizave të “Stella Consulting” me pronar Gentjan Sula, dhe kompleksin e vikend-shtëpizave të Lagjes “D” me pronar Rijad Hasanin , edhe pse e kanë ditur që objektet nuk i plotësonin kushtet ligjore për lëshimin e pëlqimit mjedisor dhe pëlqimit ujor, që është kusht për marrjen e leje ndërtimeve, kurse objektet ishin ndërtuar pa pëlqim mjedisor dhe pa pëlqim ujor, duke degraduar natyrën dhe mjedisin në Parkun Kombëtar Sharri”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Ferizajt për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarve.

Shukri Shabani dhe Sami Sinani po ashtu dyshohen edhe për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se prej vitit 2014 deri në vitin 2019 si persona zyrtarë-anëtarë të Komisionit për vlerësimin e kushteve për dhënien e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore kanë falsifikuar dokumentet zyrtare” – theksohet në dosjen e siguruar nga KALLXO.com

“Me rastin e vlerësimit të kërkesave për lëshimin e pëlqimeve mjedisore dhe pëlqimeve ujore, kanë shënuar të dhëna të pavërteta, për objektet ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”- vikend-zona e Brezovicës, Komuna Shtërpcë, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe Ligjit për Mbrojtjen e Natyrës, kanë dhënë vlerësime pozitive për objektet hoteliere “Stella Consulting” me pronar Gentjan Sula, “Kaona Hotel” me pronare Sanije Geci, dhe “Rimida” me pronar Rijad Hasani, si komplekset e vikend-shtëpizave të  “Stella Consulting” me pronar Gentjan Sula, dhe kompleksin e vikend-shtëpizave të Lagjes “D” me pronar Rijad Hasanin , edhe pse e kanë ditur që se objektet nuk i plotësonin kushtet ligjore për lëshimin e pëlqimit mjedisor dhe pëlqimit ujor, që është kusht për marrjen e leje ndërtimit, kurse objektet kishin filluar të ndërtoheshin pa pëlqim mjedisor dhe pa pëlqim ujor, duke degraduar natyrën dhe mjedisin në Parkun Kombëtar Sharri”- thuhet në dosje.

Po ashtu Shukri Shabani i vetëm dyshohet edhe për dy vepra tjera atë të “Marrja e ryshfetit” dhe “Keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autoritetit”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2019, si person zyrtar –kryetar i Komisionit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), ka pranuar para me qëllim që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare”- thuhet në dosje.

Tutje në dosje thuhet se Shabani “…ka kërkuar dhe ka marrë 500 euro nga i pandehuri Fatmir Grainca, me qëllim që të bëjë vlerësimin se nuk ka nevojë për vlerësim të ndikimit në mjedis, edhe pse i pandehuri ishte duke ndërtuar një kompleks të villave prej 18 objekteve, të cilat ishin duke u ndërtuar në kundërshtim me Ligjin mbi Ndërtimin, Ligjin mbi Ujërat e Kosovës dhe Ligjin për Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, ka dhënë vlerësimin se objektet nuk i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në Mjedis, edhe pse i pandehuri ka bërë shikimin e vend-ndërtimit ku ishte duke u ndërtuar kompleksi i vikend-shtëpizave prej 18 (tetëmbëdhjetë) objekteve”- thuhet në kërkesën e prokurorisë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2019, si person zyrtar – kryetar i Komisionit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), duke vepruar në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka pranuar shpërblim në para, në atë mënyrë që ka kërkuar dhe ka marrë 500 euro nga i pandehuri Fatmir Grainca, me rastin e vendosjes lidhur me kërkesën e tij për vlerësimin e ndikimit në mjedis, për objektin ndërtimor vikend-shtëpizë, i cili ishte duke u ndërtuar në kundërshtim me Ligjin mbi Ndërtimin, Ligjin mbi Ujërat e Kosovës  dhe Ligjin për Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, ka dhënë vlerësimin se objektet nuk i nënshtrohen vlerësimit të ndikimit në Mjedis , edhe pse i pandehuri ka bërë shikimin e vend-ndërtimit ku ishte duke u ndërtuar kompleksi i vikend-shtëpizave prej 18 (tetëmbëdhjetë) objekteve”- shkruhet në kërkesën e Prokurorisë

Kallxo.com raportoi edhe për pretendimet e Prokurorisë ndaj Berat Lahut, asamblist i LVV-së në KK të Prishtinës, i arrestuar mëngjesin e ditës së djeshme.

Dosja e Prokurorisë që rëndon ndaj asamblistit të LVV-së në rastin ‘Brezovica’

Gjatë ditës së sotme Gjykata e Ferizajt pritet ta caktojë seancën për caktimin apo jo të kësaj mase që e ka kërkuar Prokuroria e Ferizajt.