Dosja e Prokurorisë që rëndon ndaj asamblistit të LVV-së në rastin 'Brezovica'

Nga 30 ditë paraburgim ka kërkuar Prokuroria e Ferizajt për të arrestuarit e ditës së djeshme në rastin e njohur si ‘Brezovica’.

Të arrestuarit e fundit në rastin ‘Brezovica’ janë: Berat Lahu, Shukri Shabani, Gani Berisha, Sami Sinani, Labinot Vitia, Gëzim Sinani dhe Salih Sinani.

Në kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit që e ka siguruar Kallxo.com përshkruhen veprimet e të pandehurve dhe dyshimet që rëndojnë mbi ta.

I dyshuari i parë Berat Lahu, asamblist i Vetëvendosjes në komunën e Prishtinës, dyshohet për dy vepra penale, “Pranimi i paarsyeshëm i dhuratave” dhe  “Ushtrimi i ndikimit”.

“Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2018, në Shtërpcë, si punëtor i ndërmarrjes “KEDS” në Prishtinë, gjatë kryerjes së veprimtarisë ekonomike, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë nga shfrytëzuesit e këtyre shërbimeve në atë mënyrë që për të kryer shërbimin e zhvendosjes së tensionit të mjetit elektrik në vikend-zonën e Brezovicës, për NN, si ndërmarrje ndërtimore e objekteve hoteliere dhe vikend-shtëpive, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë një pronë të paluajtshme – sipërfaqe rreth 350m2, në vlerë rreth 20,000€ euro, nga NN, të cilën pronë e ka regjistruar në emër të djalit të vëllait”- thuhet në kërkesën e Prokurorisë e cila përshkruan edhe dyshimet për veprën tjetër penale.

Tutje në kërkesën e Prokurorisë thuhet se “Ekziston dyshimi i bazuar se në vitin 2016, si drejtor i  ndërmarrjes KEDS, filiali në Ferizaj, ka kërkuar dhe pranuar dhuratë me qëllim që të ushtrojë ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që ka pranuar dhuratë nga NN një parcelë me sipërfaqe prej 350 m2 në vlerë rreth 20,000€ (njëzet mijë euro), me premtim se do të ndikojë tek personat përgjegjës të ndërmarrjes KEDS në Prishtinë të cilët ishin duke realizuar një projekt për renovimin e rrjetit elektrik në rrugën rajonale Shtërpcë-Sharr, të cilin me kërkesën e ndërmarrjes ndërtimore NN që ishte duke kryer ndërtimet e objekteve hoteliere dhe vikend-shtëpizave, ka zhvendosur rrjetin elektrik të tensionit të lartë, me qëllim që t`i mundësohet ndërtimi i objekteve ndërmarrjes ndërtimore, edhe pse kjo zhvendosje duhet të kryhej në pajtim me projektin investiv të ndërmarrjes KEDS në Prishtinë, kurse nga investitori i vikend shtëpizave NN në Parkun Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, ka kërkuar 60,000 (gjashtëdhjetë mijë) euro për ta kyçur në trafon elektrike të KEDS-it”- thuhet në dosjen e Prokurorisë që rëndon ndaj të dyshuarit Lahu.

Gjatë ditës së sotme Gjykata e Ferizajt pritet të caktojë seancën për caktimin apo jo të kësaj mase që e ka kërkuar Prokuroria e Ferizajt.

Operacioni Brezovica: Disa lagje të Prishtinës kontrollohen nga specialët