(Ilustrim) Bislimi- Petkoviq- Lajçak FOTO: Twitter

Bislimi e Petkoviq pritet të takohen sërish në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pritet të takohen sërish në Bruksel më 04.04.2024 në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e dinarit.

Bashkimi Europian shpreson që të kapërcehet diferenca e mbetur në takimin e fundit, që u mbajt më 25.03.2024.

Emisari i BE-së, Mirosllav Lajçak ka thënë se në takimin e fundit të dyja palët kanë pasur mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre.

“Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Në fund konkluduam se do të nevojitet një takim tjetër. Të dy palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë diferencën e mbetur të enjten” – ka shkruar Lajçak në Facebook.

Në anën tjetër, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, më 25.03.2024 kishte thënë se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë. Ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”- tha Bislimi.

Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, pjesëtarë të të cilit bëjnë pagesa edhe me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Më 05.03.2024, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.