BE reagon për vendimin e Serbisë për njohjen e targave RKS

Zëdhënës i Bashkimit Europian, Peter Stano e ka quajtur si hap pozitiv drejt zbatimit të Marrëveshjes së Normalizimit të Marrëdhënieve, vendimin e Serbisë për t’i njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS, të lëshuara nga Kosova.

Stano në një përgjigje për KALLXO.com, theksoi se BE-ja mirëpret vendimin e Serbisë.

“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të Dialogut lidhur me Lirinë e Lëvizjes. Ajo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë” – ka deklaruar ai.

Stano vlerëson se ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të afisheve (stikereave).

“Përbën gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit. Ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të afisheve. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme” – është shprehur zëdhënësi i BE-së.

Drejtori i ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën”, Petar Petkoviq, të hënën ka thënë se Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që do ta mundësojë lëvizjen e lirë të të gjitha automjeteve nga Kosova në territorin e Serbisë.

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes” – ka deklaruar Petkoviq, duke insistuar se nuk mund të kuptohet si njohje e pavarësisë së Kosovës.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë edhe Qeverinë e Kosovës për të marrë një qëndrim në lidhje me këtë vendim, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kanë kthyer përgjigje.

Në shtator të vitit 2021, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të ketë reciprocitet në targa të automjeteve ndaj Serbisë. Serbët lokalë të veriut të Kosovës kundërshtuan vendimin e ekzekutivit kosovar duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Për të ulur tensionet, më 30 shtator të po atij viti, me ndëmjtesim të BE-së, u arrit marrëveshja e  përkohshme mes Kosovës dhe Serbisë rreth çështjes së targave të veturave.

Në anën tjetër, sipas të dhënave nga Qeveria e Kosovës,  nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3.405 qytetarë në veri kanë konvertuar targat e tyre në RKS.

Çështja e targave KM ka shkaktuar kriza në veri vitin e kaluar, që çuan në protesta, daljen e serbëve nga institucionet dhe vendosjen e barrikadave.