Petar Petkoviq - Foto: REL/ Zyra për Kosovën

Mediat serbe raportojnë se Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që ta zbatojë marrëveshjen e targave me Kosovën

Mediat serbe kanë raportuar se Qeveria e Serbisë sot ka marrë vendim që të zbatojë marrëveshjen e targave me Kosovën, që të mundësojë lirinë e lëvizjes për të gjitha automjetet që vijnë nga Kosova.

Sipas mediumit serb N1, lajmin e ka bërë të ditur drejtori i ashtuquajtures ‘Zyrë për Kosovën’, Petar Petkoviq.

Sipas tij, një mohim do të postohet në të gjitha pikat kufitare me Kosovën.

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara nga Institucionet në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion bëhet vetëm për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpallja e njëanshme e pavarësisë së të ashtuquajturës Kosovë” – citohet të ketë thënë Petkoviq.

Ai ka thënë se vendimi do të zbatohet që nga data 1 janar.

Pas angazhimit të madh të vendeve perëndimore, Kosova dhe Serbia arritën të bien dakord për këtë çështje në fund të nëntorit të vitit të kaluar, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Kosova pranoi të pezullojë procesin e riregjistrimit, i cili parashikonte afate specifike. Ndërkaq, Serbia u pajtua të mos lëshojë targa të reja për qytetet e Kosovës.