Zyrtarët policorë serb duke dorëzuar fletë-dorëheqjet e tyre, Foto: KALLXO.com

Pranohen dorëheqjet e 80 policëve të komunitetit serb

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se 80 zyrtarëve policorë nga komuniteti serb në veri të vendit u është pranuar dorëheqja.

“Referuar analizës së pakove të dorëheqjeve nga PK-ja dhe informacioneve zyrtare të pranuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) lidhur me rastet e hapura penale/apo administrative në proces, ka rezultuar se tetëdhjetë (80) zyrtarëve të përfshirë në listën e njoftimit të dorëheqjeve iu është pranuar dorëheqja. Ndaj të njëjtëve ka vazhduar procesi i njoftimit dhe lëshimi i vendimit mbi dorëheqjen” – thuhet në komunikatën e Policisë.

Procesi i pakove të dorëheqjeve për punonjësit e tjerë Policia njoftoi se është duke vazhduar sipas procedurave dhe afateve ligjore në fuqi.

Sipas Policisë, ato janë në proces të analizës dhe shqyrtimit, përderisa punonjësit e tjerë në proces do të ftohen për kompletimin dhe vazhdimin e procedurave të mëtejme.

Dorëheqja e policëve erdhi pas suspendimit të Nenad Gjuriqit nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës të Drejtorisë Mitrovicë Veri. Ai u suspendua pasi u dyshua për rezistencë dhe refuzim të lëshimit të fletë-qortimeve për pronarët e veturave me targa ilegale.

Kryetarët e 4 komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës po ashtu kanë dhënë dorëheqje.