Lulzim Basha - Foto: Facebook

Basha tregon vendimet pas mbledhjes së kryesisë: Më 18 dhjetor, lëmë pas mbeturinat e komunizmit

Kreu i PD Lulzim Basha ka bërë publike vendimet e marra në mbledhjen e kryesisë pas shkarkimit të tij.

Ai tha se sot ishte një ditëlindje e thyer dhe ditë aspak e mirë për demokracinë.

“Sot duhet të ishte një ditë feste për PD por siç e thashë kjo ditëlindje është e thyer. Ndaj sot s’është ditë e mirë as për PD as për demokracinë”, ka thënë Basha.

Basha potencoi se kjo ishte përpjekja e fundit e Berishës për të marr PD-në.

“I bëjmë të ditur çdo demokrateje që është shqetësuar nga çdo shfaqje anti amerikane e Berishës kjo ishte përpjekja e fundit e tij për të marrë peng PD dhe për ta kthyer në peng të interesave të veta. Asnjë deklaroi mi dalë nga ky tubim s’ka asnjë lidhje me PD dhe institucionet e zgjedhura të PD”, shtoi Basha.

Ai bëri të ditur se ka thirrur mbledhjen e këshillit për nesër ku do diskutohet për shkarkim të disa anëtarëve që kanë shkelur statutin.

“Kryesia ka vendosur thirrjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të këshillit nesër, ora 15:00 me këtë rend dite: Diskutimi dhe miratimi i një rezolute, miratimin e propozimit të kryesisë për shkarkimin e Palokës dhe të disa anëtarëve që kanë shkelur statutin. Vendosi shkarkimin e disa kryetarëve të degëve. Do vihen para përgjegjësisë ligjore  dhe penale të gjithë personat që kane falsifikuar dhe shpërdoruar simbolet e PD”, ka thënë Basha.

“Demokratët do të mblidhen më 18 dhjetor, do të marrin vendime të rëndësishme për të ardhmen e tyre dhe jo për hallin personal të Sali Berishës më 18 dhjetor, PD do të lërë pas pjesët e hidhura të së shkuarës bashkë me mbeturinat e komunizmit dhe korrupsionit drejt ndryshimit që meriton cdo demokrat dhe cdo shqiptar”, shtoi tutje Basha. abcnewsal