Opozita në kryeqytet shkarkon kryesuesin e Kuvendit Komunal Pëllumb Bajqinovci

Me 33 vota për, asamblistët e partive opozitare në kryeqytet, PDK, LVV, AAK, AKR përmes një seance të jashtëzakonshme kanë shkarkuar kryesuesin e Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci.

Duke u bazuar në ligjin për Vetëqeverisje Lokale, votimi për shkarkim u bë përmes votimit të fshehur.

Në seancë të pranishëm nuk ishin asamblistët e partisë në pushtet LDK dhe as drejtorët e kabinetit.

Derisa, në fillim të seancës Rama në një fjalim e quajti këtë veprim të opozitës puro politikë e rrëmbim të pushtetit në kryeqytet.

“Tani kur projektet po nisin në Prishtinë, po tentohet të ndalet zhvillimi për inate puro politike. Oportunizmi politik po kërcënon të na e marr pushtetin, tentativa e sotme është përpjekje për të bllokuar Prishtinën dhe është shuplakë për qytetarët”- u shpreh Rama.

Fjalimi i Ramës se po i rrëmbehet pushteti për interesa politike, opozita e konsideroi popullist e ofendues.

Pëllumb Bajqinovci u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal më 21.07.2023 pas shkarkimit të Fehmi Kupinës më 27.06.2023 pas propozimit të LDK-së, shkarkim të cilin opozita e ka quajtur të paligjshëm dhe që nuk janë respektuar opinionet ligjore të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Opozita madje pati bojkotuar disa seanca për faktin se, sipas tyre, kryetari nuk po përfill Ministrinë për ligjshmërinë e vendimeve që dalin nga Kuvendi Komunal.

Derisa, më 08.02.2024, PDK njoftoi për dalje nga koalicioni qeverisës me LDK-në në Komunën e Prishtinës duke i hapur kështu rrugën krijimit të një shumice të re.

Shkak për prishje të koalicionit, sipas PDK-së, ishte moskoordinimi dhe mostrajtimi si partnerë lidhur me hartim të agjendës dhe pikave që shkojnë në Kuvend Komunal, me theks, mosdakoridmi për këmbim të pronës private në zonën e mbrojtur në Badovc me pronën publike në lagjen ‘Prishtina e Re’.

Kuvendi Komunal i Prishtinës mblidhet për shkarkimin e kryesuesit Pëllumb Bajqinovci – VIDEO