Shqiprim Arifi, kryetar i Preshevës. Foto: Facebook

Shqiprim Arifi: Në mënyrë arbitrare më shkarkuan nga posti i kryetarit të Preshevës

Kryetari i Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi njoftuar se është shkarkuar pozitë e kryetarit, sipas tij, në formë arbitrare dhe pa ndjekur procedura ligjore.

Sipas tij, kjo gjë u bë 24 orë pasi u dënua nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 Nëntor.

“Dje në mesnatë, pushteti autoritar i Beogradit, në mënyrë arbitrare dhe duke mos ndjekur asnjë procedurë ligjore, si dhe pa asnjë njoftim zyrtar, regjimi serb dhe antishqiptar duke vazhduar traditën e Millosheviqit të viteve të 90ta, në mënyrë të dhunshme më shkarkuan nga posti i Kryetarit të Komunës së Preshevës. Njëkohësisht, ky regjim antishqiptar dhunshëm instaloi një organ të përkohshëm deri në zgjedhjet e ardhshme”- shkroi ai.

Sipas tij, ka disa kohë që Vuçiq kërcënon publikisht shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Shkarkimi i dhunshëm i imi, mesnatën e mbrëmshme, pa asnjë procedurë ligjore dhe asnjë njoftim, ndodh menjëherë pas kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit në këtë javë dhe 24 orë pasi u dënova nga Gjykata serbe për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptar më 28 Nëntor”.

Arifi potencoi se diskriminimi ndaj shqiptarëve është agjendë e pandërprerë e politikave të Vuçiqit dhe Serbisë së tij pro-ruse.

“Me këto veprime raciste antishqiptare që janë trashëgimi e politikave të regjimit të Millosheviqit, Serbia e sotshme e Vuçiqit dëshmon tani më 3 dekada e më shumë, se shqiptarët nuk i konsideron si qenie njerëzore dhe asesi qyetatarë të barabartë në Serbi”- shtoi më tej ai.

“Pra, në boshtin shoqëror të Serbisë dhe në edukimin filozofiko-politik të Serbisë, ky shtet mbetet në thelb një regjim autokrat i cili nacionalizmin ekstrem serb e përdor kundrejt të gjithëve, në veçanti të shqiptarëve e sidomos ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”- theksoi tutje Arifi.

Madje, për këtë shkarkim ai lë në faj edhe politikanë shqiptarë atje.

“Shkarkimin tim të dhunshëm, nuk kishte mundur ta realizoj pa ndihmën e pakursyer të shqipfolësve serbofil siç janë: Ragmi Mustafa, Shaip Kamberi, Ardita Sinani dhe Argjend Sherifi si dhe disa kompani lokale mafioze që bashkëpunojnë me qarqet e errëta në Serbi. Kjo klasë politike bashkëpunuese besnik të regjimit serb me dekada, janë bërë vegël e lehtë për Vuçiqin dhe serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare në Luginë të Preshevës”- është shprehur Arifi.

Ai potencoi se kryetar i organit të përkohshëm është Ragmi Mustafa.

“Kryetari i organit të dhunshëm që u vendos në mesnatën e djeshme nga Vucic, është Ragmi Mustafa i cili para 1 dekade i ka dhuruar pikërisht Vucicit “ZAHVALLNICËN – Mirënjohje ” menjëherë pasi e hoqi Vucic lapidarin me emrat e dëshmorëve të UÇPMB-së”- shtoi Arifi.