Pëllumb Bajqinovci, kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës Foto: KALLXO.com

LVV inicion mbajtjen e një seance për shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka iniciuar sot, më 21.02.2024, mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme më 27.02.2024, në të cilën do të procedohet shkarkimi i kryesuesit të Kuvendit Komunal, Pëllumb Bajqinovci.

Në njoftim bëhet e ditur se për këtë LVV ka mbështetje edhe nga asamblistët e AAK-së, një asamblisit të ARK-së dhe një i pavarur.

“Këshilltarët Komunal të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me mbështetje të këshilltarëve të AAK-së, një këshilltari të AKR-së dhe një këshilltari të pavarur, kanë inicuar mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës me të vetmen pikë të rendit të ditës: Shkarkimin e kryesuesit të Kuvendit Komunal”- thuhet në njoftim.

Pëllumb Bajqinovci u zgjodh kryesues i Kuvendit Komunal më 21.07.2023 pas shkarkimit të Fehmi Kupinës më 27.06.2023 pas propozimit të LDK-së, shkarkim të cilin opozita e ka quajtur të paligjshëm dhe që nuk janë respektuar opinionet ligjore të Ministrisë së Pushtetit Lokal.

Opozita madje pati bojkotuar disa seanca për faktin se, sipas tyre, kryetari nuk po përfill Ministrinë për ligjshmërinë e vendimeve që dalin nga Kuvendi Komunal.

Derisa, më 08.02.2024 PDK njoftoi për dalje nga koalicioni qeverisës me LDK-në në Komunën e Prishtinës duke i hapur kështu rrugën krijimit të një shumice të re.

Shkak për prishje të koalicionit, sipas PDK-së, ishte moskoordinimi dhe mostrajtimi si partnerë lidhur me hartim të agjendës dhe pikave që shkojnë në Kuvend Komunal, me theks, mosdakoridmi për këmbim të pronës private në zonën e mbrojtur në Badovc me pronën publike në lagjen ‘Prishtina e Re’.