Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës: Ndalimi me forcë dhe dëbimi i fëmijëve nga territoret e pushtuara nga Rusia të Ukrainës përben gjenocid

Rusia të premten ka nisur një valë sulmesh me raketa në shumë prej qyteteve më të mëdha të Ukrainës, duke vrarë një nënë dhe një fëmijë të vogël në qytetin port të Dnipro, dhe tre persona në një ndërtesë të lartë apartamentesh në qytetin qendror të Umanit. Alarmet e sulmeve ajrore ishin aktive në të gjithë Ukrainën në orët e para të mëngjesit të së premtes, ndërkohë që shpërthime u dëgjuan në Kiev dhe qyteti Mykolaiv jugor ishte sërish një prej shënjestrave.

Të paktën shtatë civilë janë vrarë dhe 33 janë plagosur mes të mërkurës dhe të enjtes, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra presidenciale e Ukrainës, duke përfshirë një person të vrarë dhe 23 të plagosur kur katër raketa lundrimi Kalibr goditën qytetin jugor të Mykolaiv.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka votuar se ndalimi me forcë dhe dëbimi i fëmijëve nga territoret e pushtuara nga Rusia të Ukrainës përben gjenocid.

Moska zyryare ka thënë se durimi i saj nuk duhet të testohet mbi armët bërthamore në një tjetër përsëritje të retorikës së vijës së ashpër. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se Rusia do të bëjë “gjithçka për ta parandaluar zhvillimin e ngjarjeve sipas skenarit më të keq… por jo me koston e cenimit të interesave tona jetike”.

Administrata Bideni i ka vënë sanksione Shërbimit Federal të Sigurisë të Rusisë për arrestimin e padrejtë të amerikanëve. Sanksionet janë kryesisht simbolike pasi organizata e lartcekur tashmë është nën sanksionet ekzistuese gjithëpërfshirëse për pushtimin e Ukrainës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia mirëpret çdo gjë që mund të përshpejtojë përfundimin e konfliktit në Ukrainë, kur u pyet për telefonatën e së mërkurës midis liderëve kinezë dhe ukrainas. Mirepo Rusia ende ka nevojë për t’i arritur qëllimet e “operacionit të saj special ushtarak” në Ukrainë.

Kremlini zyryar ka thënë se marrëdhëniet me vendet evropiane janë në “nivelin më të ulët të mundshëm” në mes të dëbimeve të shumta të diplomatëve.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka përshendetur diskutimin mes presidentit të Kinës Xi dhe presidentit të Ukrainës Zelenskiy dhe përsëriti mundësinë që lufta të përfundojë në “tavolinë e bisedimeve”.

Stoltenberg ka deklaruar se 98% e mjeteve luftarake të premtuara janë dorëzuar në Ukrainë, duke përfshirë 1,550 automjete të blinduara dhe 230 tanke. Kjo barazohet me nëntë brigada të reja ukrainase.

Ministria ruse e mbrojtjes pretendon se forcat e saj kanë marrë kontrollin mbi katër blloqe në Bakhmutin veriperëndimor, perëndimor dhe jugperëndimor, njoftoi agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA.

Udhëheqësi i grupit mercenar rus Wagner tha të enjten se kishte bërë shaka kur kishte thënë se njerëzit e tij do ta pezullonin zjarrin e artilerisë në Bakhmut për të lejuar forcat ukrainase në anën tjetër të vijës së frontit t’ua tregonin qytetin gazetarëve vizitorë amerikanë.

Putin e ka urdhëruar qeverinë ruse të krijojë muzeume kushtuar ofensivës së Moskës në Ukrainë, sipas udhëzimeve të publikuara në faqen e internetit të Kremlinit.

Një gjykatë në Moskë të enjten urdhëroi shpërbërjen e një qendre të shquar kërkimore të specializuar për racizmin dhe ksenofobinë në Rusi, në lëvizjen e fundit kundër zërave kritikë që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka refuzuar një ofertë të ambasadës amerikane për ta vizituar gazetarin e ëall Street Journal Evan Gershkovich në burg më 11 maj. Kjo ministri ka thënë se vendimi për moslejim është marrë si përgjigje ndaj dështimit të Uashingtonit për t’i përpunuar vizat për “përfaqësuesit nga grupi gazetaresk” i ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë vizitës së tij në Kombet e Bashkuara të hënën.

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, e ka ftuar Papa Françeskun ta vizitojë Ukrainën. Gjatë një vizite në Vatikan, ai i kërkoi Papës ndihmë për t’i kthyer fëmijët nga lindja e Ukrainës, të cilët janë marrë me forcë në Rusi nga forcat e Kremlinit.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka thënë të enjten se marrëveshja e drithërave të Detit të Zi mund të shpëtohej vetëm duke e zbatuar plotësisht të njëjtën. Moska zyrtare thotë se pjesët e marrëveshjes që synojnë t’i lejojnë asaj të eksportojë mallrat e saj bujqësore nuk po respektohen.

Rusia e ka përforcuar mbrojtjen e saj përpara një kundërsulmi të shumëpritur nga forcat ukrainase, sugjerojnë analistët. Agjencia France-Presse (AFP) raporton se 800 km të linjave ruse që mbrojnë Ukrainën e pushtuar janë fortifikuar trefish dhe kanë marrë një “momentum të fuqisë punëtore”. Koha për një ofenzivë të re vjen pasi ngrirja e zakonshme e dimrit ka filluar të shkrihet dhe thahet, duke e bërë më të mundshëm mobilizimin./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala