Analizë nga CNN: Lufta Izrael-Hamas, IA dhe zgjedhjet në SHBA, pesë parashikime për vitin 2024

Ndërkohë që kemi hyrë në vitin 2024, ajo që na pret në skenën globale mund të duket më e pasigurt se sa ka qenë përgjatë viteve që po i lëmë pas.

1.Lufta Izrael-Hamas kërcënon të përhapet

Viti i ri po fillon me Izraelin që po e shtyn më tej ofensivën e tij në Rripin e Gazës në përgjigje të sulmeve të Hamasit më 7 tetor.

Presioni ndërkombëtar po rritet mbi Izraelin për ta kufizuar kohëzgjatjen dhe intensitetin e luftës së tij në mes të një proteste globale mbi banorëte Gazës që janë bllokuar në rrezik vdekjeprurës, pa furnizime esenciale ose pa qasje në kujdesin shëndetësor, pasi sëmundjet po përhapen nëpër kampet e mbushura me njerëz humanitar. Pavarësisht kësaj, Izraeli i ka dyfishuar përpjekjet e tij dhe ka premtuar se lufta e tij kundër Hamasit do të zgjasë për shumë muaj.

Rreziku i një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme po përshkallëzohet.

Ka rritje të shkëmbimeve ndërkufitare midis grupit paraushtarak islamik Hezbollah të mbështetur nga Irani dhe Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF) në kufirin Liban-Izrael.

Sulmet proxy nga fraksionet e mbështetura nga Irani në Irak – të tilla si sulmi i fundit në ambasadën amerikane në Bagdad – po bëhen më të guximshme dhe më të zakonshme. Dhe sulmet e mëtejshme nga rebelët Houthi të Jemenit të mbështetur nga Irani në rrugët globale të anijeve përmes Detit të Kuq dhe Kanalit të Suezit mund të bëjnë që çmimet e energjisë të shënojnë rritje.

Ekziston gjithashtu një rrezik që grupet e tjera ekstremiste në rajon të ushqehen nga oportunizmi dhe/ose ankesat. Çdo normalizim zyrtar i lidhjeve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, një marrëveshje që dukej e mbyllur para 7 tetorit, tani është jashtë mundësisë.

Mbështetja e hershme e padyshimtë e Shteteve të Bashkuara për sulmet izraelite në Gaza e ka dëmtuar imazhin që ajo projekton si garantues i të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar – një goditje e reputacionit nga e cila Uashingtoni nuk ka gjasa të rimëkëmbet në afat të shkurtër, pavarësisht një ndryshimi vendimtar në atë se si tingëllon krejt kjo.

Nëse kthehemi prapa vitin 2024, SHBA-ja dhe aleatët e saj duhej të vendosin një ekuilibër midis hakmarrjes dhe parandalimit të sulmeve proxy, duke i mbajtur përgjigjet e tyre nën një prag që do të shkaktonte një konflikt më të gjerë.

2. Bllokada pasi konflikti Rusi-Ukrainë po futet në vitin e tretë

Në muajin shkurt, pushtimi i Ukrainës nga Vladimir Putin do të shënojë vitin e tretë.

As Rusia dhe as Ukraina nuk tregojnë ndonjë shenjë të arritjes së fitores apo gatishmëri për kompromis për objektivat e tyre të papajtueshme. Ukraina po lufton për mbijetesën, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj, ndërsa Rusia synon atë që e quan “denazifikim” dhe çmilitarizimin e Ukrainës dhe parandalimin e aspiratës së saj për t’u bashkuar me NATO-n dhe organizatat e tjera perëndimore. Inkuadrimi rus i pushtimit të saj të paprovokuar si “denazifikim” është hedhur poshtë nga historianët dhe vëzhguesit politikë.

Putini e nis vitin me më shumë besim sesa një vit më parë.

Kundërofensiva e shumëpritur e Ukrainës e vitit 2023 nuk e e ka rimarrë momentumin të cilin Kievi zyrtar e kishte fituar deri në fund të vitit 2022. Stoqet e luftës të Rusisë po plotësohen nga Irani dhe Koreja e Veriut. Plus, vendi më i madh në botë për nga zona ka gjithmonë avantazhin e tij numerik për t’u mbështetur përsa i përket trupave, ndryshe nga Ukraina, e cila do të vuajë gjithnjë e më shumë nga mungesa e fuqisë punëtore vitin e ardhshëm.

Evropa është e kufizuar në municionet dhe pajisjet ushtarake që mund t’i ofrojë Ukrainës, me rezervat e saj të skajshmërisht të varfëruara. Frika më e keqe e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për çarje në unitetin perëndimor është materializuar gjithashtu: ndarja politike në SHBA dhe Evropë tani po pengon dhënien e ndihmës ushtarake dhe ekonomike. Udhëtimi i Zelensky në dhjetor në Uashington, DC, rezultoi në 200 milionë dollarë – në vend të 61 miliardë dollarëve që ai i kërkonte – për municione të reja, sepse republikanët në Kongresin amerikan nuk lëvizën në ndryshimet e politikës kufitare që ata i kërkuan në këmbim.

Ditë më vonë, Hungaria e bllokoi një paketë ndihme të Bashkimit Evropian prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën. Ky trend ka të ngjarë të vazhdojë t’i frenojë përpjekjet ushtarake të Ukrainës vitin e ardhshëm pasi si SHBA ashtu edhe BE do t’i japin prioritet çështjeve të brendshme përpara zgjedhjeve të tyre.

Ukraina mund të fokusohet më pas në një qasje mbrojtëse, trajnimin e rekrutëve të rinj dhe prodhimin e mbrojtjes. Krimea, e aneksuar ilegalisht nga Rusia në vitin 2014, do të vazhdojë të jetë çmimi strategjik që Ukraina kërkon ta godasë dhe ta sfidojë dominimin e Rusisë në Detin e Zi.

Megjithëse Ukraina është tani zyrtarisht në rrugën e saj të anëtarësimit në BE, përqafimi retorik dhe institucional nga aleatët ka të ngjarë të vazhdojë të mbetet në kontrast me mbështetjen e tyre aktuale ushtarake dhe financiare ndonjëherë.

Natyrisht, e ardhmja e këtij konflikti varet kryesisht nga ajo se kush është në krye të burimit më të madh të ndihmës financiare dhe ushtarake të Ukrainës – Shtetet e Bashkuara. Moska e favorizon rikthimin e kandidatit kryesor republikan Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit 2024.

3. Zgjedhjet, të sigurtat dhe të pasigurtat

Zgjedhjet janë gjithmonë të rëndësishme, asnjëherë më shumë se kur kaq shumë lojtarë kyç janë në fletët e votimit në një moment paqëndrueshmërie globale. Në vitin 2024, 2 miliardë njerëz do t’i drejtohen qendrave të votimit në një vit të vështirë për të votuar.

Zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara të 5 nëntorit mund ta shohin që Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Trump ka një epërsi komanduese ndaj rivalëve të tij republikanë për nominimin e partisë së tyre, por vendimi i Gjykatës së Lartë të Kolorados se ai nuk mund të kandidojë në këtë shtet për shkak të rastit të kryengritjes së vitit 2021, i ndjekur nga një vendim i ngjashëm në Maine, mund t’i parashikojë pengesat me të cilat do të përballet.

Nuk ka asnjë precedent që një kandidat të kandidojë nën aktakuzë. Ndikimi mobilizues që pretendimet e Trump për një “gjueti shtrigash” ligjore kanë pasur në bazën e tij, nuk ka gjasa të përkthehet në elektoratin e gjerë. Megjithatë, presidenti Joe Biden nuk po i jep energji demokratëve – sondazhet e opinionit sugjerojnë se shumica e votuesve mendojnë se tetëdhjetvjeçari është shumë i vjetër për t’u rizgjedhur dhe vlerësimet e tij të pëlqimit janë të ulëta. Si gjithmonë, vendet që duhet vëzhguar janë shtetet luhatëse.

India do t’i mbajë zgjedhjet më të mëdha demokratike në botë përgjatë prillit dhe majit.

Kryeministri aktual Narendra Modi së bashku me Partinë e tij nacionaliste hindu Bharatiya Janata (BJP), pritet ta sigurojë një mandat të tretë me një brend politik popullor, por fetarisht përçarës. Pavarësisht çështjeve rreth inflacionit dhe fuqisë blerëse, Modi gëzon mbështetje të gjerë në mesin e shumicës hindu të Indisë bazuar në patriotizmin dhe një politikë të jashtme të sigurt. Kritikët kundërshtojnë se morali themelues i dikurshëm laik dhe demokratik i Indisë po zë vendin e dytë dhe se pakicat ndihen të pasigurta.

Rusia shkon në zgjedhje më 17 mars. Me liderin e shquar të opozitës Alexey Navalny të burgosur në një koloni të largët penale siberiane dhe shtypjen gjithëpërfshirëse të medias së pavarur, nuk do të ketë asnjë surprizë. Nëse zgjedhjet e Rusisë ofrojnë tregues të kufizuar të popullaritetit të qeverisë, një pjesëmarrje e ulët mund të shtojë presion mbi Kremlinin dhe pushtimin e tij të ngecur në Ukrainë. Autokracitë e tjera Bjellorusia dhe Irani gjithashtu mbajnë zgjedhje këtë vit.

Do të ketë një pikë ndezjeje të zgjedhjeve të parakohshme kur, në më pak se dy javë, Tajvani të votojë, duke e përcaktuar fatin e saj me Kinën për katër vitet e ardhshme. Nëse fituesi është Lai Ching-te i Partisë Demokratike Progresive, një ish avokat i linjës së ashpër të pavarësisë së Tajvanit, marrëdhëniet me Pekinin pritet të përkeqësohen ose të mbeten të ngrira. Kandidatët konkurrues të Kuomintang (KMT) dhe Partisë Popullore të Tajvanit premtojnë të krijojnë më pak fërkime me Kinën, megjithëse të trija partitë e kundërshtojnë parimin “një vend, dy sisteme” të përkrahur nga Pekini.

Diku tjetër, për herë të parë që kur erdhi në pushtet tri dekada më parë, Kongresi Kombëtar Afrikan i Afrikës së Jugut (ANC) përballet me një rrezik real për ta humbur shumicën e tij parlamentare në zgjedhjet e vitit 2024. Papunësia, një ekonomi e paqëndrueshme dhe krimi e kanë thyer dominimin e ANC. Udhëheqësi i partisë dhe presidenti Cyril Ramaphosa, i cili mori detyrën në vitin 2018 pasi paraardhësi i tij i skandalizuar Jacob Zuma u largua nga detyra, më pas u përball me pyetje për korrupsionin e dyshuar, të cilin ai e mohoi.

4. Mosmarrëveshjet territoriale

Siç na tregojnë luftërat në Evropën Lindore dhe Lindjen e Mesme, ne jemi në pikën e lakimit në gjeopolitikë.

Animi drejt autoritarizmit dhe thyerja e parashikuar prej kohësh e hegjemonisë perëndimore më në fund ka zënë rrënjë. Ka pasur një zhvendosje përfundimtare nga unipolariteti amerikan, me Kinën dhe Rusinë duke përfituar nga kjo tërheqje. Akset gjeopolitike të pushtetit po riorganizohen lirshëm, me SHBA-në dhe BE-në në njërën anë dhe një bosht anti-SHBA të Kinës, Iranit, Rusisë dhe Koresë së Veriut në anën tjetër. Kjo po çon në veprime më të guximshme, më pak të parashikueshme dhe një mjedis global më të rrezikshëm dhe të pasigurt.

Do të vazhdojmë të jemi dëshmitarë të këtij ndryshimi, i cili mund të përkeqësohet nga qëndrimi i vendeve të paangazhuara dhe rritja e blloqeve konkurruese siç është  BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina).

Mosmarrëveshjet territoriale dhe revanshizmi janë në rritje. Marrja nën kontrollë në mënyrë të rrufeshme nga Azerbajxhani i rajonit të diskutuar prej kohësh Nagorno-Karabakh është vetëm një shembull.

India dhe Kina vazhdojnë të luftojnë dhe militarizojnë kufirin më të diskutueshëm në botë, i cili i ndan ato. Fuqitë më të vogla mund të përfitojnë nga mosangazhimi perëndimor dhe syri qorr që fuqitë e mëdha në rritje do t’i drejtohen ambicieve të tyre ekspansioniste.

Gjatë gjithë kohës, përdorimi në rritje i fuqisë së vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është paralizues dhe frymëzon pak besim në aftësinë e institucioneve mbikombëtare për të penguar ose për t’iu përgjigjur një bote që po përjeton konfliktin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore.

Paaftësia e politikëbërësve rajonalë dhe ndërkombëtarë për ta negociuar një kthim të shpejtë në sundimin civil në përgjigje të valës së grushteve të shtetit në Afrikë sinjalizon gjithashtu mungesën e sanksioneve dhe udhëheqjes efektive.

Kjo e rrit rrezikun e infektimit, me vendet e tjera që mund ta ndjekin këtë shembull – veçanërisht me vëmendjen e botës të fiksuar në Lindjen e Mesme dhe, në një masë më të vogël, në Ukrainë.

5. Shfaqja e Inteligjencës Artificiale, AI

Viti 2024 duket se do ta dëshmojë një tension midis rritjes eksponenciale të inteligjencës artificiale (AI) dhe përpjekjeve për ta rregulluar atë, nga institucionet qeverisëse që u mungon dukshëm njohuria e teknologjisë.

Inteligjenca artificiale gjeneruese – e cila gjeneron të dhëna të reja, si tekst, imazhe apo dizajne, duke mësuar nga të dhënat ekzistuese – daton në vitet 1950 (ne duhet t’i japim Alan Turing meritat e tij këtu.) Por vetëm tani jemi dëshmitarë të vërtetë të paradigmës ndryshim pasi teknologjia AI është gjerësisht e disponueshme dhe ndikon në të gjitha aspektet e jetës sonë.

Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Përparim i madh në gjenerimin e imazheve, dizajnimin, sintezën e të folurit, përkthimin dhe automatizimin. Rritja e asistentëve të AI dhe personalizimi i ndërveprimeve tuaja teknologjike. Në vend që modelet e tekstit si ChatGPT, modelet që gjenerojnë imazhe si DALL-E 2 dhe modelet e të folurit të jenë të ndara, ato do të kombinohen për një ndërfaqe më gjithpërfshirëse.

Siç e dimë, avancimi i shpejtë i IA sjell gjithashtu sfida të reja etike.

Ndërkohë që sistemet e IA bëhen më të avancuara, pyetjet rreth privatësisë, paragjykimit dhe llogaridhënies bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Si sigurojmë që sistemet e IA t’i respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut? Si e monitorojmë dhe parandalojmë ndërhyrjen e IA në proceset demokratike? Si ta zbusim rrezikun e njëanshmërisë në vendimmarrjen e IA Këto janë vetëm disa nga pyetjet me të cilat duhet të përballen politikëbërësit, studiuesit dhe shoqëria në përgjithësi.

Sistemet gjithnjë e më të sofistikuara të IA kërkojnë fuqi serioze përpunuese – që do të nënkuptojë një theks të industrisë në çipat e shtrenjtë dhe llogaritjen kuantike. Ky i fundit prej tyre është limiti në kërkimin pionier që mbështetet në parimet e veçanta dhe kundërintuitive të fizikës nënatomike. Shpejtësia e përpunimit të informacionit të llogaritjes kuantike dhe analiza e tij e të dhënave janë në një stratosferë të ndryshme. Integrimi i llogaritjes kuantike në IA do të nënkuptojë që modelet të trajnohen më shpejt me aftësi të zgjeruara për vetë-evolucion.

Ekspertët e IA nuk mund ta kuptojnë as shtrirjen dhe implikimet e teknologjisë në të ardhmen – një mendim shqetësues duke pasur parasysh ritmin e ndryshimit dhe ndikimin e tij të përhapur mbi njerëzimin.  /CNN

Përgatiti: Nuhi Shala