Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, 15 janar 2022, Foto: KALLXO.com

Ambasadori amerikan: Askush të mos e harrojë dhe mohojë masakrën e Reçakut

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë se askush nuk duhet ta harrojë dhe as ta mohojë krimin e kryer kundër 45 civilëve shqiptarë në Reçak 23 vjet më parë, nga forcat serbe.

Në ceremoninë e organizuar për 23-vjetorin e Masakrë së Reçakut, Ambasadori amerikan ka theksuar se nuk duhet të harrohet as arsyeja se pse SHBA dhe NATO bashkë me aleatët i dolën në mbrojtje popullit të Kosovës.

“Askush të mos harrojë apo mohojë atë që ndodhi këtu, apo pse Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë dolën në mbrojtje të popullit të Kosovës. E mbaj mend mirë atë ditë. Si oficer në Misionin e SHBA-së në OSBE, përgjegjës për Kosovën në atë kohë, mora një telefonatë nga shefi i atëhershëm i misionit verifikues të Kosovës, ambasadori William Walker menjëherë pasi u largua nga skena e tmerrit, tashmë i fokusuar në rekomandimet e tij për OSBE-në si përgjigje për vrasjen brutale të civilëve të pambrojtur”, tha ai.

Diplomati amerikan ka shtuar se në përgjigje të kësaj mizorie të ndodhur në Reçak dhe të tjerave, Shtetet e Bashkuara, së bashku me aleatët e NATO-s, vepruan për të mbrojtur civilët e pambrojtur në emër të paqes, lirisë dhe stabilitetit.

“Këto synime pasqyrojnë vlerat e thella amerikane dhe perëndimore. Ne besojmë se të gjithë njerëzit, pa dallim etnie apo feje, e meritojnë dinjitetin e të jetuarit në liri dhe siguri”, tha ai.

Ambasadori ka shtuar se jane të vetëdijshëm për përpjekjet për të rishkruar historinë e mirëdokumentuar të kësaj masakre dhe për të minimizuar ose keqinterpretuar faktet rreth këtyre mizorive.

“Më lejoni të jem i qartë për angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj së vërtetës. Siç tha atëherë presidenti Clinton, ne riafirmojmë edhe tani: Ky ishte një akt i qëllimshëm dhe pa dallim vrasjeje i krijuar për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës”, tha ai.

Sipas Hovenier, mohimi i këtyre incidenteve dhe lavdërimi i krimeve të luftës çnderon kujtimin e të vdekurve, rihap plagët e të mbijetuarve dhe e kthen rajonin përsëri në përpjekjet drejt konsolidimit demokratik dhe integrimit të plotë euroatlantik.

Ai ka shtuar se pranimi i të vërtetës të së kaluarës është vetëm hapi i parë drejt drejtësisë.

“Paqja dhe drejtësia vijnë nga një njohje me sy të qartë të krimeve të së shkuarës. Kjo është jetike për të siguruar që këto krime të tmerrshme të mos ndodhin më kurrë”, tha ambsadori në Shtime.

Serbia i ka mohuar krimet e kryera në Reçak, duke e quajtur trillim masakrën e kryer mbi civilët shqiptarë.
23 vite që kur forcat policore dhe ushtarake serbe kryen njërën nga masakrat më të dhimbshme kundër njerëzimit në Reçak, por përkundër kohës së gjatë që ka kaluar, deri më tani asnjë person nuk është gjetur përgjegjës për këtë krim makabër mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare.

Njeriu i parë i cili e kishte cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit, kishte qenë kreu i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së, ambasadori William Walker.

Walker kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, i kishte dokumentuar krimet e kryera në këtë fshat dhe i njëjti e kishte alarmuar botën për krimin që po ndodhte mbi popullatën e pafajshme civile në Kosovë.

Më 15 janar të vitit 1999, forcat policore dhe ushtarake serbe në Kosovë vranë 45 civilë shqiptarë në fshatin Reçak në Komunën e Shtimes.

Ngjarja e Reçakut u pasua nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë si dhe në Serbi.

Hetimet për masakrën e Reçakut i ka marrë përsipër Prokuroria Speciale e Kosovës.