Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

AAK në Drenas premton ndërtimin e daljeve emergjente në 18 shkolla

Kandidatja për kryetare të Komunës së Drenasit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Arta Ahmeti Xhylani në Debat Pernime ka premtuar ndërtimin e daljeve emergjente në 18 shkolla të komunës së Drenasit.

Ahmeti – Xhylani tha se do të punojnë në rregullimin e ndriçimit publik dhe në vendosjen e kamerave të sigurisë.

“Ne kemi me finalizu këtë planin emergjent që e ka iniciuar hartimin kryetari Lladrovci. Është obligative me përfundu këtë. Mandej duhet pasur psikologë nëpër shkolla edhe nëpër qendra të punës sociale, duhet pasur sociologë. Kemi 18 shkollë që nuk kanë dalje emergjente, pas marrjes mandantit do të ndërtojmë dalje emergjente për 18 shkollat. Pastaj është ndriçimi publik, sepse rrit sigurinë dhe vendosjen e kamerave në vendet ku nuk ka, dhe aty ku ka nevojë”, ka thënë Ahmeti – Xhylani.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Drenasit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Ata përballë Jeta Xharrës do të japin përgjigje se si do të menaxhojnë me pandeminë COVID-19, cilat janë planet e tyre për arsim, ambient, kulturë, siguri publike dhe tema të tjera.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar/e të komunës së Drenasit: Arta Ahmeti Xhylani nga AAK; Driton Ajazi nga Demokratët për Drenasin; Fejzi Kiqina nga LVV; Ramiz Lladrovci nga PDK dhe Xhavit Drenori nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin”.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Drenasit: Edolina Plakiqi nga AAK; Egzona Tërdevci nga LVV; Egzona Jetullahi nga PDK; Erstina Nika nga LDK; Heroina Krasniqi nga Iniciativa Qytetare “Green për Drenasin dhe Sadete Hysenaj nga Demokratët për Drenasin.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.