Besnik Tahiri - AAK, Foto: KALLXO.com

AAK në bisedime me dy partitë e tjera opozitare lidhur me mocionin për rrëzimin e Qeverisë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë ka përpiluar mocionin e mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti 2.

Kështu ka njoftuar sot shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Ai ka thënë se janë në diskutim me dy partitë tjera opozitare PDK dhe LDK për këtë mocion.

“Mocionin e kemi nis, e kemi përpiluar, do të jetë në diskutim me dy partitë opozitare për t’i dhënë komentet e tyre në draft. Është mocion që është duke ecur, do të shohim se kur do të vendoset. Është reflektim i eksperimentimit që e ka bërë kryeministri në atë pjesë të vendit” – ka thënë Tahiri.

Sa i përket situatës së krijuar në veri, Tahiri u shpreh se Lista Serbe e as presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, s’mund të kushtëzojë Kosovën “pasi ne kemi shtet, institucione e parlament”.

“Lista Serbe nuk është në pozicion të kushtëzojë Kosovën, e as Vuçiqi. Ne kemi shtet, institucione e parlament. Ne si Aleancë kemi qenë tepërt të sinqertë me këtë Qeveri. Jemi të vetmit që kemi dalë e kemi thënë kryeministër mos hy në zgjedhje se po hyn në një eksperiment që nuk mund t’i dalësh në krye. Ndodhi ajo që u tha” – shtoi ai.

Sipas Tahirit, “mësimi i nxjerr nga ky proces ishte që në temat për sovranitet, duhet të ketë komunikim serioz”.

Nga e hëna serbët në veri janë duke protestuar për të kundërshtuar idenë që kryetarët e rinjë të ushtrojnë detyrat e tyre nga objektet komunale.

Ata po kundërshtojnë vendosjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Zgjedhjet e parakohshme lokale u mbajtën më 23 prill në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por u bojkotuan në masë të madhe nga komuniteti serb.

Pjesëmarrja, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ishte pak më shumë se 3 për qind.

Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, kishte bërë thirrje për bojkotim të këtyre zgjedhjeve.

Për shkak të situatës në veri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione ndaj Kosovës, ku i pari vendim ka qenë përjashtimi nga Defender Europe 23.

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken ka kërkuar publikisht nga kryeministri Kurti që shtensionojë situatën në veri dhe t’i largojë forcat e policisë nga ndërtesat komunale.

Zhvillimet në veri – Kurti takohet me ambasadorin e Francës dhe zv.ambasadorin e Gjermanisë