Objekti i Komunës së Zubin Potokut (25.05.2023)

A po ofrohen shërbime kadastrale në Zveçan dhe Zubin Potok?

KALLXO.com ka marrë raportime se gjatë ditës së sotme se nuk po ofrohen shërbime kadastrale në Zveçan dhe Zubin Potok. Sipas raportimit, banorët është dashur të marrin shërbime në Komunën e Mitrovicës së Veriut.

Për këtë çështje, KALLXO.com ka kontaktuar me udhëheqësit e këtyre komunave.

Nga Komuna e Zubin Potokut kanë thënë se kjo ka mundur të ndodhë për shkak të mungesës së rrymës elektrike ndërsa nga Komuna e Zveçanit e kanë mohuar një gjë të tillë. Nga Komuna e Mitrovicës së Veriut për KALLXO.com kanë thënë që banorët e komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut kanë marrë sot shërbime kadastrale tek ta, duke potencuar se mund të jetë si pasojë e mungesës së energjisë elektrike apo diçka e ngjashme.

Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se shërbimet kadastrale ofrohen në komunë dhe të njëjtat nuk ofrohen në rastet kur ka mungesë të energjisë elektrike.

“Ka filluar, Zyra kadastrale po kryen shërbime. Në zyrat kadastrale në fshatin Çabër sepse aty ofrohen shërbimet, mirëpo sot kemi probleme me rrymë derisa të vjen rryma s’po varet shumë prej neve. Që s’ka rrymë d.m.th nuk mund të ofrohen se përndryshe marrin shërbime edhe te na. E kanë orarin e caktuar agjencioni, të cilët punojnë prej 10:00-14:00, se ata vijnë prej agjencionit për momentin deri sa t’i trajnojmë ne punëtorët kadastralë, vijnë ata dhe japin shërbime”- ka thënë Zeqiri.

Ai shtoi se në baza ditore marrin shërbime kadastrale rreth 5-6 persona.

Ndërsa Ilir Boletini, nënkryetar i Komunës së Zveçanit thotë se afër 20 persona kanë marrë sot shërbime kadastrale në Komunën e Zveçanit.

“Po, t’u punu janë. Duke rregullu dokumentacion. Është një numër shumë i madh që janë të interesuar, një herë për momentin shumë mirë është kah shkon. Sidomos dje edhe sot ka qenë një numër jashtëzakonisht i madh. Jo, kjo është dezinformatë totale se shërbimi kadastral në komunën tonë është funksional dhe për momentin i kemi afro 20 vetë që janë t’u kry shërbime. Unë jam nënkryetar i komunës dhe jam t’u pa që njerëzit janë t’u marrë shërbime”- ka thënë Boletini.

Se qytetarë të Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë marrë shërbime në Mitrovicën e Veriut, e ka konfirmuar edhe Visar Syla, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut. Syla ka thënë për KALLXO.com se kjo mund të ketë ndodhur për shkak të mungesësë së energjisë elektrike apo të hapësirës së pamjaftueshme.

“Po, po ofrohen. Faktikisht është dashtë me u ofru te komunat përkatëse mirëpo me gjasë ata kanë ndonjë problem në funksion atje. Tash a për shkak të hapësirave a çka nuk e di dhe arrijnë defekt në rrymë a çka po di. Kështu që ofrohen këtu. Unë po besoj banorët që kanë ardhë këtu, kanë ardhë me atë arsye që nuk kanë mujt me marrë shërbime atje. Nuk kam qenë në terren me konfirmu veç e di që po marrin shërbime edhe poshtë. Sot ka pasë banorë të Zubin Potokut dhe Zveçanit që kanë marrë shërbime në komunë të Mitrovicës së Veriut. Vetëm sot me gjasë sipas informacioneve të mia kanë marrë shërbime. Kish qenë mirë me marr informacione prej atje. Unë veç muj me konfirmu që ka banorë të atyre qytezave që marrin shërbime këtu”- ka thënë Syla.

Ndryshe, KALLXO.com ka raportuar për hapjen e zyrave kadastrale në komunat e veriut të Kosovës. Sipas ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturisë, Liburn Aliu, është rifunksionalizuar zyra komunale kadastrale në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe janë funksionalizuar shërbimet kadastrale me hapjen e zyrave komunale kadastrale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.