Foto: KALLXO.com

Hapen zyrat kadastrale në komunat e veriut të Kosovës

Pas 24 viteve, sot janë funksionalizuar shërbimet kadastrale me hapjen e zyrave komunale kadastrale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, si dhe është rifunksionalizuar zyra në Komunën e  Mitrovicës Veriore.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Erden Atiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore, Liburn Aliu, ministër i Infrastrukturës dhe Avni Ahmeti, drejtor i Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Banori i lagjes ‘Suhodoll’, Shaban Ramadani, shprehet i lumtur që shërbimet kadastrale tash e tutje mund t’i kryejë në komunën ku jeton.

“Sot, pas 24 viteve për herë të parë i nxorëm dokumentet tamam me rregullat ashtu siç duhet. Më herët i kemi kry këtu, mirëpo kemi pasë peripeci mjaft shumë. Tash u kry brenda ditës, është mirë dhe e vlerësoj pozitive. Shpresoj se do të vazhdojë kështu”- ka thënë Ramadani.

Ndërsa Erden Atiq, kryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore, u bën thirrje qytetarëve që të vijnë dhe t’i kryejnë shërbimet në këtë Komunë.

“E kemi rastin me iu informu që e kemi hapë zyrën këtu, Zyrën e Agjencisë Kadastrale, ku munden të gjithë qytetarët e komunës së Mitrovicës Veriore me ardhë dhe me i kry të gjitha shërbimet e tyre në dimensionin e agjencisë kadastrale. Unë i bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të vijnë dhe t’i shfrytëzojnë mundësitë”- theksoi Atiq.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se sot është lëshuar certifikata e parë pas rifunksionalizimit të zyrës komunale kadastrale.

“Në Mitrovicë u rihap sot zyra komunale kadastrale. Ka qenë në bazë të marrëveshjeve të mëhershme e hapur dhe ka funksionu një kohë, pastaj është mbyllur. Sot po ashtu bëjmë hapjen edhe të zyrave komunale kadastrale për herë të parë që nuk kanë qenë përpara në komunën e Zveçanit, në komunën e Leposaviqit dhe në Komunën e Zubin Potokut, ku edhe atje do të kenë mundësinë qytetarët të shkojnë dhe t’i marrin certifikatat e pronësisë, respektivisht kopjen e planit, fletat poseduese”- ka thënë Aliu.

Tutje ai tha se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë Kadastrale janë siguruar lokacionet, pajisjet, është trajnuar stafi që sot pritet të fillojnë punën.

Gjithashtu ministri tregoi planet për të ardhmen.

“Ndërsa nga tash e tutje do të vazhdojmë me projektin e bankës botërore REGIP, janë edhe disa projekte të tjera të cilat do të bëhen e që është komplet për zyrat kadastrale komunale e që do të zgjasin deri në vitin 2025. Do të ketë projekte të radhës që do të jenë komplet implementimi i sistemit të adresave dhe kompletimi i kadastrit të ndërtesave dhe pjesëve të ndërtesave, rindërtimi i formacioneve kadastrale, krijimi i kadastrit të përçojave, skanimi i dokumentacionit kadastral ekzistues, renovimi i zyrave komunale, furnizimi i zyrave komunale kadastrale me inventarë dhe pajisje të teknologjisë informative si dhe furnizimi i zyrave komunale kadastrale me pajisje për matje gjeodezike dhe kadastrale”- theksoi ministri.

Sipas tij, ky është një hap shumë i rëndësishëm për institucionet tona.

Optimist për funksionalizimin e këtyre zyrave u shpreh edhe Avni Ahmeti, drejtor i Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

Ai tha se banorët e këtyre komunave më parë janë detyruar të marrin shërbime kadastrale në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, në Prishtinë, ndërsa tani e kanë më të lehtë të pajisen përmes komunave përkatëse.