array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Video e manipuluar e Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit 

Deklarata

Nipi Serbis Hashimoviq Krimineli edhe ntelefon ka fol me Vuqiqin

Faqet në Facebook

Vlerësimi

Rrenë

Përmbajtja e videos së publikuar nga faqja është e manipuluar. Krypometër ka gjetur se kjo video është e fabrikuar duke kombinuar tri intervista dhe paraqitje që janë bërë në kohë dhe vend të ndryshëm. Edhe përshkrimi i kësaj videoje është i rremë, pasi Dhomat e Specializuara ende nuk kanë marrë aktgjykim lirues apo dënues kundër Hashim Thaçit, prandaj i njëjti bazuar në ligjet e aplikueshme në Kosovë ende është i pafajshëm.

Artikulli

Më 23.02.2024, një profil në Facebook e ka publikuar një video material (arkiva) në grupin ‘me Albinin’ me mbishkrimin “Nipi Serbis Hashimoviq Krimineli edhe ntelefon ka fol me Vuqiqin”. 

Në këtë video material kinse dëgjohen kryeministri Albin Kurti, ish-presidenti  Hashim Thaçi dhe prokurori i Dhomave të Specializuara Alex Whiting.

Në pjesën e parë të videos është një dialog në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe prokurorit të i Dhomave të Specializuara, Alex Whiting.

Në fillim të videos, kinse flet prokurori special, Alex Whiting i cili thotë se “Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për tu dhënë prokurorëve të specializuar një intervistë të zgjatur me video inçizim”, e më pas dëgjohet Albin Kurti duke e bërë pyetjen “Çfarë ka kënduar aty”.

Në sekondat pasuese dëgjohet prap prokurori Whitingn duke thënë “Gjatë këtyre intervisatve mes një sërë pranimesh të rëndësishme mohoi shumëçka lidhur me  rolin e tij në Shtabin e Përgjithshëm. Zotëri Thaçi  pretendoi se Shtabi i Përgjithshëm deri në Nëntor të vitit 1998 nuk kishte asnjë funksion dhe pas asaj date ekzistonte vetëm në letër” dhe më pas dëgjohet Kurti duke cituar intervistën e Thaçit për Euroneës.

Dhe në fund të video materialit dëgjohet Hashim Thaçi duke thënë “unë kam qenë larg nga frontet e luftës. Fitorja e Kosovës është më shumë fitore politike”. 

Për të verifikuar përmbajtjen e kësaj videoje, Krypometër ka analizuar deklarimet e bëra nga protagonistët që janë në këtë video.

Duke e vendosur citatin e Albin Kurtit në makinat e kërkimit si Bing dhe Google, Krypometër ka gjetur se njëjta është dhënë në një intervistë të Albin Kurtit për KTV, më 22.09.2020. 

Në të njëjtën mënyrë është gjetur edhe deklarimi i Hashim Thaçit, e cila rezulton që është shkëputur nga intervista e tij për Euroneës, më 14.02.2014. 

Prokurori i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili dëgjohet në videon e publikuar në grupin ‘me Albinin’ është shëkputur nga seanca gjyqësore e datës 03.04.2023.

Prokurori i dhomave të Specializuara, Alex Whiting në seancën e 03.04.2023 të Gjykatës Speciale në Hagë kishte thënë se “Hashim Thaçi erdhi disa herë fshehurazi në Hagë për t’u dhënë një intervistë të zgjatur prokurorëve të ZPS-së me video të inçizuar. Mes një sërë pranimesh të rëndësishme ai mohoi shumëçka për rolin e tij në Shtabin e Përgjithshëm. Ai pretendoi se deri në nëntor të vitit 1998 Shtabi nuk kishte asnjë funksion dhe pas asaj date ekzistonte vetëm në letër”. 

Krypometri gjithashtu ka analizuar edhe përshkrimin e videos së publikuar i cili thotë “Nipi Serbis Hashimoviq Krimineli edhe ntelefon ka fol me Vuqiqin”. 

Më 3 prill 2023 ka filluar gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas nenit 3 të kodit të procedures penale, “çdo person i dyshuar ose që akuzohet për vepër penale konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës”.

Dhomat e Specializuara kanë mandat që buron nga Ligji për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar për të trajtuar krimet e supozuara të kryera nga individë gjatë luftës në Kosovë gjatë periudhës 01.01.1998 deri më 31.12.2000.

“Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000”- thuhet në nenin 7 të këtij ligji.

Bazuar në kompetencat që burojnë nga ky ligj, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë për katër ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo aktakuzë është konfirmuar më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020.

Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryesues i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambuje, nga 6 deri më 22 shkurt 1999. Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, pozitë që e mbajti deri në vitin 2014.

Më 26.02.2016, Hashim Thaçi ishte zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Ai nuk arriti të çojë deri në fund mandatin e presidentit, pasi më 05.11.2020 u transferua në Hagë, me urdhër të Gjykatës Speciale pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, ku ende është duke vazhduar procesi gjyqësor.