Verifikimi i fakteve dhe rëndësia e kredibilitetit në kohën e të vërtetës virtuale

Fjalimi i Faik Ispahiut me rastin e shënimit të 2 prillit – Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve.

Nuk e kam të lehtë të flasë për të arriturat tona në fushën e verifikimit të fakteve, jo pse nuk kemi çka të themi, përkundrazi: sepse jemi mësuar të punojmë, e ta lëmë punën tonë të flasë për vete. Mëa shumë se 1,100 krypometra, mijëra artikuj hulumtues e emisione me besueshmërinë më të lartë – flasin për vete.

Thjesht, nuk na mbetet fort kohë të flasim për të arriturat, sepse vëllimi i punës të cilin ia kemi vendosur vetes përpara është jashtëzakonisht i madh.

Në frymën e prezantimit të cilin e dëgjuat nga kolegët e mi, dua, sot, të ndaj me ju dy gjëra:

– Mësimet e nxjerra nga puna 25-vjeçare në zhvillim të mediave, gazetari hulumtuese e së fundmi verifikim të fakteve, si dhe

– Dilemat se si dhe kah të shkohet në të ardhmen, duke e parë gjendjen aktuale në shoqëri e media, jo vetëm në Kosovë, jo vetëm në rajon, por në mbarë botën.

Përvoja na ka mësuar që kredibiliteti është ndër faktorët kryesorë në punën e informimit, raportimit dhe ngritjes së debatit konstruktiv publik, insistimit në llogaridhënie dhe transparencë.

Në një ambient ku abuzimi me të drejtën e fjalës së lirë jo vetëm që nuk paraqet problem të madh, por shpesh edhe inkurajohet prej grupeve të ndryshme të interesit, si atyre politike, gjeografike, ekonomike, religjioze e etnike – nuk është e lehtë t’i qëndrosh besnik kritereve dhe rregullave të cilat ia kemi qitë vetes përpara si zotim para publikut e që janë në përputhje të plotë me kriteret më të larta e rigoroze ndërkombëtare për gazetari profesionale.

Na kanë cilësuar si spiunë, si shërbëtorë të Serbisë, Rusisë e Kinës, na kanë quajtur tradhtarë e rrënues të interesave kombëtare, por fakti se kemi mbërritur t’i mbesim besnik saktësisht asaj që i kemi premtuar publikut, saktësisht sipas rregullave dhe kritereve sipas të cilave do ta kryejmë punën tonë, kemi mbërritur që sot Internews Kosova dhe KALLXO.com, së bashku me (fatkeqësisht) një numër të vogël të partnerëve, ta ruajmë një forum të së vërtetës të bazuar në fakte.

Nuk është e lehtë t’i kundërvihesh një armate të tërë të skllevërve politikë, të cilët, deshën apo s’deshën, janë të detyruar t’i bëjnë jehonë të vërtetës virtuale të cilën e lansojnë tiranët dhe mikrotiranët, qoftë politikë, qoftë ekonomikë, qoftë nga pozita e qoftë nga opozita.

Shtypja dhe penalizimi i lirisë së të shprehurit, të mendimit kritik, ka hapur rrugë që në botën virtuale të ndërtohen narrativa dhe të vërteta virtuale të cilat në botën reale po përfundojnë me përleshje, konflikte e luftë.

E vetmja mënyrë për ta parandaluar një gjë të tillë është prezantimi i fakteve.

Sepse, sot verifikimi i fakteve nuk është vetëm çështje e mediave, sot verifikimi i fakteve në të vërtetë paraqet çështje të sigurisë nacionale, të sigurisë rajonale e bile edhe të sigurisë globale.

Me këtë, po vij te pika e dytë, të cilën e përmenda më lart: te dilema se qysh të vazhdohet më tutje?

Fort është lehtë t’i dorëzohesh presionit edhe të shndërrohesh në vasal të njërës apo të vërtetës tjetër virtuale, duke i mbyllur sytë karshi të vërtetës në botën reale.

Fort është lehtë t’i bashkohesh korit të zombive, skllevërve dhe trollëve politikë të cilët me sy mbyllë promovojnë agjenda se: shqiptarët janë terroristë, se serbët janë vrasës, se myslimanët janë të prapambetur, se të krishterët janë gjakpirës, se ortodoksët janë shpirtzinj, se ukrainasit janë fashistë, se rusët janë trushpëlarë…

Prandaj, dua të ndaj me ju që ne këtë dilemë e kemi zgjidhur ashtu që duke u bazuar në vlerat e civilizimit të cilit i përkasim dhe i kemi takuar gjithmonë, të sfidojmë dhe në mënyrë konstruktive të analizojmë çdo gjë, secilin postulat, secilin vendim, secilën të vërtetë e cila i servohet publikut në emër të interesave të publikut.

Po e përsëris, të sfiduar konstruktiv e në interes të publikut – e jo të sfiduar sa për hir të të sfiduarit!

Pra, e kemi për qëllim që ta ndërtojmë një shoqëri të informuar saktë dhe të angazhuar plotësisht në proceset demokratike të qeverisjes dhe vendimmarrjes. Një shoqëri në të cilën nuk ka kurrfarë lloji të diskriminimit dhe ku ligji vlen në mënyrë të njëjtë për të gjithë.

Prandaj, i kemi caktuar rregullat dhe kriteret në të cilat e bazojmë punën tonë.

Prandaj, jemi aq të dedikuar që t’i zgjedhim dhe t’u bashkëngjitemi grupeve dhe organizatave me vlera të njëjta siç janë IFCN (Rrjeti Ndërkombëtar i Verifikuesve të fakteve) dhe EFCSN (Rrjeti i Standardeve Evropiane për Verifikim të Fakteve).

Prandaj kemi vendosur t’i bashkohemi projektit të kompanisë META në shenjëzim të informatave të pavërteta në Facebook dhe Instagram. Krejt këto drejt luftimit dhe identifikimit të informatave të pasakta dhe rrenave.

Pres nga të gjithë ju të na bashkëngjiteni në vlerat të cilat i përmenda dhe të na ndihmoni në këtë rrugë. Unë mbetem në dispozicionin tuaj për çfarëdo informate shtesë.

Faik Ispahiu është drejtor ekzekutiv i Internews Kosova dhe themelues i KALLXO.com.