FOTO: Thaçi, Veseli, Selimi, dhe Krasniqi në Gjykatën Speciale

Gjithçka që ndodhi rreth Gjykatës Speciale gjatë dy javëve të fundit

Dy javët e para të nëntorit të 2020-tës dolën të jenë javët e Gjykatës Speciale.

Pothuajse gjithçka që ndodhi nga fillimi i këtij muaji ishte e lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.

Mëngjesin e katër nëntorit rrugët e Prishtinës dhe të Drenasit u shkelën nga uniformat e policisë së EULEX-it.

Në këto dy komuna u vërejtë një prani e madhe e policëve evropian të cilët kishin zbarkuar në Kosovë që të zbatonin urdhrat e prokurorëve të specializuar.

Lajmi kryesor i ditës ishte bastisja e ish zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Policët e EULEX-it ia kishin mësyrë shtëpitë e Krasniqit në Prishtinë e Negroc, cak i tyre ishte arrestimi i ish kryekuvendarit dhe marrja e dokumenteve të ndryshme të cilat mund të ishin të dobishme për prokurorët e specializuar.

Krasniqi u arrestua dhe mbrëmjen e katër nëntorit u dërgua për në Hagë.

Arrestimi i Krasniqit ishte paralajmërim edhe për ish udhëheqësit e tjerë të UÇK-së.

Mbrëmjen e katër nëntorit ishte Rexhep Selimi, ai i cili njoftoi se ndaj tij ishte konfirmuar aktakuza e ngritur nga prokurorët e specializuar.

Në njoftimin e tij ish bashkëthemeluesi i UÇK-së Rexhep Selimi njoftoi vendin se do të udhëtojë në mënyrë vullnetare për në Hagë, që të përballet me akuzat e Prokurorisë.

Ngjashëm filloi edhe e enjtja e 5 nëntorit.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi thirri një konferencë të jashtëzakonshme, në anën tjetër lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli njoftoi për pezullimin e të gjitha aktiviteteve politike dhe konfirmimin e aktakuzës ndaj tij.

Në orën 11:00 vëmendja e publikut për një moment u shkëput tek konferenca e Presidentit.

Kreu i vendit nga foltorja njoftoi popullin se po jepte dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës, pasi edhe ndaj tij kishte një aktakuzë të konfirmuar.

Tre ish udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ia mësynë zyrave të EULEX-it në Prishtinë.

Pak kohë pasi u bën bashkë në zyrat e EULEX-it, të tre krerët e UÇK-së të përcjellë nga një eskortë e makinave të policisë evropiane morën udhën për në Aeroportin ushtarak në Sllatinë, prej ku udhëtuan në për Hagë.

E kur mendohej se vendi iu kthye përkohësisht normalitetit, në media u njoftua edhe për një aksion të uniformave policore të EULEX-it.

Kësaj radhe cak i tyre ishte shtëpia e ish Presidentit Hashim Thaçi dhe shtëpitë e dy ish krerëve të tjerë të UÇK-së Kadri Veslit dhe Rexhep Selimit.

Bastisjet e tyre zgjatën pothuajse tërë ditën dhe përfundimi i tyre mbylli edhe javën e aksioneve të EULEX-it në Kosovë.

Katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake u paraburgosën në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Kjo nuk ishte e tërë, në mbrëmjen e së premtes u bë publike për herë të parë aktakuza e ngritur kundër tyre.

E para që binte në sy në këtë aktakuzë ishte akuza për themelimin e një ‘ndërmarrje të përbashkët kriminale e cila kishte për qëllim vrasjen, persekutimin, torturimin dhe arrestimin e kundërshtareve dhe personave të cilët nuk i bindeshin UÇK-së’.

Përpos emrave të katër ish krerëve të UÇK-së, në aktakuzë përmenden edhe emrat e anëtarëve të tjerë që mbanin pozita të larta në Ushtrinë Çlirimtare, si: Fatmir Limaj, Azem Syla, Sylejman Selimi, Latif Gashi, Rrustem Mustafa, Lahi Brahimaj, Shukri Buja dhe Sabit Geci.

Çka përmban aktakuza?

Aktakuza e publikuar në mbrëmjen e gjashtë nëntorit akuzoi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin se kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit gjatë viteve 1998 dhe 1999.

Katër ish krerët e UÇK-së akuzohen se gjatë kësaj periudhe kishin ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Sipas Pprokurorit Xhek Smith, Thaçi, Selimi, Krasniqi dhe Veseli kanë qenë në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Sipas prokurorisë krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike dhe veprimeve në terren, frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Vrasjet për të cilat akuzohen ish udhëheqësit e UÇK -së

Pjesë e aktakuzës 68 faqeshe të Prokurorisë janë pretendimet për vrasje të paligjshme nga pjesëtarët e UÇK -së.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas prokurorisë ato janë kryer në Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleçkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima të tjera të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushinik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje dhjetë netë rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza tutje pretendon se pas një ofensive serbe, forcat e UÇK-së në Llapushink kishin arrestuar afërsisht 30 persona, disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për gjashtë vrasje të kryera në Drenoc të Rahovecit. Sipas prokurorisë gjashtë burra ishin arrestuar, rrahur dhe vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë më kurrë.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës në korrik të vitit 1998 një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civil ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së e më pas ishin qëlluar dhe vrarë.

Prokuroria e Specializuar në këtë aktakuzë nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe qendrën e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion sipas prokurorit të specializuar gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga anëtaret e UÇK-së.

Një tjetër person sipas prokurorit të specializuar kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec, ata sipas aktakuzës ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre, ndërsa nuk ishin parë më kurrë.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e përmendura më lartë sipas prokurorit të Specializuar është përgjegjësia komanduese.

Paraqitja e parë e krerëve të UÇK -së në Gjykatën Speciale

Me gjykatën Speciale nisi edhe java e dytë e nëntorit. Këtë ditë ishin përcaktuar paraqitjet e para të dy ish themeluesve të UÇK-së, Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit.

I pari i cili u ul në bankën e të akuzuarit për t`u përballur me këto akuza ishte ish zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi.

Krasniqi u shfaqë i emocionuar në Gjykatë dhe përpos që u deklarua i pafajshëm u kujdes që të “akuzonte” Dhomat e Specializuara për trajtim jo të mirë ndaj tij.

Një nga deklaratat e para të Krasniqit në Gjykatë ishte se kurrë në jetën e tij nuk e kishte trajtuar dikë më keq se sa po e trajton tani Gjykata Speciale atë.

“Unë dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit kaq keq, sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut në këtë ndërtesë, kurrë në jetën time s’kam trajtuar njerëz në këtë mënyrë”, tha Krasniqi.

Ai gjatë seancës deklaroi edhe se UÇK -ja nuk mund të quhet ndërmarrje e përbashkët kriminale pasi ndërmarrje e tillë është Serbia.

“Cilësimi i Prokurorit se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua dhe kombin tonë nuk ka diçka ma fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira u vumë në shërbim të lirisë dhe shtet ndërtimit të cilat i arritëm me SHBA, NATO-n dhe OKB, dhe të gjithë së bashku jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtete formuese, ndërsa ndërmarrje e përbashkët kriminale janë jo vetëm serbët por edhe mbështetësit e politikave të Beogradit”, tha Krasniqi.

Më pak fjalë se Krasniqi para Gjykatës pati ish Presidenti i Kosovës dhe ish themeluesi i UÇK -së Hashim Thaçi.

Thaçi nuk tha asgjë tjetër përpos deklarimit se është i pafajshëm ndërsa gjatë seancës së tij vëmendjen e mori avokati i tij, i cili shfaqi kritikat për Prokurorët dhe i pyeti se pse nuk janë pjesë e aktakuzës edhe pretendimet për trafikim organesh.

“Ku janë këto pretendimet për vjedhjen e organeve njerëzore dhe historia e Shtëpisë së Verdhë që sepse këto ishin shumë të rëndësishme në lidhje me krijimin e kësaj gjykate”, tha avokati.

Në fund ai i kërkoi gjykatësit që të mos ia lidhnin duart ish-presidentit, pasi kështu po dëmtonin imazhin e tij. Mirëpo, kërkesa e avokatit u refuzua pasi sipas gjykatës rregullat janë të njëjta për të gjithë.

Me seancën për ish presidentin u mbyllë dita e hënë në Gjykatën Speciale për të rifilluar punën të nesërmen me paraqitjen e ish shefit të shërbimit informativ të Kosovës, Kadri Veselin.

Në orën 15:00 të së martës kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli u paraqit në Gjykatë.

Edhe Veseli sikurse Thaçi nuk komentuan akuzën dhe nuk u lëshuan në deklarata. Sikurse dy ish udhëheqësit që paraprakisht ishin paraqitur në Gjykatë edhe ish shefi i SHIK-ut u deklarua e pafajshëm në Gjykatë.

Madje përmes avokatit të tij Emmerson, Veseli i bëri thirrje popullit të Kosovës që të mos kenë mëri për ndërkombëtarët pasi ata po kryejnë punën të cilën ua ka kërkuar Kuvendi i Kosovës.

“I kërkojmë që të gjitha seksionet e shoqërisë sonë t’i përgjigjen kësaj gjykate me qetësi dhe dinjitet, me besim dhe dijeni, se gjykatësi do të japë vendimin e drejtë në fund. Ju lutem mbajeni në mend që kjo gjykatë megjithëse është në Hagë kjo gjykatë është pjesë e ligjit tonë nuk duhet të kemi asnjë lloj mërie ndaj ndërkombëtareve këta po bëjnë atë që ne kemi kërkuar ta bëjnë”, thuhet në letrën e shkruar nga Veseli, e lexuar nga avokati Emerson.

I fundit që u paraqit para Dhomave të Specializuara nga katërshja e UÇK -së ishte Rexhep Selimi.

Selimi përpos që u deklarua i pafajshëm mbajti edhe një fjalim të shkurtër nga banka e të akuzuarit.

Ai tha se aktakuza e ngritur kundër tij dhe bashkëluftëtarëve të tij ishte e padrejtë dhe e rëndë për të dhe popullin e Kosovës.

“E pash aktakuzën e ngritur, ishte e rëndë, voluminoze dhe shumë e padrejtë, e pasaktë, e padrejtë ndaj meje dhe popullit”, tha Selimi

Në fund ish bashkëthemeluesi i UÇK-së deklaroi se e ka luftuar Serbinë okupatore e cila i ka sjellë të këqija Kosovës.

“Po unë kam luftuar kundër Serbisë okupatore, kundër asaj Serbie që veç të këqija i ka sjellë vendit tim, vrasje, spastrim etnik dhe gjenocid, unë e kam bërë vetëm detyrën time si qytetar i vendit tim, unë jam veç një çlirimtar që luftën për liri e kam nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin (Wesley) Clark dhe me NATO-n”, tha Selimi.

Historiku i Gjykatës Speciale

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër ishte Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi. Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.