Dezinformatat që shkaktuan panik dhe ngritje të çmimeve
Shkruar nga Artina Muçiqi
Kosova po përballet me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazë, në të cilët shpenzohen pjesa më e madhe të hyrave të familjeve kosovare, siç janë: vaji, buka, sheqeri, qumështi e nafta dhe energjia elektrike.
Përveç luftës në Ukrainë që shkaktoi rritje të çmimeve në Europë, në Kosovë rritja e çmimeve dhe sidomos paniku për mungesë të disa prej këtyre produkteve është shkaktuar edhe nga raportimet e pa-sakta të mediave dhe dezinformatat e publikuara nëpër rrjetet sociale.
Pas fillimit të luftës në Ukrainë, në Kosovë filloi raportimi nëpër media se do të ketë mungesë të vajit në tregun e Kosovës. Më pas u raportua se mund të ketë mungesë të naftës dhe bukës. Këto raportime ndikuan që qytetarët t’ia mësyjnë marketeve dhe t’i zbrazin raftet e këtyre produkteve për të cilat u raportua që mund të ketë mungesë në treg. Me rritjen e kërkesës për këto produkte, filluan edhe rritjet e çmimeve përkundër faktit që rritja e çmimit të mallrave të importuara ishte shumë më e ultë.
Një prej produkteve që kishte rritjen më të madhe të çmimeve ishte nafta. Në javën e parë të marsit çmimet mesatare të naftës nga 1,37 euro, kurse për një kohë shumë të shkurt çmimi mbërriti në rreth 1.80 euro për litër.
Rritja e çmimeve u paralajmërua nga pronarë biznesesh, deklaratat e të cilëve u publikuan në media pa ndonjë verifikim në formë të pavarur nga gazetarët apo institucionet relevante. Për më tepër, vetë autorët e atyre deklaratave thanë që janë nxjerr nga konteksti.
I tillë ishte rasti me deklaratën e drejtorit të Petrol Company, një prej kompanive më të mëdha të derivateve në Kosovë, Shkëlzen Jusaj. Nëpër portale u publikua lajmi më 8 mars 2022 se në një emision televiziv Jusaj ka deklaruar se “brenda pak ditësh, çmimi për një litër naftë mund të shkojë në 3,5 euro”. Ky titull u publikua në 29 mediume të ndryshme online, ndërsa në tekst nuk ofrohet asnjë e dhënë zyrtare nga ndonjë institucion kredibil që e mbështet këtë parashikim, por as nuk janë publikuar shpjegimet që kishte dhënë ai për këtë parashikim.
Të pyetur se ku është bazuar pronari i tyre për të dhënë një deklaratë të tillë, nga Petrol Company thonë se “deklarata e Jusajt dhe titujt e portaleve janë nxjerrë nga konteksti’.
“Atë ditë SHBA-të dhe Anglia i kishin vënë sanksione naftës ruse, dhe në debat është parashtruar pyetja çfarë do të ndodhte nëse edhe BE do të kishte sanksione për naftën ruse? Përgjigja ka qenë, se ekspertët ndërkombëtarë kanë sqaruar, se nëse edhe BE i qet sanksione naftës ruse, dhe në botë nuk do të shtohej prodhimi i naftës, Bareli do të mbërrinte në 300 USD. Që në pyetjen e moderatorit se sa kishte pas me qenë në këtë rast nafta në Kosovë, përgjigja ishte rreth 3,50 Euro”, thuhet në sqarimin e tyre.
Megjithatë, kompani nuk e mohoi deklaratën e dhënë, ashtu siç nuk mohoi panikun që u krijua nga një deklaratë e tillë. Thonë se të nesërmen dolën me një sqarim në rrjetet sociale të kompanisë, ku kërkuan nga klientët që të rrinë të qetë, meqë do të ketë stabilizim të çmimeve.
Ndërkohë, sipas Organizatës së Përhershme Ndërqeveritare, OPEC, e cila ka nën ombrellë e saj 13 vendet me eksportin më të madh të naftës në botë, që koordinojnë dhe unifikojnë politikat e naftës, çmimet do të shënonin rënie nga data 9 mars, 2022, gjë që edhe ndodhi. Ndërkohë, më 11 mars 2022, në Kosovë nafta shitej me një çmim prej 1,52 cent krahasuar me çmimin prej 1,82 cent të para disa ditësh. Shih grafikët me krahasimet e bëra në OPEC për datat nga 9 mars 2022 deri më 18 mars 2022:
Të dhënat e Doganës thonë se Kosova nuk importon fare naftë nga Ukraina, derisa Federata Ruse nuk luan ndonjë rol përcaktues, meqë rangohet e 12-ta në listën e 14 vendeve nga të cilat është importuar naftë që nga fillimi i vitit 2022.
Sipas këtyre të dhënave, Kosova importon më së shumti naftë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Shqipëria, Austria, Bullgaria, Spanja, Greqia, Izraeli, Itali, Maroko, Maqedonia e Veriut, Malta, Arabia Saudite dhe Turqia.
Për periudhën janar – prill 2022, Kosova ka importuar mbi 204 milionë litra naftë në vlerë mbi 152 milionë euro. Këto shifra tregojnë se vendi nuk po përballej me mungesë nafte, nëse krahasohen me statistikat totale të vitit 2021, ku në tërësi ishin importuar 728 milionë litra naftë, vlera e të cilave arrinte mbi 320 milionë euro.
Të pyetur se a ka pasur dyshime për kurdisje të çmimit të naftës apo marrëveshje mes kompanive që importojnë naftë, nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kanë përmendur vendimin e Qeverisë së Kosovës për përcaktimin e çmimeve/marzhës shitëse me shumicë dhe pakicë me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.
Ndërsa, së fundmi Qeveria e Kosovës e ka miratuar një udhëzim Administrativë që i mundëson Ministrisë së Tregtisë që në baza ditore të caktojë çmimin tavan të naftës për 24 orë. Për herë të parë, çmimi i naftës është caktuar me datë 27 qershor. Çmimi tavan i caktuar me datë 27 qershor ishte për 5 cent më i ultë se sa çmimi i naftës një ditë më parë.
Caktimi i çmimit tavan është bërë bazuar në Udhëzimin Administrativ dhe Ligji Nr. 03/L-138 për Tregtinë me naftë dhe derivate të naftës, i cili thotë se Qeveria e Republikës së Kosovës, në propozim te Ministrit të MTI-së, mund të ndërhyjë në rastet e çrregullimit në tregun e brendshëm, përfshirë lëvizjet e mëdha të çmimit të naftës dhe derivateve të saj në tregun botëror dhe mospërshtatjen e çmimeve vendore me lëvizje të tilla.
Tutje, ky Nen thotë se Qeveria mundet, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve apo eliminimit të çrregullimeve në treg, të përcaktojë çmimet shitëse maksimale (minimale) me shumicë dhe pakicë, të përcaktojë marzhat tregtare maksimale për shitje me shumicë dhe pakicë, si dhe të ndërmarrë masa të tjera në përputhje me ligj.
Në kohë të tillë krizash, rol të rëndësishëm në informimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve luajnë mediat. Por, shumë nga to në momente të tilla vihen në shërbim të bizneseve, duke devijuar kështu nga qëllimi parësor që është informimi.
Profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, njëherit studiuesi i mediave, Alban Zeneli, i ka parë me shqetësim raportet media – biznes dhe zhvillimet e muajve të fundit.
“Shumica e kompanive që shesin naftë në Kosovë janë edhe reklamues të mëdhenj në media. Normalisht që ndikojnë që përfitimi i tyre të mos tematizohet në media. Pa marrë parasysh këtë, çmimet aktuale të naftë ua japin një epitet këtyre kompanive e këtyre tregtarëve ‘profiter të luftës’ së Ukrainës, ndoshta më të mëdhenjtë në Kosovë”, kishte shkruar ai.
Në përgjigjen e tij, Zeneli përmend faktin se si shumica e mediave në Kosovë nuk e kanë një hallkë mbrojtëse nga reklamuesit në përmbajtjet mediale.
“Kjo ndikon në rritjen e ndikimit që kanë bizneset reklamuese në përcaktimin se çfarë paraqet lajm dhe çfarë është interes i publikut për tu trajtuar”, shton ai.
Për të parë raportet që bizneset mund të kenë me media dhe sa ndikojnë të tillat në raportim, janë kontaktuar 5 kompani të derivateve, ndër më të mëdhatë në tregun e Kosovës, si: Petrol Company, HIB Petrol, IP Petrol, EXFIS Petrol dhe Shell Kosova.
Përveç Petrol Company, të tjerat nuk u janë përgjigjur pyetjeve të dërguara.
“Mënyra se si kanë raportuar disa portale dhe media, ka qenë jo adekuate dhe ndoshta tendencioze, sidomos edhe abuzimi me emra të kompanive të caktuara, ndoshta tendencë për t’i shtyrë për marketing”, thuhet ndër të tjerash në përgjigjen e tyre.
Nga kjo kompani nuk kanë treguar se sa investojnë për marketing në media, por kanë listuar 29 mediume të ndryshme, me të cilat kanë marrëveshje aktualisht, përfshirë televizione, radio dhe media online. Në një pjesë të konsiderueshme të këtyre mediave, artikujt nuk përmbajnë klauzolën se janë të sponsorizuar.
Nga hulumtimi i bërë në kuadër të këtij artikull, rezulton se katër nga mediat online me të cilat ka bashkëpunim kjo kompani i kanë paralajmëruar si të sponsorizuar artikujt e publikuar. Këto media janë: Kallxo.com, Gazeta Express, Telegrafi dhe Paparaci.
Në mediat e tjera si: IndeksOnline, InFokus, Gazeta Blic, Front Online, Zeri, Epoka e Re, Ballkani Info, Insajderi dhe Periskopi ishte publikuar artikulli i njëjtë, por nuk ishte shkruar nëse i njëjti ishte i sponsorizuar dhe për rrjedhojë nuk dihet nëse për publikimin e këtij artikulli ato kanë marrë para për reklamim.
Në median tjera janë gjetur disa artikuj për këtë kompani, si: Petrol Company filloi të ndërtojë pikë karburanti në qendër të Prishtinës, pa pasur fare leje ndërtimi; dhe 83 mijë euro nga Qeveria Hoti i përfitoi edhe kompania e biznesmenit të afërt me AAK-në. Në të njëjtën media më vonë janë publikuar artikuj të sponsorizuar të kësaj kompanie, duke u vendosur edhe klauzolën.
Në një përgjigje KMShK ka thënë se kanë trajtuar ankesa për shkrime që nuk i njoftojnë si të sponsorizuar, që ka të bëjë me shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara, kapitulli XII (reklamat dhe sponsorizimi).
“Gjatë vitit 2022 nuk e kemi pasur asnjë ankesë të tillë. Por në vitet paraprake ka qenë një projekt i Organizatës Çohu, që i ka monitoru disa media online dhe ata kanë dërguar ankesa në KMShK edhe për pretendime të shkeljes së Kodit të Mediave për reklama dhe sponzorizim”, thuhet në përgjigjen e KMShK-së.
Administrata Tatimore e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje kur janë pyetur nëse kompanitë e naftës i deklarojnë shpenzimet që i bëjnë për reklama dhe artikuj të sponsorizuara në media.
Zëdhënësja e këtij institucioni, Valentina Bytyqi Sefa, ka kërkuar që për këtë pyetje dhe atë se cilat kompani janë importueset më të mëdha të naftës në Kosovë, t’i adresohen vetëm Doganës së Kosovës.
Raportet media – biznese dhe ndikimin në raportim me shqetësim i ka parë edhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, një trup vetërregullues i formuar për dhe nga sektori i mediave të shkruara.
“Rastet e tilla dëmtojnë profesionalizmin e mediave”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.
Nga ky Këshill kanë bërë të ditur se raportimi i të vërtetës, i cili është pjesë e Kapitullit II të Kodit të Mediave është një nga më të shkelurit, bazuar në 43 ankesat e shqyrtuara që nga fillimi i vitit 2022 e deri më tani.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani thotë të mos kenë informata se kush kë e financon, kur është pyetur për financimin e mediave nga naftëtarët.
“Investimet në marketing janë punë personale të kompanive”, tha Berjani.
Si ranë mediat pre e mashtrimeve të bizneseve për ngritjen e çmimit të vajit?
Muajve të fundit në Kosovë, përveç naftës, çmimet u rriten dukshëm edhe për produkte si vaji, mielli, qumështi, sheqeri e të tjera.
Gjatë muajit mars, një shishe vaj në marketet e Kosovës u shit deri në 3,49 euro.
Kjo bëri që të reagonte Inspektorati i Tregut, i cili mbylli dy depo të operatorëve ekonomikë dhe shqiptoi 20 gjoba për bizneset. Inspektorati shqiptoi gjoba ndaj marketeve që abuzuan me çmime, por edhe e konfiskoi vajin që ishte në depo pasi raftet e marketeve tek vaji ishin lënë të zbrazëta.
Njëra nga marketet që e kishte shtrenjtuar vajin, doli me një njoftim publik, për kinse ‘subvencionim” të vajit për konsumatorët, duke e ofruar atë në treg me një çmim prej 1.95 euro.
Këtë gjë, disa media e raportuan si veprim për t’u duartrokitur, duke mos ofruar një pasqyrë më kritike të asaj që u cilësua si “mashtrim me çmime”. Ky lajm as nuk u paralajmërua si i sponsorizuar madje në media të ndryshme.
Ngjashëm si në raportimet për çmimet e naftës, mediat nuk ofruan verifikim të informacioneve as për ngritjen e çmimeve të vajit.
Pasqyra e vetme ishin disa fotografi nga raftet, shpeshherë të zbrazura të marketeve, me çmimet e ekspozuara.
Pra, edhe mediat ranë pre e mashtrimeve të bizneseve të ndryshme në Kosovë, të cilat përveç çmimeve, raportuan edhe paralajmërimet e bizneseve për sasi të kufizuar të vajit.
Abuzimet me çmime të vajit i konfirmoi edhe Dogana e Kosovës, sipas të cilëve, vaji më i shtrenjtë i importuar në Kosovë kushtoi 1,45 euro, por u shit deri në 3,49 euro.
Në media pati raportime të shumta edhe për çështjen e çmimeve të vajit. Madje, nëpër faqe të ndryshme të internetit, vërtetësia të cilave vihet në dyshim, u fillua të arsyetohej çmimi deri ne 3,50 euro për një shishe vaj.
Se në Kosovë u mashtrua me çmimet e vajit brenda natës, u konfirmua edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, menjëherë atë ditë [10 mars, 2022].
Madje nga një fabrikë në Gjilan, e cila në stok kishte 300 mijë litra vaj të papërpunuar, Kurti tha se janë të pavërteta pretendimet se ka mungesë vaji.
Përveç kësaj, kallxo.com ishte media e vetme, e cila me anë të një artikulli ofroi tek publiku një aspekt tjetër të situatës kaotike me çmime. Në aspektin legjislativ, paralajmërimi i rrejshëm i rritjes së çmimeve është vepër penale që dënohet me burg.
Raportime tendencioze dhe të paverifikuara, të cilat nxisin panikë tek konsumatorët pati edhe për çmimet e produktit të bukës.
Nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kanë bërë të ditur se ka filluar monitorimin dhe shqyrtimin paraprak për dy vitet e fundit [2020 – 2021] për produktet e shportës ushqimore si mielli, gruri, vaji e sheqeri për të kuptuar transparencën, pjesëmarrësit e tregut dhe shkallën e përqendrimit të tregjeve.
Megjithatë, Drejtori i Departamentit për Mbikëqyrje të Tregut në AKK, Bekim Mullaku, konsideron se Federata Ruse dhe Ukraina janë “lojtarë të fortë global në tregjet e agrikulturës”.
“Së bashku përfaqësojnë 53% të tregut global të vajit dhe farave të lulediellit dhe 27% të tregut global të grurit. Impakti i këtij konflikti parashikohet të ndryshojë midis rajoneve. OECD parashikon që ekonomitë evropiane do të jenë më të goditurat për shkak të afërsisë së tyre dhe lidhjeve më të ngushta ekonomike me Ukrainën dhe Federatën Ruse”, deklaroi ai.
Pavarësisht fakteve të tilla, të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë 2022-ës Kosova nuk ka importuar fare vaj ushqimor nga Ukraina apo Rusia. Më së shumti vaj është importuar nga Sllovenia, Turqia dhe Serbia.
E njëjta gjë vlen edhe për sheqerin, ku Kosova importon më së shumti këtë produkt nga Polonia dhe Serbia, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës.
Kosova është në krizë të rritje së çmimeve të produkteve ekzistenciale tash e disa muaj, me theks të veçantë rritja e çmimit të vajit, naftës, bukës e mishit. Shkalla i inflacionit ishte 12:7% në muajin maj të vitit 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprakë. Në këtë inflacion ndikim kryesor kishin disa prej produkteve bazë dhe në të cilët shpenzohen pjesa më e madhe të hyrave të familjeve kosovare. Në muajin maj të vitit 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprakë çmimi i bukës dhe drithërave u rrit për 27,0%, çmimi i mishit u rrit për 18,1%, qumështi, djathi dhe vezët u shtrenjtuan për 22,5%, vajrat dhe yndyrat ushqimore për 54,3%. Ndërsa çmimi i karburanteve dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal u rritën për 45,3%.
Këto rritje të çmimeve përveç rasteve kur rritja është artificiale, erdhi edhe për pasojë të luftës në Ukrainë.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i verifikimit të fakteve për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Kosovë”. Programi realizohet nga BIRN me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Mendimet, gjetjet dhe konkluzionet e paraqitura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.