Politikanët - viktima dhe shpërndarës të informacioneve të rreme

Shkruar nga Ardiana Thaçi

Krerët e institucioneve të shtetit, deputet e liderë të partive politike përvec faktit që kanë dhënë deklarata të rreme kanë qenë edhe viktima të lajmeve të rreme.

Në rastet kur politikanë opinionin e tyre e bazojnë në fakte të rreme bën që edhe mediat të shpërndajnë të njëjtat informacione në pamundësi që t’i verifikojnë ato në rastet kur lajmi është në zhvillim.

Ka shumë raste kur politikanët bazohen në informacione të rreme, apo kur në emër të tyre shpërndahen informacione të pa-saktë që përfundojnë në ballinat e mediave. Por, në të dy rastet janë qytetarët që konsumojnë një informacion të rremë.

Glauk Konjufca, fans i Immanuel Kantit dhe twitter i rremë

Një rast i tillë ka ndodh me 13 shkurt 2020, kur dhjetëra portale në vend kishin vendosur në ballinën e tyre lajmin me titull: “Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, mori vendimin që të reduktojë stafin e nëpunësve të ambasadave dhe konsullatave”.

Lajmi u mor si i mirëqenë nga mediat, pasi burimi ishte një cicërimë që mendohej se ishte shkruar nga kryediplomati kosovar në twitter.

Llogaria që ishte hapur po atë muaj kishte vetëm 173 ndjekës, ishte me emrin Glauk Konjufca Official dhe në biografinë e saj shkruante se Konjufca ishte fans i Immanuel Kantit.

Por pak minuta pas kësaj, kryeprotagonisti i lajmit e demantoi atë. Atëkohë ministër i Punëve të Jashtëm, Konjufca, në një tjetër rrjet social, në facebook, tha se nuk kishte ende një llogari zyrtare në twitter.

“Të dashur qytetarë, dua t’ju njoftoj se unë nuk kam llogari në twitter, as personale dhe as zyrtare. I lus mediat dhe përdoruesit e rrjeteve sociale ta shpërndajnë këtë njoftim dhe të ndihmojnë që publiku i gjerë të mos bjerë pre e profileve të rrejshme, të cilat hapen me qëllime të panjohura,” do të shkruante Konjufca në facebook më 13 prill 2020.

Menjëherë pas kësaj, mediat e fshinë lajmin dhe sot në internet nuk gjendet asnjë gjurmë e këtij lajmi, duke përjashtuar ato të demantimit, që ende janë aktive në të gjitha portalet vendore.

Rrena e njohjes nga Xhamajka vs Hashim Thaçi

Një javë pas skandalit rreth lajmit që erdhi nga llogaria e rreme e Konjufcës në twitter, presidenti i shtetit, Hashim Thaçi, do të cicëronte për një lajm të madh. Ngutja e tij për të dhënë lajmin, para se këtë ta bënte zyrtarisht shefi i diplomacisë, që atëkohë ishte Glauk Konjufca, e shtyu atë që më 20 shkurt të vitit 2020, të njoftonte se shteti i Xhamajkës e ka njohur Pavarësinë e Kosovës.

Ani pse nuk e kishte parë notën verbale nga ky shtet, Thaçi do të shkruante se ka marrë konfirmimin nga ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

Madje ai ishte ngutur që edhe meritat për këtë njohje t’ia atribuonte kongresmenit amerikan Eliot Engel, për të cilin kishte thënë se kishte bërë një punë të palodhshme.

Dhe normalisht, në këtë kohë kur cicërimat dhe statuset kishin zëvendësuar konferencat për shtyp, të gjitha mediat, pa përjashtim, e publikuan lajmin.

Nuk vonuan shumë as urimet dhe falënderimet nga kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, Konjufca, madje uroi edhe Osmani, që atëkohë ishte në krye të parlamentit. Por lajmi doli i pasaktë, vetëm 14 orë pas kumtit, ai u demantua nga shteti i Xhamajkës në të njëjtën formë, përmes twitterit.

Ministrja e Jashtme e Xhamajkës, Kamina Smith, do të shkruante se vendi i saj deri në këtë moment nuk e kishte njohur Kosovën.

Ramush Haradinaj, mik imagjinar i Petro Poroshenkos

Një vit para kësaj, saktësisht më 19 mars të vitit 2019, atëkohë kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj do të binte pre e një telefonate të rreme nga dy komedianë rusë, që do t’i prezantoheshin si presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Duke qenë i painformuar për situatën politike në Ukrainë, pak minuta pas telefonatës, diku rreth orës 20 të së enjtes së 19 marsit, ish-kryeministri Haradinaj do të shfaqej entuziast në cicërimën në twitter, duke lajmëruar për telefonatën e mikut ukrainas.

Pa qenë i vetëdijshëm se kishte folur me komedianët Vladimir Kusnezov dhe Aleksej Stoljarov. Haradinaj shkroi se e përkrah ‘mikun e tij’, Petro Poroshenkon, në zgjedhjet presidenciale dhe se kryeministrit të ardhshëm, Vovan Lexusov, i dëshiron të gjitha të mirat dhe fitore për ta udhëhequr Ukrainën.

Lajmi mori dhenë, të gjitha mediat edhe ato që konsiderohen tradicionale, e plasuan lajmin. Por as gazetarët e as Haradinaj nuk konfirmuan nëse emri i pretendentit për kryeministër ‘Vovan Lexusov’ ishte real, që në fakt doli se ishte i rremë, respektivisht ishte kombinim i emrave të dy komedianëve Vovan dhe Lexus.

Brovina kurthoi mediat me fakte të rreme për dhunimet serbe në Kosovë

Ende pa u harruar kurthi që ish-kryeministrit Haradinaj ia bënë ruset, një tjetër figurë publike u bë pre dhe qendër e përhapjes së një tjetër lajmi të rremë.

Deputetja Flora Brovina, në majin e vitit 2019, vuri në lajthitje gjithë mediat dhe shoqërinë kosovare kur në hollin e Kuvendit të Kosovës prezantoi një fotografi me gjoja dëshminë e dhunimit të një gruaje kosovare nga tre policë serbë.

Brovina do të deklaronte se fotografia ishte marrë nga një aparat që i kishte rënë një ushtari, ndërsa thoshte se gruaja që u dhunua është ende gjallë.

Në pamje shihet një ushtar që kryente aktin dhe dy të tjerë që e mbanin, ndërsa pas saj shihen persona me duar të lidhura dhe në gjunjë dhe një person tjetër i vrarë.

Mediat dhe gjithë skena politike dhe shoqëria civile ranë në kurthin e fotografisë, e cila orë më vonë u vërtetua se u mor nga një faqe pornografike në internet.

Xhemajl Rexha: Gazetarët të verifikojnë secilin postim të politikanëve

Megjithëse një nga detyrat e gazetarëve është prezantimi i atyre që politikanët thonë, sipas kreut të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, gazetarët duhet të verifikojnë secilin informacion që e transmetojnë, pa përjashtuar edhe ato që vinë nga politikanët.

“Gazetarët duhet të verifikojnë secilin postim të politikanëve. Secili postim duhet të vihet në pikëpyetje para se të botohet. Publikimi i menjëhershëm, edhe pse i atribuohet me emër një politikani, shpesh mund të bartë në vete informacione të pavërteta,” ka thënë Rexha.

Ai ka përmendur edhe rastin e njohjes nga Xhamajka, e cila doli të ishte një lajm i rremë dhe u shpërnda nga i pari i vendit në shkurtin e vitit 2020.

“Shembull tipik për këtë është njohja që nuk ka ndodhur kurrë nga Xhamajka, e që ishte proklamuar nga ish-presidenti Thaçi. Gazetarët duhet të verifikojnë informacionet që politikanët postojnë në rrjetet sociale dhe qysh në postimin e parë të tregojnë, në bazë të informacioneve që marrin, nëse ajo çfarë është thënë qëndron ose është e gabueshme,” thekson kreu i AGK-së.

Sipas tij, trendi në rritje i politikanëve për të komunikuar me qytetarët, në mënyrë të njëanshme, pa u ballafaquar me median, po e dëmton të drejtën për të marrë informacionin e kompletuar dhe të verifikuar.

Gjysmë të vërtetat që e kategorizojnë lajmin si të rremë

Profesorit Hasan Saliu, i cili ligjëron mbi komunikimin masiv dhe atë publik, përmes “fake news” si fenomen i epokës sonë, politikanëve sot u mundësohet kjo hapësirë që edhe të prodhojnë lajme, ide, qëndrime në median e tyre sociale, ta redaktojnë vetë, ashtu siç duan e shpesh ta shmangin të vërtetën dhe ta shpërndajnë me mundësinë e shumëfishimit të kësaj shpërndarjeje nga mbështetësit e tyre.

“Me mediat sociale sot kemi individin-medium: gjithkush sot, me një llogari në media sociale, është një medium, është një gazetë (tekst), është një radio, është një TV. Dhe problemet që i kemi këtu janë: dikur në mediat tradicionale filtrimi bëhej nga disa njerëz, të kualifikuar e profesionistë (gazetarë, redaktorë), ndërsa sot një individ i vetëm, me filtrin e tij, mund të shpërndajë lajme gjysmë të vërteta apo të rreme krejtësisht. Fuqia e tij mund të jetë shumë herë më e madhe sesa p.sh. një media tradicionale,” thekson Saliu.

Shpeshherë lajmet karakterizohen si të pavërteta edhe nëse brenda tyre ka një burim apo histori të vërtetë. Kjo vjen për faktin e anashkalimit të verifikimit të tyre.

Sipas profesorit Saliu, lajmet e rreme sot konsiderohen një problem social dhe fenomen kryesisht i mediave sociale, që lulëzojnë nga polarizimi politik i nxitur nga motivime ideologjike, politike e financiare.

“E vërteta është çështje tjetër, që shpesh luajnë rol në perceptimin e së vërtetës edhe konsumimi i lajmeve të rreme apo gjysmë të vërteta. Ka një të vërtetë apo ka një pas të vërtetë (post-truth)? Është e mirë apo e keqe marrëveshja Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e Trumpit, që prek edhe menaxhimin e Ujmanit? Po pyete politikanët, gjysma do të thonë e mirë, gjysma tjetër e keqe. Po anketove publikun, e njëjta gjë. Varet si ua kanë mbushur mendjen politikanët, nëpërmjet mediave,“ shprehet Saliu.

Sidoqoftë, një nga lajmet gjysmë të vërteta, që u karakterizua si ‘fake news’, ishte ai për ndërprerjen e kontratës së William Walkerit nga Vjosa Osmani.

“Vjosa Osmani ia shkëput kontratën me presidencën William Walkerit”, ishte titulli i ballinës së një portali më 8 dhjetor të vitit 2020, i cili do të ripostohej në shumicën e mediave online ato ditë. Dy ditë më vonë, lajmi do të demantohej nga presidenca me pretendimin se fondacionit të Willam Walkerit nuk i ishte shkëputur kontrata, por ajo në fakt i kishte përfunduar.

Madje në një shkrim të gjatë në faqen zyrtare të, asokohe, ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, do të tregonte se kontratës do t’i përfundonte mandati po atë muaj. Ajo shfrytëzoi mosverifikimin e fakteve për ta kategorizuar lajmin si të rremë, me faktin se kontrata nuk ishte e nënshkruar me individin, por me fondacionin që udhëhiqej nga dy kosovarë.

E vërteta ishte se “Fondacioni William Walker” nuk do të kishte më bashkëpunim me presidencën, por që informacionet e paverifikuara e kategorizuan atë si lajmë të rremë.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i verifikimit të fakteve për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Kosovë”. Programi realizohet nga BIRN me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Mendimet, gjetjet dhe konkluzionet e paraqitura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.