Hashim Thaçi. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pesë vite më parë Hashim Thaçi u bë president

Më 26 shkurt të vitit 2016, mes protestave dhe gazit lotsjellës Kosova kishte arritur të zgjidhte presidentin e ri të vendit, Hashim Thaçin.

Sot bëhen 5 vite prej kur Thaçi ishte zgjedhur në krye të shtetit, mandat të cilin nuk e çoi deri në fund për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerizimit në nëntor të vitit të kaluar nga Gjykata Speciale.

Nga ajo kohë, kjo pozitë udhëhiqet nga ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani.

Mirëpo, kjo nuk është herë e parë, që Thaçi nuk arriti ta përfundoj mandatin, dy herë si kryeministër dhe një herë si ministër i Punëve të Jashtme, Thaçi ishte ndalur në gjysmë të rrugës.

Dita e zgjedhjes së Thaçit si president 5 vite më parë mbahet mend si një ditë me shumë tensione.

Ai nuk kishte arritur të zgjedhej president me kushtin e parë të Kushtetutës, që kërkon 2/3 e deputetëve në dy raundet e para të votimit. Dy herë provoi, dështoi, derisa në rastin e tretë kur nevojitej vetëm një shumicë e thjeshtë, Hashim Thaçi arriti të sigurojë 71 vota.

E për sigurimin e këtyre votave, ishte angazhuar kreu i LDK-së Isa Mustafa, i cili në atë kohë ishte kryeministër i vendit i cili deputetëve të partisë së tij i shkonte tek ulësja për t`i bindur që ta votonin Thaçin si president të vendit.

Përderisa Mustafa endej nga ulësja në ulëse, xhamat e ndërtesës së Kuvendit thyheshin nga breshëria e gurëve të protestuesve të cilët kishin thyer kordonin e Policisë së Kosovës.

E brenda po të njëjtës sallë, Lëvizja Vetëvendosje, ishte përkujdesur që të protestonte brenda seancës duke hedhur gazë lotsjellës për të mos lejuar mbajtjen e seancës  solemne, ku do votohej për president.

Thaçi kishte filluar mandatin e tij më 7 prill, kur edhe kishte bërë betimin në Kuvendin e Kosovës.

Studenti i “Historisë” dhe rrugëtimi i tij në të

Historia politike e Hashim Thaçit është padyshim e lidhur edhe me historinë  e vet Kosovës.

Studenti i historisë nga fshati Burojë e Skenderajt, ka qenë një ndër figurat kryesore të Kosovës së luftës, pasluftës dhe pas pavarësisë.

Karriera politike e Thaçit filloi me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit mbylli institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe.

Mirëpo në vitin 1993, Thaçi u largua nga Kosova për të marrë azil politik në Zvicër, ku u bë anëtar themelues i organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nga viti 1997, sipas biografisë së publikuar në faqen zyrtare të presidencës, Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga kjo pozitë, ish-presidenti, kishte kryesuar delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambuje, nga 6 deri më 22 shkurt 1999.

Pas luftës, në kohën kur Kosova po administrohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000.

Ishte fundi i vitit 1999, ai u zgjodh kryetar i Partisë së re për Progres Demokratik, më vonë morri emrin Partia Demokratike e Kosovës,(PDK), e këtë pozitë e ka mbajtur deri mbajti 26 shkurt 2016.

Vitet 2005-2007 Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit që përfaqësoi Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, që negocioi statusin politik të Kosovës.

Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, duke shpallur kështu më 17 shkurt 2008 Kosovën shtet të pavarur.

Specialja dhe ‘mëdyshjet’ e Thaçit

Hashim Thaçi nuk arriti të çojë deri në fund mandatin e presidentit, pasi më 5 nëntor u arrestua dhe u transferua në Hagë, me urdhër të Gjykatës Speciale pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, ku edhe ende është duke vazhduar procesi gjyqësor.

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 pas pretendimeve të raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Marty në vitin 2010, në lidhje me krimet e pretenduara të kryera nga anëtarët e UÇK-së.

Thaçi si president i vendit e kishte mbështetur zëshëm krijimin e kësaj Gjykate.

Mirëpo përpjekjet e para për zhbërjen e saj kishin filluar në dhjetor të vitit 2017.

Më 22 dhjetor 2017, Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar për herë të dytë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Nata e 22 dhjetorit, ishte konsideruar si “nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”.

Më 6 mars 2020 Radio Evropa e Lirë kishte publikuar disa letra që tregonin tentativën e presidentit për të penguar punën e Speciales.

Komunikimi ishte bërë në nëntor të vitit të kaluar, në të cilat, Thaçi i kishte dërguar një letër Sekretarit të amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në të cilën Thaçi ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me Gjykatën në Hagë, duke shtuar që “Qeveria amerikane duhet urgjentisht të marrë parasysh që reformat kritike janë ndërmarrë para se gjërat të zhvillohen me tutje”.

“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe donatorët tjerë kanë ofruar mjete domethënëse për zhvillimin e kësaj infrastrukture fizike të Gjykatës në Hagë”, kishte shkruar Thaçi në letrën dërguar Sekretarit Pompeo.

Ndaj letrës së Thaçit, Pompeo është përgjigjur duke thënë që “heqja ose dëmtimi i strukturës së punës ose lokacionit të Dhomave të Veçanta ose Prokurorisë së Specializuar, në çfarëdo mënyre, do ta dëmtonin seriozisht kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.

E më 26 korrik të vitit të kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar një aktakuzë të pakonfirmuar në të cilin pretendohej se ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për afër 100 vrasje.

Madje, Prokurori i Specializuar e kishte konsideruar të domosdoshme nxjerrjen e njoftimit publik për akuzat, për shkak të “përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Përveç Thaçit, Gjykata Speciale ka ngritur aktakuza edhe ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqt ndaj ish- deputetit të LVV-së, Rexhep Selimi, ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli.

 

 

Lufta, politika dhe gjyqi ndaj Hashim Thaçit