FOTO: Hashim Thaçi/Twitter

Lufta, politika dhe gjyqi ndaj Hashim Thaçit

Historia politike e presidentit tashmë të dorëhequr të Kosovës, Hashim Thaçi është padyshim e lidhur edhe me historinë  e vet Kosovës.

Studenti i historisë nga fshati Burojë e Skenderajt, ka qenë një ndër figurat kryesore të Kosovës së luftës, pasluftës dhe pavarësisë.

Sot pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte nga Gjykata Speciale, presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje duke e lënë kështu të papërfunduar mandatin e tij.

Mirëpo, kjo nuk është herë e parë, që Thaçi nuk arriti ta përfundoj mandatin, dy herë si kryeministër dhe një herë si ministër i Punëve të Jashtme, Thaçi ishte ndalur në gjysmë të rrugës.

Studenti i “Historisë” dhe rrugëtimi i tij në të

Karriera politike e Thaçit fillon me angazhimin e tij në Lëvizjen Popullore të Kosovës (LPK), lëvizje politike kjo që synonte emancipimin e pozitës së shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Si student në Universitetin e Prishtinës, Thaçi u bë lider i Lëvizjes Studentore në periudhën mes viteve 1990 dhe 1993, vite këto kur pushteti i Beogradit mbylli institucionet arsimore universitare në gjuhën shqipe.

Mirëpo në vitin 1993, Thaçi u largua nga Kosova për të marrë azil politik në Zvicër, ku u bë anëtar themelues i organizatës politiko-ushtarake, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Nga viti 1997, sipas biografisë së publikuar në faqen zyrtare të presidencës, Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga kjo pozitë, ish- presidenti, kishte kryesuar delegacionin e Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambuje të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999.

Pas luftës, në kohën kur Kosova po administrohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara, UNMIK, Hashim Thaçi ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nga 1999 – 2000.

Ishte fundi i vitit 1999, ai u zgjodh kryetar i Partisë së re për Progres Demokratik, më vonë morri emrin Partia Demokratike e Kosovës,(PDK), e këtë pozitë e ka mbajtur deri mbajti 26 shkurt 2016.

Vitet 2005-2007 Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit që përfaqësoi Kosovën në procesin negociator të udhëhequr nga Emisari Special i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, që negocioi statusin politik të Kosovës.

Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, duke shpallur kështu më 17 shkurt 2008 Kosovën shtet të pavarur.

Mandatet e lëna në ‘gjysmë’ të Hashim Thaçit

PDK-ja i fitoi zgjedhjet tre herë radhazi, në vitin 2007, 2010 dhe 2014. Thaçi shërbeu si kryeministër dy herë, midis vitit 2008 dhe 2010 dhe midis vitit 2011 dhe 2014.

Nga këto 3 fitore, dy herë Thaçi arriti të marrë pozitën e të parit të ekzekutivit. Edhe pozitën e ministrit të punëve të jashtme nuk e qoi deri në fund për shkak të kalimit në pozitën e presidentit, e këtë të fundit e la në gjysmë për shkak të konfirmimit të aktakuzës për krime ndaj njerëzimit nga Gjykata Speciale.

Hashim Thaçi u zgjodh kryeministër për herë të parë në 2007, përmes një koalicioni të madh me LDK-në.

Ky koalicion në atë kohë me Hashim Thaçin kryeministër, Jakup Krasniqin kryetar Kuvendi dhe Fatmir Sejdiun president të shtetit, i la në opozitë AKR-në, AAK-në dhe LDD-në.

Por Thaçi nuk arriti ta çojë mandatin deri në fund dhe në 2010 vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme.

Deri te zgjedhjet erdhi pasi që Fatmir Sejdiu kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të vendit për shkak të opinionit të Gjykatës Kushtetuese se presidenti nuk mund të ketë rol edhe në parti politike.

Zgjedhjet e 2010 e nxorën përsëri Hashim Thaçin dhe PDK-në të parën nga partitë politike në Kosovë me 32 deputetë, ndërsa LDK-në me 29.

Thaçi ishte bërë bashkë në 2010 me AKR-në e Behgjet Pacollit, të cilit ia premtoi postin e Presidentit. Por Pacolli e mbajti këtë post vetëm një muaj për shkak se në këtë rast ndërhyri Gjykata Kushtetuese, duke e cilësuar si jo kushtetuese mënyrën e zgjedhjes së tij në Kuvend.

Kjo pastaj solli një shtrëngim duarsh në mes të përfaqësuesve më të lartë politikë e ish-ambasadorit amerikan Christopher Dell, të cilët hapën zarfin e shumëfolur, prej së cilit Atifete Jahjaga u zgjodh presidente.

Ajo mbetet presidentja e vetme e pas pavarësisë që e çoi mandatin 5 vjeçar deri në fund.

Përveç AKR-së, Thaçi ishte bërë bashkë edhe me disa parti tjera të vogla dhe me listën Rugova që në atë kohë kishin garuar fillimisht në një listë të përbashkët me AAK-në.

Qeveria Thaçi II zgjati deri në 2014, para se Thaçi ta dërgonte personalisht vendin në zgjedhje, pasi që atij i kishte dështuar nisma për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Thaçi e kishte dërguar vendin në zgjedhje pak muaj para se atij t’i përfundonte mandati i plotë si kryeministër.

Në zgjedhjet e 2014 edhe pse PDK doli e para, Hashim Thaçit iu deshën mbi 6 muaj që ta thyejë bllokun opozitar që ishte krijuar ndaj tij. Fillimisht asnjë nga partitë tjera nuk pranonte të hynte në koalicion qeverisës më PDK-në. LDK, VV, AAK dhe Nisma kishin krijuar një bllok dhe njiheshin si VLAN.

Mirëpo pas 6 muajve, Hashim Thaçi e shkëputi L-në nga VLAN duke e marrë LDK-në në Qeveri dhe duke krijuar njërën nga Qeveritë me numrin më të madh të deputetëve.

Kjo marrëveshje politike e bëri Hashim Thaçin fillimisht ministër të jashtëm e më pas president.

Më 26 shkurt të 2016 u zgjodh president i Republikës së Kosovës, në raundin e tretë të votimit. Ai fitoi me 71 vota në raundin e tretë pasi që në dy raundet e para nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve.

Këtë pozitë, ai kishte mandat ta mbante deri më 26 shkurt të vitit të ardhshëm, ani pse kishte deklaruar se nuk synon një mandat të dytë.

Vjosa Osmani, pritet që përkohësisht ta marrë detyrën e Presidentit të Kosovës. Pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi, posti i presidentit të Kosovës sipas Kushtetutës përkohësisht duhet të ushtrohet nga Kryetarja e Kuvendit.

Specialja dhe ‘mëdyshjet’ e Thaçit

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 pas pretendimeve të raportuesit të Këshillit të Evropës  Dick Marty në vitin 2010, në lidhje me krimet e pretenduara të kryera nga anëtarët e UÇK-së.

Presidenti Thaçi e kishte mbështetur zëshëm krijimin e kësaj Gjykate.

Mirëpo përpjekjet e para për zhbërjen e saj kishin filluar në dhjetor të vitit 2017.

Më 22 dhjetor 2017, Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte dështuar për herë të dytë që të sigurojë kuorumin për shqyrtimin e kërkesës së 43 deputetëve nënshkrues, me të cilën kërkohej seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Nata e 22 dhjetorit, ishte konsideruar si “nata më e rrezikshme për Kosovën që nga përfundimi i luftës”.

Më 6 mars 2020 Radio Evropa e Lirë kishte publikuar disa letra që tregonin tentativën e presidentit për të penguar punën e Speciales.

Komunikimi ishte bërë në nëntor të vitit të kaluar, ku presidenti i vendit, Hashim Thaci i kishte dërguar një letër Sekretarit të amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në të cilën Thaçi ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me Gjykatën në Hagë, duke shtuar që “Qeveria amerikane duhet urgjentisht të marrë parasysh që reformat kritike janë ndërmarrë para se gjërat të zhvillohen me tutje”.

“Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe donatorët tjerë kanë ofruar mjete domethënëse për zhvillimin e kësaj infrastrukture fizike të Gjykatës në Hagë”, kishte shkruar Thaçi në letrën dërguar Sekretarit Pompeo.

Ndaj letrës së Thaçit, Pompeo është përgjigjur duke thënë që “heqja ose dëmtimi i strukturës së punës ose lokacionit të Dhomave të Veçanta ose Prokurorisë së Specializuar, në çfarëdo mënyre, do ta dëmtonin seriozisht kredibilitetin dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.

E më 26 korrik të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte publikuar një aktakuzë të pakonfirmuar në të cilin pretendohej se ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen për afër 100 vrasje.

Madje, Prokurori i Specializuar e kishte konsideruar të domosdoshëme nxjerrjen e njoftimit publik për akuzat, për shkak të “përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës”.

Dje pas arrestimit dhe konfirmimit të aktakuzës ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi, janë konfirmuar edhe aktakuzat për krime njerëzimi ndaj deputetit të LVV-së, Rexhep Selimi, ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli dhe presidentit Hashim Thaçi.