Ilustrimi nga BIRN

Raportimet e mediave stimulojnë diskriminimin e grave

Shkruar nga Resmije Sadiku

Ligji për barazi gjinore është larg zbatimit, sidomos kur bëhet fjalë për ministritë, drejtorit komunale dhe pozitat e larta drejtuese.

Ky ligj nuk është harmonizuar me ligjet e tjera, si ai për Ligjit për Barazi Gjinore me Ligjin për Zgjedhje dhe për pasojë shpeshherë interpretohet qëllimisht gabim, në mënyrë të shkaktohet huti dhe keq-informim tek qytetarët. Fatkeqësisht edhe mediat nuk bëjnë interpretimin e saktë të këtij ligji dhe as nuk sfidohen kryetarët e komunave kur thonë se “do ta respektojnë ligjin dhe 30% të drejtorive do të udhëhiqen nga gratë”.

Ligji për barazi gjinore thotë se “përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse”.

Por, një pjesë e mediave i trajtojnë gratë që janë në pushtet ndryshe prej burrave që mbajnë pozitat e njëjta drejtuese. Nëpër portale janë publikuar shkrime për pamjet e tyre, siç është rasti i deputetet Duda Balje. Këto shkrime janë shpërndarë edhe nëpër portale që kanë mbi gjysmë milioni ndjekës në rrjetin social “Facebook”.

Edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vazhdon të komentohet për ndryshimet në pamjen e saj mënyrën e të shkruarit dhe të folurit.

Madje, edhe komentet që lejohen nga portalet në profilet e tyre në rrjetet sociale në masë të madhe janë kryesisht fyese për gratë që janë në pozita udhëheqëse apo gratë që japin mendimin e tyre në studiot televizive.

Leonida Molliqaj, drejtore Ekzekutive dhe kryeredaktore në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA thotë se ka përmirësime sa i përket raportimit të mediave për çështje gjinore, mirëpo ende ka ngecje.

“Ka ende ngecje dhe raportimet e mediave për çështje gjinore vazhdojnë të jenë të stërmbushura me stereotipa apo me paragjykime të cilat pozitën e gruas dhe të burrit në media e përcaktojnë në atë formë qysh gruaja është më pasive, ndërkohë që burri është ai që ka një pozitë të rëndësishme në shoqëri”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se përgjithësisht janë disa probleme që i karakterizojnë raportimin për gratë nëpër media.

“Nëse flasim për raportime për gratë politikane, atëherë është përgjithësisht e dukshme për gratë politikane për dallim prej kolegëve të tyre burra, paraqiten më shumë si objekte seksuale sesa si qytetare që kontribuojnë në shoqëri”, ka thënë ajo.

Molliqaj thotë se nuk mund të thuhet se ka dezinformata të planifikuara për gra të caktuara, edhe pse ka pas raste kur edhe gratë kanë qenë viktima të dezinformatave.

“Përfaqësimi i grave në media i ka dy forma problematike e para është nën përfaqësimi ku gratë janë të padukshme, ashtu siç jemi mësuar me i pa sa pak gra pyeten si burime gazetareske, sa pak gra marrin pjesë në televizione të rëndësishme politike dhe e dyta është ku gratë janë të përfaqësuara në artikuj dhe në prodhime mediatike, por atëherë janë të përfaqësuara përmes stereotipave gjinore, pra si gratë e dikujt si objekte seksi etj”, ka thënë ajo.

Një problem tjetër që ajo ka ngritur është numri i vogël i grave që janë në krye të mediave të fuqishme edhe pse thotë se cdo ditë e më shumë nëpër mediat kosovare ka gazetarë feminist.

“Sot më shumë se kurrë ka vajza edhe djem të cilët marrin iniciativën për të trajtuar çështjen gjinore dhe në anën tjetër ajo çka vërehet dukshëm janë politikat mediale, uroj të jem gabim”, ka thënë ajo.

Luljeta Demolli, Drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore për KALLXO.COM  ka deklaruar se Ligji për Barazi Gjinore në Kosovë nuk implementohet për shkak të shumë rrethanave, duke përfshirë edhe aspektin trajtimit në media dhe qasjes së grave në financa për të bërë fushatë për një pozitë të zgjedhur.

Ajo ka thënë se vetëm 3 përqind e grave janë në borde dhe pozita vendimmarrëse.

“Partitë politike ende nuk e kanë 50 me 50, edhe qeveria nuk i ka nda ministritë në 50 me 50, momentalisht vetëm 3 përqind e grave janë në borde dhe në pozita vendimmarrëse, gjë që nuk do të duhej të ishin” ka theksuar ajo.

Gresë Sermaxhaj, Koordinatore për marrëdhënie me publikun, nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), në një përgjigje për KALLXO.COM ka thënë se ligji për Barazi Gjinore në pjesën dërmuese është shkelur si nga institucionet po ashtu edhe nga partitë politike në Kosovë.

“Kjo gjë është parë vazhdimisht në listat zgjedhore të partive në zgjedhjet lokale dhe ato nacionale, në pozitat dhe në pozitat udhëheqëse të grave në komuna, në drejtori komunale, ministri, borde të institucioneve publike, si dhe në organe të tjera ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet”, ka deklaruar ajo.

Sermaxhaj ka theksuar se mungojnë sanksione në rastet kur ky ligj nuk zbatohet, nuk ka ndodhur harmonizimi i Ligjit për Barazi Gjinore me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe ato Lokale, si dhe partitë politike sipas saj nuk kanë vullnet politik për ta respektuar këtë.

 

Kërkohet zbatimi i ligjit për barazi gjinore

Shpresa Zariqi, shefe e Divizionit për Bashkëpunim nga Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit në një përgjigje për KALLXO.COM ka theksuar masat që sipas saj duhet të ndërmerren për ta përmirësuar pjesëmarrjen në vendimmarrje.

“Aktivitetet e parapara në këtë objektiv, dhe jo vetëm ky, duhet të ju shërbejnë partive politike si platformë veprimi për rritjen e numrit të grave në vendimmarrje për ndërmarrjen e veprimeve duke filluar me rritjen e pjesëmarrjes së grave të reja në forumet rinore, me përgatitjen e kurikulave specifike të trajtimit që t’i përgatisin kandidatet e reja, me ndërmarrjen e masave afirmative brenda partisë për ta përmirësuar pjesëmarrjen në vendimmarrje”, ka deklaruar ajo.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë, Time Kadrijaj, për KALLXO.COM tha se shoqëria jonë duhet të respektoj ligjet.

“Shoqëria jonë duhet të demokratizohet dhe normal duhet të respektoj ligjet në fuqi. Ne si shoqëri patriarkale ka qenë zor të flitet për barazi gjinore”, tha Kadrijaj. “Po me kalimin e kohës me angazhimin e grave po me ndihmën e organizatave ndërkombëtare kemi avancuar në këtë drejtim. Sukses ka qenë përfshirja e kuotës gjinore nëpër listat zgjedhore në të dy nivelet, gjë që ka mundësuar përfaqësim 30 përqind nga gratë. me kalimin e viteve gratë kanë punuar e angazhuar e tash për shumicën kuota gjinore nuk vlen”.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, për KALLXO.COM ka deklaruar se Ligji për Barazi Gjinore nuk respektohet nga partitë politike dhe as nga institucionet shtetërore. Ajo ka thënë se garat e brendshme politike janë të pa përshtatshme për gratë.

“Aty bëhen listat, ofrohen mundësi për karrierë politike etj. Natyrisht garat e brendshme janë më pak të përshtatshme për gratë, pasi nuk janë aq me vullnet për pushtet politik sa janë burrat. Të rritur në një shoqëri patriarkale e drejt asaj egalitare, ka sfida”, tha Bunjaku.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra për KALLXO.COM tha se ndonëse është bërë progres ndër vite Ligji për Barazi Gjinore ka ende sfidat e zbatimit, dhe jo të gjitha institucionet e zbatojnë këtë ligj.

“PDK ka bërë avancime edhe në drejtoritë, por edhe në strukturën lokale, përveç drejtorive dhe pozitave të rëndësishme vendimmarrëse në komuna u takojnë grave, siç janë pozita të kryesuesve dhe të nënkryetareve”, tha ajo.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Tinka Kurti, në një prononcim për KALLXO.COM tha se në Lëvizjen Vetëvendosje bëjmë përpjekje të vazhdueshme që të ushtrojmë barazinë brenda dhe jashtë LV-së.

“Ne nuk kemi asnjë forum apo organizim pa gratë anëtare por sidoqoftë situata nuk është në nivelin e barazisë 50-50”, ka thënë ajo.

Lëvizja Vetëvendosje është partia e vetme që ka më shumë deputete se sa që është paraparë në kuotë.

“Në zgjedhjet e mbajtura pas 2017-së kemi pasur rritje të numrit të grave kandidate duke e kaluar 30 përqindëshin e kërkuar. Ndoshta edhe kjo ka qenë një prej arsyeve që në zgjedhjet parlamentare e kemi tejkaluar kuotën si subjekt politik”, ka thënë ajo.

Ndërsa Arjeta Maka, Koordinatore në OJQ “Gruaja Hyjnore” në Gjilan për KALLXO.COM ka dhënë detaje për përfshirjen e grave në institucione në këtë komunë.

“Në Sektorin e Ndërmarrjeve Publike në Gjilan nuk kemi gra udhëheqëse. Kuvendi Komunal i Gjilanit përbëhet nga 35 asamblistë, vetëm 12 janë gra, që në përqindje i bie 34%. Gjithashtu prej numrit të përgjithshëm të drejtorive në këtë Komunë, nga numri total i 12 drejtorëve, vetëm 4 janë femra”, ka thënë ajo.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i verifikimit të fakteve për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Kosovë”. Programi realizohet nga BIRN me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Mendimet, gjetjet dhe konkluzionet e paraqitura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.