Ilustrim

Dezinformatat, sfidë për opinionin publik në Kosovë

Shkruar nga Arian Lumezi

Fenomeni i përhapjes së dezinformatave e ka gjetur Kosovën të papërgatitur për t’u përballur me këtë problematikë të vjetër, por që ka gjetur shprehje të re pas përhapjes masive të përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe rrjeteve sociale.

Gjatë viteve të fundit kemi parë informacione të rreme për cështjet e sigurisë në Kosovë, për Ushtrinë e Kosovës, për dialogun apo edhe për aksione të ndryshme të Policisë së Kosovës.

Një artikull i tillë është publikuar nga një portal i panjohur me emrin “Gazeta Korrekte” është përdorur aktualiteti i luftës së shkaktuar nga Rusia në Ukrainë, ngjarje që ka ngjallur interesim global, duke përfshirë Kosovën. Shkrimi është plot me detaje të pavërteta dhe aty lajmërohet një përplasje mes NATO-s dhe Rusisë.

Klikimet e marra nga artikujt përmes rrjeteve sociale u gjenerojnë pronarëve të faqeve fitime në të holla, kryesisht përmes sistemit reklamues të Google Ads.

Siç shpjegon Uran Haxha, profesionist i marrëdhënieve me publikun, sistemi i reklamave të Google funksionon në formë ndërmjetësimi, ku reklama e platformës shfaqet në faqen e internetit si vende ku vizitorët mund të klikojnë, dhe në bazë të numrit të klikimeve mbi to gjenerohen të ardhurat për pronarin e faqes si dhe për reklamuesin.

Në rajonin e Ballkanit, dezinformatat kanë qenë gjithnjë të pranishme në ambientin medial, sidomos në kohë të caktuara të shënuara nga ngjarje të mëdha, siç janë zgjedhjet lokale dhe nacionale, pandemia Covid-19 dhe vaksina kundër këtij virusi, si dhe ngjarje të tjera më të vogla që kanë nxitur interesimin e publikut duke rritur në këtë mënyrë edhe interesimin e prodhuesve të lajmeve të rreme për të përfituar sa më shumë nga interesimi për informim rreth këtyre çështjeve.

Në këto lajme, të vërtetuara si të pavërteta nga platforma Krypometri, dy faqe në Facebook me emrat që tregojnë se përkrahin Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, kishin shpërndarë informatën kinse deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, kishte shkuar në sallën e Kuvendit të Kosovës e infektuar me virusin Covid-19.

Musliu kishte marrë pjesë normalisht në seancë dhe kishte raportuar rastin në polici duke hedhur poshtë pretendimet që ajo ishte e infektuar.

Gjithashtu në këtë rast, faqet që kanë shpërndarë lajmin kanë përdorur një element aktual nga shqetësimet e opinionit të gjerë publik – virusi – për të shpërndarë informata që janë përdorur për qëllime politike në përplasjet e zakonshme mes qeverisë dhe opozitës.

Ditë më parë, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar një raport në të cilin ka konstatuar se opinion publik në Kosovë ka qenë shumë i ndikuar nga dezinformatat gjatë periudhës më të rëndë të pandemisë, pra gjatë viteve 2020 dhe 2021.

Raporti “Ndikimi i Dezinformimit dhe Polarizimit Politik Gjatë Pandemisë COVID- 19 në Kosovë” nënvizon edhe faktin që institucionet shtetërore kanë qenë të paafta për të përgatitur një sistem efektiv që do të kundërshtonte ndikimin e lajmeve të rreme, sidomos në temat që kishin të bënin me atë çfarë shkakton virusin, pandeminë dhe vaksinat.

Dren Gërguri, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë që Kosova përballet herë pas here me lajme të rreme, porse ardhja e pandemisë e ka përkeqësuar gjendjen.

Temat më të shpeshta të cilat përdoren për të gjeneruar lajme të rreme, sipas Gërgurit, lidhen me politikën (kryesisht rreth kohës së zgjedhjeve) e pandeminë; një çështje që shkakton vazhdimisht fushata dezinformuese ka të bëjë me faktet historike që lidhen me Kosovën dhe gjeopolitikën rreth saj, me lajme të rreme që kanë për qëllim të shtrembërojnë të vërtetat rreth fakteve të luftës, siç ishte intervenimi i NATO-s në Kosovë në 1999.

“Dezinformata ka edhe në domenin nacional, por nuk mund ta lidhim me një parti të caktuar. Në periudha të fushatave rritet shumë interesimi i lexuesve për politikën, dhe pastaj shtohet edhe prodhimi i lajmeve të rreme”, thotë Gërguri.

Aplikacioni i ri TikTok, sipas Gërgurit, është shndërruar shpejt në një prej mjeteve kryesore të shpërndarjes së dezinformatave, kryesisht për shkak se është mënyrë e re e plasimit të informacioneve, si dhe për shkak se mekanizmat kontrollues të aplikacionit janë më të ulët se sa në platformat tjera si Facebook apo Tëitter. Megjithatë, në Kosovë, Gërguri thotë që Facebook-u vazhdon të jetë kanali kryesor i dezinformatave.

Për ta luftuar këtë dukuri, ai thotë që është e nevojshme një qasje më serioze në raport me edukimin e fëmijëve që në shkollën fillore rreth mediave dhe konsumimit të informative. Në Kosovë, mësime të tilla për nxënësit dhe studentët mungojnë, dhe Gërguri thotë që kjo e bën Kosovën terren të përshtatshëm për shpërndarjen e dezinformatave “në një shoqëri pa gjykim kritik”.

Elida Zylbeari, kryeredaktore e mediumit Portalb në Maqedoninë e Veriut që merret edhe me fact-checking përmes platformës Metamorphosis, thotë që ky vend përballet me disa lloje të fushatave dezinformuese, ku përfshihen lajmet e rreme që prodhohen për përdorim të brendshëm politik, artikujt dezinformues lidhur me koronavirusin, dhe një grup tjetër që lidhet me debatin rreth çështjeve identitare me Bullgarinë që ndërlidhen edhe me rrugëtimin euroatlantik të vendit.

“Pjesa e dezinformatave për politikën e brendshme krijohet më shumë nga partitë politike të cilët përmes portaleve që i kanë hapë vetë, proxies, që dihet që u shërbejnë agjendës partiake dhe janë më të dukshme gjatë zgjedhjeve”, thotë Zylbeari.

“Pastaj kemi pasë lajme të rreme kundër vaksinave dhe kundër ekzistencës së virusit nëpër faqe nga Shqipëria dhe lajmet furnizoheshin me informata nga antivakserët në Itali, Shqipëri dhe krijonin për ne”, shton ajo.

Lajmet e rreme si forma më e përhapur e dezinformatave vazhdojnë të jenë kërcënim për informimim e drejtë të publikut në Kosovë dhe rajonin përreth saj, shpesh për çështje të rëndësisë së lartë për jetën e njeriut dhe zhvillimin demokratik të shoqërisë.

Disa hulumtime të mediave ndërkombëtare vite më parë kishin zbuluar që Maqedonia e Veriut kishte shërbyer si prodhuese e lajmeve të rreme gjatë këtyre ngjarjeve, me të rinjtë e qytetit të Velesit që përfitonin para nga reklamat përmes klikimeve në lajmet e rreme që përgatiteshin për publikun amerikan.

Shkruesit e lajmeve të rreme kryesisht përdorin faqe nëpër rrjete sociale që janë të ndërtuara për t’u ngjarë sa më shumë mediave të mirëfillta, dhe përmes tyre shpërndahen artikuj me shkrime që përmbajnë një lidhje me ndonjë ngjarje të aktualitetit që zgjon interesim nga publiku, por pjesa dërrmuese e artikullit flet për ndonjë veprim sensacional të pavërtetë.

Lajmet e rreme si forma më e përhapur e dezinformatave vazhdojnë të jenë kërcënim për informimim e drejtë të publikut në Kosovë dhe rajonin përreth saj, shpesh për çështje të rëndësisë së lartë për jetën e njeriut dhe zhvillimin demokratik të shoqërisë.

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i verifikimit të fakteve për të luftuar lajmet e rreme dhe dezinformatat në Kosovë”. Programi realizohet nga BIRN me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Mendimet, gjetjet dhe konkluzionet e paraqitura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërish ato të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.