Kurti nuk ju ka kërkuar vendeve të BE-së deportimin e kosovarëve
Deklarata
“Do të kërkoj nga të gjitha vendet e BE-së, që mërgimtarët tonë ti kthejnë në Kosovë. Mjaft kanë punuar në shtetet armike të Kosovës!!! Albin Kurtoviq”
Vlerësimi
Rrenë
Kryministri i Kosovës, Albin Kurti nuk ka thënë “Do të kërkoj nga të gjitha vendet e BE-së, që mërgimtarët tonë ti kthejnë në Kosovë. Mjaft kanë punuar në shtetet armike të Kosovës!!! Albin Kurtoviq”. Postimi që ia mveshë këtë deklaratë Kurtit është i rremë. Kurti nuk i ka bërë thirrje vendeve të BE-së që t’i kthejnë kosovarët.
Artikulli
Më 08.04.2024, faqja e Facebook-ut “Komente Politike” (arkiva) ka publikuar një fotografi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me citatin: “Do të kërkoj nga të gjitha vendet e BE-së, që mërgimtarët tonë ti kthejnë në Kosovë. Mjaft kanë punuar në shtetet armike të Kosovës!!! Albin Kurtoviq”.
Krypometër fillimisht ka kontrolluar profilin zyrtar të kryeministrit Albin Kurti në Facebook, por aty Kurti nuk ka bërë ndonjë postim të ngjashëm.
Në lidhje me këtë, Krypometër ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili e ka mohuar që diçka e tillë është thënë nga ana e kryeministrit Kurti.
“Kjo deklaratë nuk është thënë asnjëherë nga kryeministri. Absolutisht e pavërtetë”- ka thënë Kryeziu.
Edhe zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka mohuar se Kurti ka deklaruar diçka të tillë.
“Ky postim është i rremë dhe një gjë e tillë nuk është thënë asnjëherë”- tha Manxhuka për Krypometrin.
Albin Kurti është zgjedhur kryeministër pas zgjedhjeve Parlamentare të mbajtura më 14.02.2021, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje mori 50.2% të votave.
Në këto zgjedhje kishin marrë pjesë edhe shumë qytetarë të Kosovës që jetojnë jashtë vendit. Ata kanë bërë mijëra kilometra për të ardhë në Kosovë për të votuar në zgjedhjet në të cilat partia që drejtohet nga Albin Kurti kishte marrë shumicën e votave.
Ndërkaq, më 25.08.2022 Kurti përmes një videoje i bëri thirrje diasporës që të jenë pjesë e vendimmarrjes.
“Me Qeverinë tonë, ka ardhur koha që diaspora të jetë pjesë e vendimmarrjes në përpjekjet e Kosovës sonë për të zgjeruar prezencën e saj kudo në botë. Po e fillojmë këtë me profesionistë të rinj nga mërgata”- ishte shprehur Kurti.
Diaspora ka një kontribut të drejtëpërdrejtë në ekonominë e Kosovës, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, duke dërguar mjete monetare dhe gjësende të vlefshme apo duke investuar në blerje të patundshmërive apo hapjen e bizneseve si dhe duke shpenzuar gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, diaspora vetëm në vitin 2022 ka dërguar 1 miliard e 222 milionë euro. Në vitin 2021, remitancat kishin vlerën prej 1 miliard e 153 milionë euro.