Liljana Stevanoviq Fotografi nga protesta e 6 nentorit 2022, Kallxo.com

KGJK i propozon presidentes shkarkimin gjyqtares serbe Liljana Stevanoviq

Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka propozuar Presidentes Vjosa Osmani shkarkimin e gjyqtares serbe Liljana Stevanoviq. Kjo pasi që e njëjta kishte marrë pjesë në njërën nga protestat e organizuara në veri të vendit nga Lista Serbe pas bojkotit të pozitave nga institucionet e Kosovës.

Liljana Stevanoviq më 6 nëntor në protestën e organizuar e që u mbajt në Mitrovicën veriore u ishte drejtuar të pranishmëve me një fjalim.

“Populli im, vëllezër dhe motra, rroftë Serbia, atdheu ynë, rroftë presidenti ynë Aleksandar Vuçiq, presim ndihmën prej tij”, ndërsa më tutje e njëjta ka vazhduar me frazat “Presidenti ynë Aleksandar Vuçiq, nuk e lë kurrë këtë komb”.

Tutje në shkresën e Këshillit Gjyqësor të Kosovës përmendet edhe fakti se kishte nisur një hetim disiplinor ndaj Stevanoviq më 6 nëntor 2022 pas pjesëmarrjes në këtë protestë.

Kërkesën e kishte bërë Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci.

KGJK ka arritur që të siguroj edhe audioincizimet përmbajnë edhe fjalimin e Stevanoviq drejtuar protestuesve.

“Të dashur qytetar, të dashur miq, njerëzit e mi, vëllezërit dhe motrat e mia, sot dua të ju informojë se të gjithë ne gjyqtarë dhe prokurorë të sistemit gjyqësor jemi larguar nga sistemi gjyqësor i Kosovës, duke pasur parasysh se marrëveshja e Brukselit është shembull aq shumë sa që është bërë një shkronjë e vdekur”, më tutje në përmbyllje të fjalimit ka thënë “rroftë Serbia, atdheu ynë, rroftë presidenti Aleksandar Vuçiq, presim ndihmën prej tij, dhe nëse na shohin të gjithëve sot do ta kuptojnë apelin dhe ndihmën tonë për të qëndruar së bashku në drejtësi dhe barazi për të gjithë qytetarët. Po ashtu gjatë incizimit vërehen flamuj dhe logo të shtetit serb dhe subjekti politik “Lista Serbe”- ishte fjalimi i Stevanoviq.

Tutje e njëjta më datë 18 maj 2023, në seancën dëgjimore që ishte mbajtur pas hetimit disiplinor kishte pranuar se kishte marrë pjesë në protestë duke u arsyetuar se tubimi ishte i tërë komunitetit serb dhe e njëjta nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e ndonjë subjekti politik.

Përveç protestës më 6 nëntor 2022 që ishte mbajtur në Mitrovicë veriore, Stevanoviq ishte parë edhe në mbledhjen e 5 nëntorit të zyrtarëve të shumtë që ishin pjesë e institucioneve të Kosovës e që pikërisht në këtë mbledhje të thirrur nga Lista Serbe në Komunën e Zveçanit ishte bërë publike bojkoti dhe dorëheqja nga të gjitha pozitat në këto institucione të qytetarëve serb.

Kjo pasi që e njëjta më 5 nëntor të vitit të kaluar kishte marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga Lista Serbe e cila ishte mbajtur në Komunën e Zveçanit me ç’rast nga aty zyrtarë të ndryshëm serbë dhanë dorëheqje nga funksionet e tyre në institucionet e Kosovës.

Ishte KALLXO.com që kishte raportuar edhe për pjesëmarrjen e Stevanoviq në këtë mbledhje të organizuar nga Lista Serbe.

Zyrtarë të lartë të sistemit të drejtësisë nga komuniteti serb, pjesëmarrës në takimin e Listës Serbe

Në këtë takim kanë marrë pjesë kryetarja e Gjykatës Themelore ne Mitrovicë Liljana Stevanoviq, gjyqtarja në Gjykatën e Apelit në divizionin e  Mitrovicës, Lidija Vuçuroviq dhe anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nikola Kabashiq, njëherit ish-kryetar i Gjykatës së Mitrovicës.

Në po të njëjtën mbledhje, zyrtarë të Listës Serbe, të Policisë, komunave me shumicë serbe, gjykatave dhe të institucioneve tjera janë parë duke hyrë në takimin e thirrur nga Lista Serbe në objektin e Komunës së Zveçanit e që në fund edhe njoftuan për vendimin e bojkotit.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë Liljana Stevanoviq e cila ishte pjesë e takimit sot, në mars të po të njëjtit vit, pra 2022, ishte suspenduar pasi kishte marrë pjesë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq si dhe me Millan Radoiçiqin, njeriun e kërkuar nga autoritetet kosovare për korrupsion, tashmë të dyshuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë.