Pallati i Drejtësisë - FOTO: Fatrion Ibrahimi / KALLXO.com

Komisioni i KGJK-së: 8 aktakuza të pranuara në vitin 2023 për rastet ku viktima ishin gazetarët

Komisioni i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi si dhe Planit strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar ka prezantuar sot para KGJK-së të dhëna lidhur me lëndët ku viktima kanë qenë gazetarët.

Sipas Komisionit, në vitin 2023 janë ngritur 8 aktakuza ndaj personave në rastet ku viktima kanë qenë gazetarë.

Prej këtyre 8 aktakuzave të pranuara, 6 raste kanë marrë epilog në gjykata, një është një procedurë paraprake dhe një është në proces e sipër.

Komisioni në prezantimin e tij ka potencuar se një dënim ka qenë me 2 vjet burgim, kurse dënimet e tjera kanë qenë me gjobë.

Ky Komision në raportin e tij ka shpalosur sot edhe të dhëna lidhur me numrin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në mbledhjen e Këshillit Gjyqësor u prezantua efikasiteti i gjykatave për vitin 2023 i të gjitha gjykatave themelore të vendit, përfshirë edhe Gjykatën e Apelit, Gjykatën Supreme, Gjykatën Komerciale.

Gjatë vitit 2023, Supremja ka nxjerrë 5 mendime juridike, 3 udhëzues, 1 qëndrim parimor dhe 1 doracak.

Kurse, Valdete Daka nga Paneli i lirimit me kusht në kuadër të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka bërë të ditur të dhënat për kërkesat për vitin 2023 nga të dënuarit që të lirohen me kusht.

Daka theksoi se për vitin 2023 kanë pranuar 872 kërkesa, 110 prej tyre të trashëguara nga viti 2022.

Nga këto kërkesa janë shqyrtuar 816 dhe janë aprovuar 395, kurse janë refuzuar 376.

Daka theksoi se vetëm 8 kërkesa kanë ardhur nga të dënuara – gra, kurse 12 nga të dënuar – të mitur.

Kjo ishte mbledhja e 319-të e këtij institucioni.

Tutje, Këshilli Gjyqësor miratoi edhe planin e punës për vitin 2024 për të gjitha gjykatat dhe buxhetin e këtij institucioni.