Curri: Krijimi i kulturës për siguri dhe shëndet në punë është i domosdoshëm

“Krijimi i kulturës për siguri dhe shëndet në punë është i domosdoshëm që nga institucionet më të larta deri te punëtori fizik” – ka thënë Minir Curri, ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë.

Ai në emisionin “Kallxo Përnime”, ku u diskutua rreth sigurisë së punëtorëve në vendet e tyre të punës si dhe për hulumtimin “Viktimat e padrejtësisë”, shtoi se nëse nuk bëhet kjo në nivel kombëtar problemet e tilla do të vazhdojnë edhe më tej.

“Nëse punëdhënësi nuk e ka të krijuar kulturën në punë dhe nuk është i vetëdijshëm që një të punësuar duhet t’ia kthejë shtëpisë së vet në mbrëmje shëndosh e mirë sikur e ka përcjellë familja, atëherë problematika ka me na përcjellë në vazhdimësi. Shumica e punëdhënësve sipas përvojës sime edhe në terren, më tepër edhe sigurinë e shëndetin në punë më tepër e kanë trajtuar si çështje të letrave (administrative), si çështje të dokumentacionit që po e kërkon një inspektor, por jo akoma vetëdija e krijuar që ajo është në të mirën e tij se ai punëtor të cilin do ta mbajë të shëndetshëm do të ketë nevojë edhe për ditët në vijim sepse është marrëveshje kontraktuale mes të dyja palëve, me ia pa hajrin njëri-tjetrit” – tha Curri.

Ai ka thënë se shenja e parë që kjo kulturë është duke shkuar drejt ndryshimit është shtimi i kapaciteteve të Inspektoratit.

“Ky është i vetmi mekanizëm që deri tash i përcjell këto situata. Një pjesë e bizneseve janë vetëdijesuar dhe nuk i qaset sigurisë dhe shëndetit në punë si çështje vetëm administrative” – tha tutje Curri.

Curri ka shtuar se punëdhënësi duhet vetë të hetojë arsyet e aksidenteve në vendin e punës.

“Të shohin ata vetë se cilat janë arsyet që ka ardhë deri tek aksidenti në punë. Pra është puna që ne duhet të lëvizim në atë drejtim që vetë punëdhënësi ta bëjë këtë e jo t’i fsheh faktet por ta bazojë hetimin e aksidentit të bazuar në fakte. Mua më ka ndodhë që edhe punëdhënësit me m’ftu e me hetu rastin por janë pak raste” – shtoi ai.

 

BIRN ka prezantuar të enjten raportin mbi gjetjet për të drejtat e punëtorëve dhe sigurinë në punë për punëtorët për vitin 2023, të titulluar “Viktimat e padrejtësisë”.

Të dhënat nga ky raport dokumentojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht te siguria në punë ku aksidentet me fatalitet në vend vazhdojnë të rriten.

“Gjatë viteve 2021 – 2023, 33 punëtorë kanë vdekur nga 763 aksidente në punë. Statistikat tregojnë që vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 kanë vdekur 9 punëtorë. Kjo tregon një rritje të rasteve të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në vendin e punës” – thuhet në raportin e publikuar.

Këtë raport mund ta gjeni duke klikuar në këtë LINK.