'Nuk e ndjeki penalisht se m’i ka pagu barnat': Çka thanë para gjykatës punëtorët e lënduar në vendin e punës

Raporti i publikuar nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, më 14 dhjetor të këtij viti, lidhur me të drejtat e punëtorëve dhe performancën e institucioneve në mbrojtjen e këtyre të drejtave, pasqyron një “dashuri”  dhe lidhje emocionale të punëtorëve të lënduar në vendin e punës me shefat e tyre në rastet e hulumtuara.

BIRN në kuadër të hulumtimit, ka analizuar gjithsej 27 raste gjyqësore dhe 6 raste nga Inspektorati i Punës, në të cilën janë evdientuar shkelje nga Kodi Penal, Ligji i Punës e Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë.

Në 27 raste gjyqësore të analizuara gjyqësore, vetëm në 2 prej tyre punëtorët i janë bashkangjitur prokurorisë për ndekje penale ndaj pronarëve të bizneseve ku ata ishin lënduar si rezultat i mos-ndërmarrjes së masave të sigurisë në vendin e punës.

Kurse, vetëm në 7 nga këto raste, ata kishin kërkuar kompensim në kontest civilo-juridik lidhur me dëmin që u ishte shkaktuar.

Arsyet më të shpeshta që evidentohen nga ky hulmtim janë; pagesa e barnave nga shefat, pagesa e shërimit të mjekimit, në disa raste edhe jashtë vendit e deri tek përkujdesja ndaj familjarëve të të lënduarëve.

“Nuk e ndjeki penalisht se m’i ka pagu barnat”, “Nuk i bashkangjitem ndjekjes se është kujdes për fëmijët”, “ma ka pagu rrogën 4 muj sa s’kom mujt me punu” – ishin disa nga fjalët e punëtorëve kur kishin dalë para gjykatës në rastet e aksidenteve në punë.

Nga 32 dënime të shqiptuara, në 27 raste të analizuara gjyqësore në të cilat janë trajtuar aksidente në punë, vetëm 2 raste kanë qenë me burgim efektiv për shkelësit e ligjit.

Raporti përmban të dhëna kuantitatike dhe kualitative mbi informacione të marra nga akterët kryesorë, Inpektorati i Punës që ka rolin kryesor në mbrojtjen e këtyre të drejtave e deri te institucioni i Avokatit të Popullit, i cili ka rol këshilldhënës.

Të dhënat nga ky raport dokumentojnë se ekzekutivi dhe gjyqësori kanë bërë një zhvillim të vogël në adresimin e çështjeve lidhur me marrëdhënien e punës, veçanërisht tek siguria në punë pasi aksidentet me fatalitet në vend vazhdojnë të rriten.

“Gjatë viteve 2021 – 2023, 33 punëtorë kanë vdekur nga 763 aksidente në punë. Statistikat tregojnë që vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2023 kanë vdekur 9 punëtorë. Kjo tregon një rritje të rasteve të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e aksidenteve në vendin e punës” – thuhet në raportin e publikuar më 14 dhjetor nga BIRN.

Nga ky raport rezulton se edhe hetimet penale lidhur me këto raste janë të cekëta, të vonuara dhe nuk sigurojnë prova të detajuara për të argumentuar çështjet.

“Në situata të tilla kur prokuoria ka vonesa në fillimin e hetimeve, provat e rëndësishme mund të zhduken ose dëshmitarët mund të ndryshojnë deklaratat e tyre” – thuhet në raportin e publikuar nga BIRN.

Kjo ka pasuar me dënime të buta ndaj biznismenëve duke ‘shpëtuar” me dënime me gjobë, me kusht ose rastet e dënimit me burg janë zëvendësuar me gjobë.

Nga këto 27 raste, rezultojnë me ngecje serioze nga organet ndjekëse duke mos dorëzuar kallëzime penale me kohë, anashkalim të dëshmitarëve në vend të ngjarjes – vendpunishte, në vendin në të cilin punëtorët kishin marrë lëndime trupore, e në disa raste me pasoja të përhershme për shëndetin e tyre.

Gjatë këtyre dy viteve, BIRN ka pranuar mbi 300 raportime nga punëtorë dhe sinjalizues që denoncuan shkelje të të drejtave të punëtorëve.

Raportin “Viktimat e padrejtësisë” mund ta gjeni në këtë LINK.