Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, braktis Kongresin e Selanikut pasi emri i tij si folës doli nën shtetin e Serbisë

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës të Republikës së Kosovës, Hekuran Nikçi, ka braktisur më 04.03.2024 Kongresin Ballkanik për Siguri dhe Shëndet në Punë që po zhvillohet në Selanik.

Sipas një komunikate për media, pasi janë publikuar në faqen zyrtare të Kongresit emrat dhe shtetet që përfaqësojnë folësit, emri i Nikçit është publikuar nga organizatorët e Kongresit nën shtetin e Serbisë.

“Pas pranimit të ftesës dhe konfirmit të saj për të marrë pjesë në kongresin në fjalë, z. Nikçi kishte mbërritur në Selanik pasditen e së dielës të 3 marsit për të marrë pjesë në kongres mëngjesin e së hënës së sotme të 4 marsit”- thuhet në komunikatë.

“Por, pasi janë publikuar në faqen zyrtare të kongresit emrat dhe shtetet që përfaqësojnë të folësve të kongresit ku ishte edhe z. Nikçi, emri i këtij të fundit u publikua nga organizatorët e kongresit nën shtetin e Serbisë për çka z. Nikçi e braktisi këtë kongres”- thuhet në reagimin e Inspektoratit të Punës.

Në njoftim bëhet e ditur se në emailin që i është dërguar organizatorit të kongresit Targoutzidis, Nikçi mes tjerash është shprehur se “Për shkak të paraqitjes time në faqen zyrtare të kongresit tuaj nën shtetin e Serbisë, i fyer ju njoftoj se më duhet ta braktis kongresin tuaj”.

KALLXO.com u ka shkruar organizatorëve të këtij kongresi për të marrë një qëndrim rreth rastit por deri në publikimin e këtij teksti nuk janë përgjigjur.