Pretendimet se ka presion për ndalim të grevës të punëtorëve në UP, Inspektorati i Punës po i inspekton

Pas deklarimit të kryetarit të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës Jusuf Azemi, më 26.02.2024, se punëtorët grevistë janë duke pasur presion nga drejtuesit e kompanive për ta ndalur grevën, Inspektorati i Punës e ka konfirmuar se është duke inspektuar rastin. 

Këtë deklarim Azemi e kishte dhënë për KALLXO.com, pas një mbledhjeje që kishte mbajtur me grevistët të Universitetit të Prishtinës dhe të Qendrës së Studentëve.

Përveç kësaj, ai kishte pretenduar se kompania që operon në Qendrën e Studentëve po sjell punëtorë të tjerë në vend të grevistëve.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë me kompaninë që operon në Qendrën e Studentëve në lidhje me pretendimet e Azemit, mirëpo e njëjta nuk ka qenë e qasshme deri në publikimin e këtij artikulli. 

Azemi kishte theksuar se të gjitha shkeljet e Ligjit të Grevës, të cilat sipas tij po ndodhin, i ka raportuar në Inspektorat të Punës.

Duke mos ndarë më shumë detaje, Inspektorati i Punës ka bërë të ditur se procesi i inspektimit është duke vazhduar.

“Ju njoftojmë se z.Jusuf Azemi, javën e kaluar ka paraqitur ankesë pranë Inspektoratit Qendror të Punës me pretendimin e cenimit të Ligjit për Greva nga një kompani private. Inspektorati Qendror i Punës me të pranuar ankesën ka inicuar inspektimin dhe procesi i inspektimit është duke vazhduar, ende nuk është përmbyllur” – janë përgjigjur nga Inspektorati.

Rreth 250 punëtorë fizikë e teknikë në Universitetin e Prishtinës dhe Qendër të Studentëve janë në grevë nga data 16.02.2024.

Këta punëtorë të sektorit privat punojnë përmes kompanive që kontraktohen nga UP për ofrim të shërbimeve.

Ata janë të pakënaqur me pagat. Sipas tyre, ata marrin rrogë deri në 300 euro, e cila nuk i plotëson nevojat e tyre.

Ndërkaq, kërkesa e tyre është që të kenë pagë në vlerë 400 euro.

Ata kanë premtuar më 26.02.2024 se nuk do ta ndalin grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Në anën tjetër, Azemi në një bisedë për KALLXO.com ka njoftuar se të mërkurën, më 28.02.2024 në ora 14:00, rreth 200 grevistë do të votojnë në Fakultetin Filologjik pro apo kundër vazhdimit të grevës.

Sipas Ligjit për Greva, në nenin 13 te mbrojtja e të drejtave të punësuarve gjatë grevës thuhet se “Gjatë grevës së organizuar sipas kushteve të përcaktuara me këtë Ligj, punëdhënësit nuk mund të punësojnë punëtorë të rinj të cilët do të zëvendësonin pjesëmarrësit në grevë.”

Ndërkaq, sipas nenit 25 në këtë Ligj, me gjobë prej pesëqind (500) deri në pesëmijë (5000) Euro dënohet për kundërvajtje, punëdhënësi apo personi juridik ose personi përgjegjës i personit juridik, në qoftë se pengon të punësuarit për të marrë pjesë në grevë, përdor masën e dhunës për të përfunduar grevën apo pranon punëtorë të rinj, të cilët do t’i zëvendësonin pjesëmarrësit e grevës.