Foto: Presidenca e Kosovës

Presidentja takoi Forumin Ekonomik të Grave, kërkon që Ligji i ri i Punës të miratohet sa më parë

Presidentja Vjosa Osmani ka folur për nevojën urgjente për miratimin e Ligjit të ri të Punës bashkë me Forumin Ekonomik të Grave.

Ky forum i udhëhequr nga Saxhide Mustafa ka diskutuar me Presidenten për pjesëmarrjen aktive të grave në ekonomi, për pushimin prindëror e buxhetimin e përgjegjshëm gjinor.

“Presidentja Osmani potencoi se integrimi i plotë dhe i barabartë i grave dhe burrave në ekonomi është strategji afatgjate për të stimuluar rritjen ekonomike dhe pjesëmarrjen aktive të grave në ekonomi” – njofton Zyra e Presidencës.

Reduktimi i hendekut gjinor në tregun e punës, sipas Osmanit rrit mirëqenien sociale dhe ekonomike të grave dhe kontribuon në mirëqenien e përgjithshme të të porsalindurve dhe të familjeve.

Presidentja tha se Ligji i ri i Punës që i adreson këto nevoja duhet të jetë në përputhje me direktivat e BE-së dhe duhet të procedohet sa më parë në Kuvend.

“Në veçanti, u diskutua rëndësia e politikave lidhur me pushimin prindëror, si masë e rëndësishme që duhet të rregullohet me këtë ligj. Presidentja Osmani dhe përfaqësueset e Forumit Ekonomik të Grave diskutuan modele të mundshme të pushimit prindëror, të cilat janë propozuar nga organizatat e shoqërisë civile, e të cilat mundësojnë dhe inkurajojnë pjesëmarrjen aktive të grave në ekonomi, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare” – thuhet më tej në njoftim.

Presidentja e Forumi folën edhe për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor si masë e rëndësishme nga institucionet qendrore dhe ato lokale.

Në këtë takim, sipas Presidencës u bë thirrje për angazhim më të madh nga të gjitha institucionet përkatëse për të zhvilluar dhe zbatuar politika të drejta dhe efikase që adresojnë sfidat specifike me të cilat përballen gratë në tregun e punës, thuhet në njoftimin e datës 20.02.2024.