Rasti 'Pacolli' dhe zgjedhja e Presidentit të ri ( I )

Saktësisht më 26 shkurt u bënë pesë vite nga zgjedhja e Hashim Thaçit – President i Republikës së Kosovës, ndërsa, më 22 shkurt, u bënë 10 vite nga zgjedhja e Behgjet Pacollit në të njejtën pozitë. Vlen të theksojmë se zgjedhja e të dy presidentëve të përmendur më sipër, u kontestua në Gjykatën Kushtetuese, mirëpo dallimi mes tyre ishte se, zgjedhja e z. Pacolli ishte jokushtetuese, ndërsa e zgjedhja e z. Thaçi, pesë vite më vonë, ishte në pajtim me Kushtetutën dhe Aktgjykimin që ishte nxjerrë pikërisht për rastin “Pacolli”.

Prandaj, nëse zgjedhja e z. Thaçi ka shënuar një moment të rëndësishëm të historisë së re parlamentare të Kosovës, zgjedhja e z. Pacolli, ka hyrë në historinë e re të konstitucionalizmit kosovar, për faktin se, përmes rastit të tij të ngritur në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit, me aktgjykimin historik të saj, vendosi përfundimisht kushtet bazë mbi të cilat duhet zhvilluar procedura kushtetutese për zgjedhjen e një presidenti. Sigurisht këtë e bëri, duke e interpretuar nenin 86 (Zgjedhja e Presidentit) të Kushtetutës, dispozitat e të cilit, si të tilla, krijonin hapësirë dy apo më shumëkuptimore për qëllime të interpretimit e zbatimit të tyre në praktikë.

Ndërkaq, në situatën aktuale, kur Kosova gjendet në prag të konstituimit të institucioneve qendrore kushtetuese, është jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese e cila, për gati dymbëdhjetë vite të ekzistimit e funksionimit të saj, jo vetëm se ka mbushur zbrastësitë kushtetuese e ligjore, por edhe e ka kompletuar mozaikun juridik të vendimeve e veprimeve, veçanërisht në lidhje me procesin e themelimit të tyre.

E kur flasim për vendimet e Gjykatës Kushtetuese të cilat kanë të bëjnë me institucionet qendrore të qeverisjes, kjo nuk nënkupton se vendimet e kësaj gjykate, nuk kanë pasur vend për kritikë. Përkundrazi, një pjesë e tyre, pavarësisht nga qëllimi, vetëm se i kanë kontribuuar paqartësive e thyerjeve të mëdha politike, por gjithsesi i kanë mbijetuar kohës.

Megjithatë sot, krahas kushtetutës me amendamentet e saj, kemi në fuqi edhe disa aktgjykime të kësaj gjykate, edhe sa i përket procedurës së konstituimit të Kuvendit, edhe sa i përket procedurës për zgjedhjen e presidentit, por edhe sa i përket themelimit të Qeverisë.

Përkundër si më sipër, jo rrallë lexojmë e dëgjojmë, interpretime të (pa) drejta të interpretimeve të këtyre akteve. Dhe kjo është krejt normale për një shoqëri që jeton në një shtet të ri, me rregulla po ashtu të reja konstitucionale.

Andaj, meqë ky shkrim ka për objekt analize vetëm institucionin e presidentit, dhe meqë më së voni deri më 5 maj të këtij viti Kosova duhet të zgjedhë presidentin e ri, le të ndalemi te dy segmente të rëndësishme kushtetuese që lidhen me kontekstin aktual dhe rolin e tij në jetën kushtetuese dhe parlamentare në Kosovë:

E para, procedura për zgjedhjen e tij, dhe e dyta, pozita e këtij institucioni në rendin kushtetues kosovar.

Cila është procedura për zgjedhjen e Presidentit sipas Kushtetutës?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, përcakton procedurën e zgjedhjes së presidentit me tri raunde votimi. Po ashtu, procedurën e zgjedhjes së presidentit e ka interpretuar edhe Gjykata Kushtetuese përmes aktgjykimit të cekur më sipër, në Rastin Nr. KO 29/11.

Procedura për zgjedhjen e presidentit, sipas Kushtetutës nënkupton momentin nga thirrja e seancës ku pikë e rendit të ditës është zgjedhja e presidentit dhe legjitimimi i të paktën dy kandidaturave për president, e deri te përfundimi i raundit të tretë, sipas nenit 86.6 të Kushtetutës, ku eventualisht në rast të moszgjedhjes së presidentit, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme.

Procedura për zgjedhjen e presidentit është një procedurë e veçantë, në një seancë, po ashtu të karakterit të veçantë, e cila i nënshtrohet rregullave të tjera të kuorumit që dallojnë nga kërkesat e nenit 69.3 të Kushtetutës, sepse kuorumi për zbatimin e procedurës për zgjedhjen e presidentit është 2/3 e të gjithë deputetëve (apo minimalisht 80 deputetë), prezent në sallë dhe që votojnë.

Vlen të theksojmë se në vitin 2011, me rastin e zgjedhjes së Presidentit Behgjet Pacolli, Kuvendi i Kosovës, kishte shkelur kushtetutën për faktin që nuk kishte pasur kuorum të mjaftueshëm për zgjedhjen e presidentit, sidomos në raundin e parë dhe të dytë. Më pas, rasti ishte iniciuar në Gjykatën Kushtetuese, ku kjo gjykatë vërtetoi që nuk kishte pasur kuorum të mjaftueshëm për zgjedhjen e Presidentit Pacolli, pasi që sipas vendimit të saj në të tri raundet e zgjedhjes, në kutinë e votimit do të duhej të ishin në minimum 2/3 e të gjithë deputetëve, respektivisht 80 deputetë.

Ky ishte njëri ndër vendimet ndaj të cilit pati mjaftë kritika, e të cilin pesë vite më vonë, me aktvendim, vet kjo Gjykatë e rishikoi në pjesën e procedurës për raundin e tretë të votimit për zgjedhjen e presidentit.

Fjala është për aktvendimin në Rasti KO 47/16, ku pas zgjedhjes së presidentit me datë 26 shkurt 2016, rasti përsëri u referua në Gjykatën Kushtetuese, ku përkundër deklarimit të kërkesës si të papranueshme, në interpretimin e ri, Gjykata Kushtetuese, theksoi që në raundin e tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, duhet të marrin pjesë të paktën shumica e të gjithë deputetëve.

Shih konkretisht paragrafin 63 të këtij aktvendimi: “Gjykata thekson që për të qenë e vlefshme procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, në raundin e parë dhe të dytë të votimit, të paktën 2/3 (dy te tretat) e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë, ndërsa në raundin e tretë, të paktën shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë, në pajtim me paragrafët 4 dhe 5, të nenit 86, të Kushtetutës”.

Në kontekstin e kësaj analize, është me rëndësi të theksojmë se, sanksionimi i një procedure kaq të veçantë për zgjedhjen e titullarit të këtij institucioni, nënkupton se Kushtetuta e Kosovës vë në pah domosdoshmërinë e një presidenti konsensual dhe gjithëpërfshirës, me një mbështetje të gjerë politike, respektivisht të subjekteve politike pjesëmarrëse në jetën parlamentare.

Kur duhet të zgjedhet Presidenti i ardhshëm i Kosovës?

Bazuar në rrethanat e gjendjes aktuale faktike dhe në bazë të procesverbalit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi është zgjedhur president me 26.02.2016, mirëpo, për shkak të dorëheqjes nga kjo pozitë me datë 5 nëntor 2020, këtë funksion është duke e ushtruar znj. Vjosa Osmani, saktësisht nga kjo datë.

Meqë sipas Kushtetutës, posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj, atëherë në ushtrimin e kësaj detyre, znj. Osmani nuk mund të qëndroj pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit, i cili potencialisht e ushtron detyrën e presidentit për periudhën eventuale të mbetur, deri më 5 maj 2021, por assesi pas kësaj date.

Prandaj, në kontekstin e gjendjes aktuale, është detyrë parësore e Kuvendit që, pas konstituimit, të nis procedurën për zgjedhjen e presidentit të ri, i cili në situatën më të mirë duhet të zgjedhet dhe të jap betimin më së largu më datë 5 maj 2021.

 

Në pjesën vijuese të këtij shkrimi, nën dritën e kuadrit kushtetues në fuqi, do të analizohet pozita e presidentit në rendin kushtetues kosovar dhe dimensionet që duhet t’i plotësoj titullari i këtij institucioni.

Faton Fetahu – Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike