Dashuria përtej besimit: ‘Martesat ndërfetare te shqiptarët në Kosovë’ një studim me rëndësi për kulturën shqiptare

 

Botimi monografik “Martesat ndërfetare te shqiptarët në Kosovë” i autores Angjelina Hamza- Hasanaj, është libri i saj i parë, që vjen si rezultat i punës hulumtuese disavjeçare të saj për një temë të veçantë siç janë martesat ndërfetare te shqiptarët në Kosovë. Kjo monografi është botim i veçantë i Degës së Etnologjisë të Institutit Albanologjik në Prishtinë.

Në këtë monografi autorja Hamza- Hasanaj trajton dukurinë e martesave ndërfetare te shqiptarët në Kosovë. Studimi është i strukturuar në katër kapituj, që janë: 1. Mbi martesën; 2. Martesa te shqiptarët e Kosovës; 3. Martesat fetare; 4. Martesat e përziera ndëretnike. Kapitujve ju paraprinë parathënia, vazhdon hyrja, dhe përmbyllen me përfundimin dhe literaturën e shfrytëzuar.

Në kapitullin e parë, “Mbi martesën”, studiuesja Hamza- Hasanaj rëndësinë dhe rolin e martesës e trajton edhe në rrafshin historik, duke sjellë edhe mendimet e studiueseve të ndryshëm mbi martesën.

Autorja Hamza- Hasanaj duke u mbështetur në anën teorike të këtyre studiuesve e paraqet evoluimin e martesës si institucion i rëndësishëm në të gjitha shoqëritë njerëzore.

Ka trajtuar në mënyrë kronologjike llojet e martesave, duke filluar me ato me të hershme e ka ardhur deri te martesat në kohën më të re.

Ajo tregon fillimisht për mënyrat se si janë realizuar martesat në shoqëritë e hershme, duke potencuar se “në fiset blegtorale u bë blerja e gruas”, më pastaj lindi martesa monogame e cila sipas autores ishte “jo si një pajtim midis burrit dhe gruas, por si skllavërim i një seksi ndaj një tjetri”, trajtim ky i cili me kalimin e kohës kishte ndryshuar.

Pavarësisht nivelit të zhvillimeve shoqërore, martesës i kushtohet një vëmendje e veçantë në të gjitha shoqëritë e kulturat kudo nëpër botë.

Autorja gjithashtu është ndalur edhe në trajtimin e llojeve të martesave të cilat janë: martesa grupore, endogame, ekzogame, poligamike, në çifte, monogame, martesa më rrëmbim, levirati dhe sororati, bigamia dhe biandria.

Në vazhdim të këtij kapitulli, autorja është ndalur edhe në shtjellimin e konceptit për familjen duke sjellë mendime të studiueseve të tjerë që janë marrë me familjen.

Në nënkapitullin, llojet e familjeve i ka shtjelluar dy lloje të familjes të cilat janë të ‘definuara’ dhe janë të pranishme në kulturën shqiptare. Këto dy lloje të familjeve janë, familja patriarkale dhe familja nukleare, Hamza- Hasanaj ka sjellë të gjitha veçoritë karakterizuese të njërës dhe të tjetrës.

Në kapitullin e dytë, “Martesat te shqiptarët e Kosovës”, në fillim Hamza-Hasanaj ka trajtuar martesën tradicionale, rregullat sipas traditës por edhe sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Në këtë pjesë Hamza-Hasanaj e ka përshkruar gjithë ritin e martesës duke filluar me mesitin që i paraprin fejesës, fejesën, dasmën në shtëpinë e djalit dhe kanagjeqin në shtëpinë e vajzës.

Gjithashtu ka paraqitur ndryshimet në mes të martesës tradicionale dhe asaj moderne, dallimet, të përbashkëtat, faktorët të cilët kanë ndikuar në këto ndryshime, për të vazhduar edhe me bashkëjetesën e cila sot është shumë e pranishme në kulturën shqiptare në përgjithësi e në këtë rast në Kosovë në veçanti.

Të gjithë këtë trajtim për martesat, si pjesë e ciklit jetësor të njeriut për të cilin janë praktikuar shumë rite që dëshmon se i kushtohet shumë rëndësi në traditën tonë, ajo e ka mbështetur në teoritë e shumë studiuesve të huaj edhe shqiptarë, të cilët janë marrë me martesën qoftë si traditë, apo edhe si fenomen ndërfetar.

Në kapitullin e tretë, “Martesat fetare”, Hamza-Hasanaj, fillimisht ka shtruar problematikat sa i përket fesë dhe religjionit, duke u bazuar edhe në teoricienë të tjerë të cilët janë marrë me këtë tematikë.

Nga mënyra e trajtimit të kësaj dukurie, mund të kuptojmë se pavarësisht emancipimit e zhvillimit kulturor të shoqërive, besimi dhe feja kanë shumë rëndësi në të gjitha praktikat rituale madje ‘në fe përmbahet kuptimi i të gjithë ritualit’.

Duke u mbështetur në këto teori kuptojmë se feja, religjioni e besimi është një faktor i rëndësishëm në shumë shoqëri e kultura në përgjithësi, ai është pjesë e traditës së pandashme që përcjell ritet e jetës.

Studiuesja Hamza-Hasanaj fokus të studimit i ka pasur martesat në mes çifteve të besimit mysliman dhe atij katolik. Për ta ilustruar mënyrën se si funksionojnë këto martesa ajo i ka theksuar të gjitha obligimet që kanë çiftet ndaj fesë, veprimet e lejuara dhe të ndaluara sipas besimeve përkatëse fetare por edhe elementet e përbashkëta kombëtare që e karakterizojnë martesën të shqiptarët.

Në nënkapitujt, martesat sipas riteve fetare myslimane dhe martesat sipas riteve fetare katolike, autorja na paraqet në mënyrë të detajuar të gjitha rregullat sipas Kuranit, dhe kishës të cilat e karakterizojnë një martesë fetare.

Ajo ka biseduar edhe me përfaqësuesit fetar, gjegjësisht të kishës katolike të cilët i kanë paraqitur rregullat që ka kisha për të qenë një martesë e mirëfilltë katolike.

Gjithashtu Hamza- Hasanaj, për të paraqitur obligimet të cilat i përcakton feja në një martesë fetare ka bashkëbiseduar me subjekte të ndryshme.

Përmes rrëfimit të këtyre subjekteve autorja ka sjellë përvojat personale të tyre duke treguar se si funksionojnë këto martesa, përfshirë këtu edhe përkushtimin apo mos përkushtimin e tyre ndaj fesë; sa i respektojnë rregullat fetare ata si çift; si kanë vendosur ata për besimin që do të mbajnë fëmijët e tyre; apo do t’i lejojnë që të vendosin vetë fëmijët; cili (burri apo gruaja) janë më të përkushtuar ndaj besimit; a ka pasur imponime për besime në këto martesa, e çështje tjera shumë më interes që i shoqërojnë martesat me besime të ndryshme.

Hamza- Hasanaj i ka ndërlidhur dhe ballafaquar përvojat e subjekteve që vijnë nga martesat e dy besimeve, duke treguar për pengesat e njërës dhe palës tjetër. Duhet theksuar këtu që autorja të gjitha subjektet i ka vetëm nga besimi mysliman dhe ai katolik. Nga bashkëbisedimet me subjekte arrin në përfundime se te këto martesa ndërfetare pavarësisht përkushtimit fetar, ka dominuar elementi kombëtar si në ritet, ashtu edhe në emra, por ajo që i ka begatuar më shumë këto martesa me besime të ndryshme është shumëllojshmëria e festave fetare, për dallim nga martesat me besime të njëjta.

Në kapitullin e fundit gjegjësisht të katërtin “Martesat e përziera ndëretnike” Hamza- Hasanaj, është ndalur në trajtimin e martesave të çifteve me përkatësi kombëtare të ndryshme.

Fillimisht në Kosovë kishte martesa në mes kombeve që jetonin këtu, por më vonë duke pasur parasysh migrimin e madh kryesisht gjatë viteve ’90, është krijuar mundësia shumë më e madhe për martesa me kombe tjera. Për arsye të përhapjes së fenomenit të martesave në mes shqiptarëve dhe kombeve të tjera, Hamza-Hasanaj i ka trajtuar edhe disa martesa  në mes të çiftëve që dallojnë jo vetëm nga besimi por edhe përkatësia kombëtare.

Në vazhdim të kësaj monografie është “Përfundimi” në të cilin autorja sjell rezultatet e punës hulumtuese e shkencore të arritura, e si rezultat përfundimtar i gjithë punës hulumtuese është edhe botimi i kësaj monografie. Gjithashtu në fund është edhe literatura e cila i ka ndihmuar për ta sjellë sa më të plotë këtë studim.

Studimi monografik “Martesat ndërfetare te shqiptarët në Kosovë” i autores Angjelina Hamza- Hasanaj,  është një kontribut i çmuar për albanologjinë, duke pasur parasysh se është studimi i parë në këtë përmasë për sa u përket martesave të përziera të shqiptaret në Kosovë.

Pa dyshim që kjo monografi do  t’ju hapë rrugë studimeve të mëtejme rreth martesave ndërfetare. Shfrytëzimi i literaturës që i përket fenomenit të martesave të përziera, hulumtimi dhe bashkëbisedimi me subjektet gjithandej Kosovës, përmes të cilëve ajo sjellë gjithë këtë fenomen e bën të kompletuar dhe të rëndësishme këtë monografi për kulturën tonë. Përfshirja e të gjitha segmenteve qoftë fetare, tradicionale, e të kanunit, analiza e të gjitha elementeve i jep këtij studimi dimension analitik duke i shtuar vlerat e përgjithshme si studim i veçantë.