Mitrovica e Veriut, Foto: KALLXO.com

Nga Dinari në Euro: Qytetarët serb të shqetësuar e pa informuar

Qytetarët serb në Kosovë thonë se kanë mungesë të informacioneve adekuate lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të rregulluar politikën e transaksioneve vetëm në euro, duke e konsideruar këtë si presion shtesë ndaj tyre dhe vendim politik.

Petar Gjorgjeviq, banor nga komuna e Graçanicës, konsideron se politika e re e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e euros si monedhën e vetme për transaksione do të bëjë jetën më të vështirë për komunitetin e tij.

“Serbët lokalë e perceptojnë këtë vendim negativisht, duke e konsideruar si dëmtues. Ata ndihen të izoluar dhe pa zë në këtë proces. Qytetarët nuk janë informuar mjaftueshëm para se të merrej ky vendim dhe ka rritur kështu ndjenjën e zhgënjimit dhe pasigurisë”-tha ai.

Gjorgjeviq shpjegoi se “serbët më të rinj, sidomos ata që marrin pagat në dinarë, kanë përdorur llogari bankare të kombinuara për këtë ndryshim, por kjo paraqet sfida për më të dobëtit, si tregtarët dhe individët me aftësi të kufizuara, që kanë mungesë në qasjen në teknologji dhe udhëzime të qarta”- shtoi më tej ai.

Disa serbë në Kosovë, me të cilët ka folur BIRN dhe që përdorin çdo ditë dinarë serbë të marr nga Serbia si pensione, paga ose ndihma, shpjeguan se komuniteti në përgjithësi ndihet i izoluar dhe pa zë në procesin e vendimmarrjes lidhur me rregulloren e re të BQK-se, e cila, mes të tjerave, rregullon politikën e përdorimit të euros si valutën e vetme.

Kosova ka përdorur euron që nga viti 2002, por komunat me shumicë serbe, veçanërisht në veri, përdorin edhe dinarët serbë. Rregullorja e re që synon luftën kundër parave të fallsifikuara, hyri në fuqi më 1 shkurt, edhe pse komuniteti ndërkombëtar kërkonte shtyrjen e tij.

Më datë 7 shkurt 2024, Ministri i Komuniteteve dhe Kthimeve të Kosovës, Nenad Rashiq, në një konferencë për media pas një takimi me Kryeministrin Albin Kurti dhe Guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili, tha se “kanë arritur në një përfundim se kjo është periudhë kalimi, kështu që përdoruesit do të kenë mundësinë të përgatiten për përdorimin e rregullores. Nga aspekti ligjor dhe teknik, kjo është mënyra e duhur për të vazhduar”-deklaroi ai.

Qytetarët ndjejnë se janë “përdorur” për interesa politike

Flamuj të Serbisë në Mitrovicën e Veriut – Foto: REL/Reuters

Serbët në Kosovë janë të hutuar rreth përkthimit të politikës për përdorim vetëm të euros në jetën e përditshme, derisa ndihen edhe të përdorur nga politika.

“Kjo pasiguri ka çuar në rritjen e ankthit dhe panikut te pensionistët, e dukshme në kohën më të gjatë të pritjes në zyrat postare”- tha Gjorgjeviq  për BIRN.

Gjorgjeviq e vlerëson këtë vendim si të padrejtë ndaj qytetarëve të Kosovës. Ai shtoi se është skeptik se reagimet nga vendet e QUINT-it dhe partnerët e tjerë të Kosovës do të shtyjnë qeverinë të kthejë këtë vendim.

“Ky vendim jo vetëm që destabilizon stabilitetin financiar të qytetarëve, por rrezikon edhe shërbimet esenciale, si shëndetësia dhe arsimi, të varura nga mbështetja e Serbisë, e garantuar nga Marrëveshja e Brukselit”- tha ai.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ismaili, në një intervistë për “Kallxo Përnime” më 4 shkurt, sqaroi se politika për përdorim vetëm të euros nuk pengon serbët në Kosovë të mbajnë dhe të marrin dinarë, por rregullon importin dhe konvertimin e tyre si dhe lufton rrjedhën e parave të paligjshme nga Serbia.

Ismaili pretendon se vetëm në vitin 2023, mbi 200 milionë euro kanë hyrë në Kosovë nga Serbia,  kryesisht në veri të Kosovës në komunat me shumicë serbe. Ismaili insiston se askush nuk ndalohet të mbajë, konvertojë, ose pranojë fonde në dinarë, përderisa gjithçka bëhet përmes transaksioneve legale.

Rregullorja synon të luftojë paratë të fallsifikuara “Monedha e vetme e lejuar për të kryer transaksione me pagesë në cash dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro”.

 Monedhat e tjera jo-euro mund të përdoren … vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike, ose në llogari bankare në monedha jo-euro, për kryerje pagesash ndërkombëtare në monedha jo-euro dhe për veprimtaritë e këmbimit valutor, theksohet tutje në rregullore.

 Konfuzioni rreth zbatimit të rregullores vazhdon

Dinarë serbë, Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Dushan Radakoviq, anëtar i OJQ-së Qendra për Kulturën Demokratike, ACDC, tha se çështja e dinarëve është problem i rëndë për qytetarët që mbështeten në subvencionet nga Beogradi dhe e sheh si presion “dhe vendim që është marrë vetëm me shkak të bërjes së jetës të vështirë për serbët”.

“Për komunitetin serb, kjo është vazhdim i presionit që ka vazhduar për më shumë se dy vjet. Serbët në Kosovë kanë qëndruar dhe kanë mbijetuar kryesisht për shkak të të ardhurave që vijnë nga Serbia”- tha ai.

Në të njëjtën mënyrë, Gjorgjeviq thekson se qeveria e Kosovës “harroi qytetarët e saj, duke i përdorur si lojë të shahut”  në bisedimet me Serbinë.

Për më tepër, sipas Radakoviq, pa paratë që vijnë nga Serbia, “komuniteti serb është dënuar me varfëri, sepse, për dallim nga shqiptarët, ata kanë shumë më pak mundësi në Kosovë”.

Serbët e Kosovës besojnë se ndalimi i pagesave në dinarë është thjesht një tjetër shkelje e qeverisë së Kosovës ndaj tyre.

Përfaqësues të Qendrës për Paqen dhe Tolerancën (CPT), Radios Gorazhdevci dhe organizatave tjera shoqërore serbe në Kosovë, të enjten në një konferencë mediale, kritikuan Qeverinë dhe Ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, në lidhje me veprimet e fundit të Policisë së Kosovës, të cilat sipas tyre “përfaqësojnë shkelje të hapur të lirisë së medias dhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shoqërisë civile”.

Darko Dimitrijeviq, gazetar i Radio Gorazhdec, akuzoi policinë e Kosovës për keqtrajtim gjatë kontrollit të zyrave të medias së tyre më 2 shkurt, gjatë aksonit policor që mbylli zyrat e drejtuara nga Serbia, që funksionin si komuna paralele në Kosovë.

“Kjo ka zgjatur për 5 minuta, dhe pastaj u larguan. Kam një përshtypje të hidhur pasi u kërcënuam dhe nuk na u lejua të bënim foto ose video”- tha Dimitrijeviq.

Çështja e moslejimit të pagesave në dinarë thekson një problem të përditshëm tjetër që Kosova dhe Serbia nuk janë pajtuar, pavarësisht dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili ka mbi një dekadë.

Drejtoresha e portalit Kossev, Tatjana Lazarevic tha se serbët janë të pakënaqur, të shqetësuar, të frikësuar madje duke ndjerë se mirëqenia dhe jeta e tyre e përditshme është e kërcënuar nga kjo rregullore.

“Edhe dinjiteti është i lënduar nga mënyra si është bërë Rregullorja dhe e kanë mbështetur autoritetet e Kosovës. Nuk e komunikuan dhe as trajtuan drejtë nga Prishtina ose Beogradi, përveçse në rastin e këtij të fundit, nuk është që kanë nxjerrë ndalimin e dinarëve, por ajo që siguron më tej benefitet “, tha drejtoresha e Kossev”-Tatjana Lazareviq.

Sipas saj, Qeveria e Kosovës, me një vendim të tillë të shpejtë, të pa-komunikuar ndaj qytetarëve të saj serbë ka shtyrë akoma më tej veten kundër komunitetit serb të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 4 shkurt deklaroi se rregulli i Bankës Qendrore nuk duhet të interpretohet si një sulm ndaj dinarit serb.

Megjithatë, kryetari i Këshillit të Rinisë të Graçanicës, Dusan Borisavljeviq, e sheh gjithashtu këtë rregullore si një presion të vazhdueshëm ndaj serbëve në Kosovë, duke e përshkruar atë si një mjet për t’i frikësuar dhe demotivuar ata.

“Ky vendim i fundit i Bankës Qendrore të Kosovës është vetëm një mjet tjetër që përdoret për të frikësuar dhe demotivuar më tej serbët që jetojnë në Kosovë. Kjo është diçka që thuhet zakonisht nga njerëzit”- tha ai.

Sipas tij, vendimi ishte i panevojshëm dhe do të ketë ndikim negativ në situatën ekonomike dhe marrëdhëniet midis njerëzve.

“Kjo nuk ishte e nevojshme fare, ky vendim do të ketë thjesht një ndikim negativ në situatën ekonomike tashmë të keqe në Kosovë, por gjithashtu do të ndajë më tej njerëzit dhe do të nxitë problemet e mëdha të emigracionit të të rinjve”- shtoi ai më tej.

OSBE-ja, BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për Kosovën që të ndalë veprimet e njeanshme që prekin komunitetin serb për të evituar eskalimin e tensioneve, duke kërkuar kohë për zbatimin e politikës për përdorim të euros për serbët në Kosovë.

Aktivistja e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, Mila Mihajloviq, tha se për shkak të vendimeve politike të fundit rreth kësaj çështjeje, as reagimet as opinionet nuk janë pozitive.

“Monedha është përdorur në të gjitha llojet e rasteve, shpejtësia e vendimit ka ndikuar në përshtypjet negative nga komuniteti serb në përgjithësi, por kjo nuk përfundon këtu”- tha Mihajloviq.

Tutje ajo shtoi  se “ndalja e përdorimit të dinarit serb për të gjitha transaksionet gjithashtu ndikon në rritjen e tensioneve ndëretnike, e cila nuk është një zgjidhje e dëshirueshme”.

“24 vite pas konfliktit, çfarë paraqet shqetësim kryesor nuk është përdorimi i dinarit, por fakti që Serbia dhe Kosova nuk mund të gjejnë një pikë të përbashkët për të vendosur paqen ose moderuar një dialog që do të përfitonin të dyja palët dhe qytetarët e tyre”- theksoi ajo.

Ky shkrim paraprakisht është publikuar në Prishtina Insight.