Foto: KALLXO.com

Tjetër stagnim i Kosovës: Të drejtat e LGBT në kohë konfliktesh

Kosova ishte menduar të bëhej vendi i parë me shumicë myslimane që do të njihte bashkëjetesën e personave të gjinisë së njëjtë. Çfarë shkoi keq?

Muajin e kaluar, kryeministri Albin Kurti më në fund iu bashkua listës së liderëve kosovarë të cilët kishin marrë pjesë nëpër Paradat e Krenarisë. Pjesëmarrja në ngjarjet e Paradës së Krenarisë në Prishtinë ishte në modë për elitat politike – nëse për asgjë tjetër, ishte një mjet për të shfaqur prirjet liberale të Kosovës te miqtë e saj në  Evropë dhe SHBA. Por, Kurtit nuk i është ngutur t’i bashkohet këtij procesioni – parada e këtij viti shënoi herën e parë ku mori pjesë si kryeministër. Mungesa e tij në paradat e kaluara ishte vërejtur nga aktivistët LGBT, duke bërë që disa nga ta të vinin në pikëpyetje nëse ai ishte në të vërtetë aleati që pretendonte të ishte. Duke iu bashkuar marshuesve të 10 qershorit, muajin e kaluar, kryeministri u përpoq t’i shuajë këto dyshime. Ai pozoi për foton e detyrueshme të Krenarisë – bluzën e bardhë dhe të pastër të politikanit kundër një sfondi flamujsh ylberi – dhe deklaroi se po merrte pjesë në marshimin e këtij viti sepse mbështeste kërkesat e aktivistëve për “barazi dhe liri”.

Muaji i krenarisë këtë vit përkoi me një thyerje të jashtëzakonshme në marrëdhëniet mes Kosovës dhe miqve të saj në Perëndim. Qeveria e Kurtit u paralajmërua nga BE-ja dhe u sanksionua nga SHBA pas një përplasjeje të dhunshme mes paqeruajtësve ndërkombëtarë dhe protestuesve nga pakica serbe e Kosovës. Kurti u akuzua se kishte provokuar krizën: protestat u ndezën pasi ai vendosi kryetarët shqiptarë etnikë në komunat në veri që dominohen nga serbët. Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, fitoi një shumicë historike dy vjet më parë, pasi votuesit u kthyen kundër një establishmenti politik të dominuar nga veteranët në plakje të luftës guerile kundër Beogradit. Premtimi i partisë për të tronditur sistemin e ka fituar etiketën “populiste”, ndërsa programi i saj ekonomik – që parashikon një rol më të madh për shtetin – konsiderohet si i majtë.

Ndërkohë, në qëndrimin e saj ndaj Serbisë, Vetëvendosje karakterizohet si nacionaliste, pasi ndjek një qasje konfrontuese që prek frustrimet e shumë shqiptarëve të Kosovës. BE-ja ka ndërmjetësuar një dialog që synon “normalizimin” e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, me synimin për të avancuar kërkesat e të dyja palëve për t’u bashkuar me bllokun. Megjithatë, bisedimet për fatin e pakicës serbe në veri të Kosovës janë bllokuar.

Marshi i Krenarisë në Prishtinë i ofroi Kurtit një mundësi që të fotografohet me një pakicë më pak problematike, duke u përballur me një tjetër lloj bllokimi. Kushtetuta e Kosovës, e miratuar me shpalljen e pavarësisë në vitin 2008, parasheh njohjen ligjore për bashkimet e të njëjtës gjini. Por ligji nuk mund të miratohet sepse parlamenti i Kosovës ka dështuar të miratojë një kod të ri civil, pjesë e sistemit ligjor që merret me çështjet jopenale si martesa, divorci dhe mosmarrëveshjet mbi pronën dhe trashëgiminë. Në një deklaratë që shoqëronte paraqitjen e tij në Paradën e Krenarisë, Kurti siguroi aktivistët LGBT se do të “bënte maksimumin” për të kaluar kodin në parlament.

Legalizimi i bashkimit të së njëjtës gjini dhe organizimi i marshimeve të Krenarisë janë më shumë se pikë referimi në luftën për të drejtat e LGBT. Për vendet përgjatë krahut lindor të BE-së, ato përfaqësojnë gjithashtu arritje në udhëtimin e gjatë drejt BE-së. Nga shtetet anëtare si Polonia dhe Hungaria tek anëtarët aspirantë si Kosova dhe Serbia, kauza e të drejtave të LGBT-së shihet, për të mirë ose për keq, si sinonim i vlerave liberale të përkrahura nga BE-ja. “Të drejtat LGBT janë bërë një parim thelbësor i identitetit të BE-së – ato shihen si një kanarinë në minierën e qymyrit të demokracisë”, tha Koen Slootmaeckers, një ligjërues për politikën ndërkombëtare në City, Universiteti i Londrës, dhe autor i një libri mbi anëtarësimin në BE dhe të drejtat e LGBT. “Nëse diçka nuk është në rregull me të drejtat LGBT, atëherë mund të presim probleme më të mëdha me të drejtat themelore në fusha të tjera”.

Në të gjithë Evropën, lufta për të drejtat e LGBT-së tenton të inkuadrohet në terma të luftës kulturore, si një betejë vlerash. Nga njëra anë: Brukseli dhe liberalët nga i gjithë spektri politik. Nga ana tjetër: nacionalistët, tradicionalistët, konservatorët, kisha, si dhe homofobë të çdo brezi. Por vijat e frontit mund të mjegullohen. Në Holandë, për shembull, seksione të së djathtës nativiste kanë miratuar flamurin ylber për të promovuar pretendimin ksenofobik se të drejtat LGBT janë nën kërcënim nga emigrantët. Në Serbi, një udhëheqës i fortë me prejardhje nacionaliste ka emëruar një lezbike si presidente dhe ka garantuar sigurinë e marshimeve të Krenarisë. Dhe në Kosovën me shumicë myslimane, nacionalistët që duan të anëtarësohen në BE kanë zgjedhur një parti të majtë që nuk mund të bëjë që parlamenti që kontrollon, të miratojë martesat e të njëjtit seks.

“Politika aktuale e të drejtave LGBT është e ndërlikuar”, thotë Slootmaeckers. Gjithçka varet nga kush është në pushtet dhe çfarë duan dhe si lidhet kjo me politikën e brendshme, me imazhin rajonal që duan të ndërtojnë dhe me marrëdhëniet e tyre me BE-në. Slootmaeckers argumenton se theksi mbi vlerat kontradiktore shpesh shërben si perde tymi, duke errësuar ato që ka më shumë gjasa të jenë manovra taktike. “Të drejtat LGBT janë bërë fantazmë”, tha ai. “Nuk ka të bëjë me këtë çështje në vetvete, ka të bëjë më shumë me një lojë pushteti”.

Miratimi parlamentar i kodit civil prej 997 faqesh i Kosovës është penguar për dy fjali: “Lejohen bashkimet e regjistruara civile ndërmjet personave të së njëjtës gjini. Kushtet dhe procedurat rregullohen me ligj të veçantë”. Klauzola e shkurtër, pika dy sipas nenit 1138, parashikon premtimin e njohjes ligjore për bashkimet e të njëjtit seks, ndërsa i lë të gjitha detajet – “kushtet dhe procedurat” – për më vonë.

Çfarë mund të na thotë gjendja e të drejtave LGBT në Kosovë për dinamikën e pushtetit të vendit? Si i promovon saktësisht BE-ja këto të drejta? Dhe si janë vënë në përdorim dy fjali të ligjit nga klasa politike e Kosovës, duke mos shërbyer për asnjë qëllim për qytetarët e saj?

 

Qytetarët

E çliruar nga bombardimet e NATO-s, Kosova doli në shekullin e 21-të si motoja e intervencionizmit liberal, një histori që i bënte të ndiheshin mirë pas katastrofës që ndodhi në Bosnje. Gjatë periudhës së “luftës kundër terrorit”, Kosova mbeti një shembull nga më të rrallët që ekzistojnë – një vend me shumicë të popullsisë myslimane e që ishte instinktivisht vend pro-amerikan. Përderisa në kryeqytete të ndryshme që nga Londra e deri në Xhakartë pati protesta masive kundër invazionit të Irakut nga Shtetet e Bashkuara, në Prishtinë kishte një statujë të Bill Klintonit, një bust të Sekretares së tij të Shtetit, Madeline Albright si dhe një gjeneratë të djemve të rinj që mbajnë emrin “Tonibler”.

Kushtetuta pasqyronte besimin se një shoqëri në aspektin social konservatore, e varfëruar nga lufta, korrupsioni dhe emigracioni, mund të shndërrohej në një shoqëri më liberale. Ndër të tjera, ajo parashikonte që Kosova të bëhej vendi i parë me shumicë myslimane që ndalon diskriminimin në bazë të orientimit seksual. Në fakt, kjo dispozitë u garantonte çifteve të të njëjtit seks të drejtën për t’u martuar.

“Që kjo e drejtë të realizohet në praktikë, kjo duhet të rregullohet me ligj, ashtu siç e rregullon ligji për familjen të drejtën për martesa tradicionale”, tha Ehat Miftaraj, një ish-zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë, i cili tani drejton një institut që merret me çështje të drejtësisë, Instituti i Kosovës për Drejtësi. Pa kodin civil, çiftet në marrëdhënie të të njëjtit seks kanë më pak të drejta se çiftet në marrëdhënie heteroseksuale. Ata mund të jetojnë së bashku sikur të ishin të martuar, por aty ku ka një mosmarrëveshje ose një trashëgimi për t’u kontestuar, ata nuk kanë status ligjor, nuk mund të gjejnë mbështetje në gjykata.

Ndërsa çifteve të të njëjtit seks thjesht u mohohen të drejtat e tyre kushtetuese, një kategori shumë më e madhe njerëzish – nga bashkëshortët e divorcuar deri te vëllezërit e motrat që grinden për trashëgiminë – nuk janë të sigurt për të drejtat e tyre. Aty ku Kosova duhet të ketë një kod civil, ajo ka një sistem të improvizuar ligjor të mbushur me mospërputhje dhe dykuptimësi. Gjykimet jepen në bazë të një sërë legjislacioni, disa të bartura nga epoka jugosllave, disa të kopjuara nga vitet e mëvonshme si protektorat i OKB-së. “Sistemi i së drejtës familjare duhet të reflektojë standardet ndërkombëtare”, tha Miftaraj. “Kodi civil plotëson boshllëqet e lëna nga praktika e keqe – ai ofron një kornizë moderne për dhënien e drejtësisë”.

Megjithëse kodi civil shihet si një hap në drejtimin e duhur për të drejtat LGBT, ai gjithashtu është kritikuar se nuk ka shkuar aq larg sa duhet. Vullnet Krasniqi, një aktivist për të drejtat e LGBT, thekson se projektkodi “nuk garanton të drejta të barabarta në martesë për të gjithë”.

Në vend të kësaj, tha ai, krijon një sistem me dy nivele, ku bashkimi civil është i “rangut dytësor” ndaj martesës midis heteroseksualëve.

Joni, një menaxher marketingu nga Prishtina, i cili kërkoi të mos identifikohej me emrin e tij të vërtetë, gjithashtu kritikoi parlamentin për ndalimin e njohjes së martesave midis çifteve të të njëjtit seks. “Ky është diskriminim taktik”, tha ai. “Një prej kritereve të plotësuara nga politikanët që të kënaqin komunitetin ndërkombëtar duke u mohuar personave LGBT të drejtat e tyre”. Megjithatë, Joni nuk ka gjasa t’i kërkojë këto të drejta për veten e tij si një burrë homoseksual. “Unë nuk jam adhurues i martesës, personalisht”, tha ai. Ai gjithashtu vuri në dyshim nëse ia vlen të sigurohet e drejta për të krijuar një familje në një shoqëri ku fanatizmi mbetet i përhapur. “Kosova është larg nga të qenit një vend ideal për një çift të të njëjtit seks që të adoptojë një fëmijë – mund të mendohet vetëm se sa shumë do të ngacmohej fëmija”, tha ai, duke përmendur se si nxënësit e shkollës nga minoritetet rome dhe ashkali shpesh izoloheshin nga shokët e tyre të klasës shqiptarë.

Qëndrimet homofobike janë të zakonshme në Kosovë, siç mund të matet nga kontrollim i shpejtë i reagimeve në mediat sociale ndaj ngjarjeve lokale lidhur me Paradën e Krenarisë. Por shoqëria po ndryshon. Prishtina, shtëpia e afërsisht një në çdo tetë prej 1.8 milionë qytetarëve të Kosovës ka lokalin e saj të homoseksualëve, Bubble, i menaxhuar nga një kosovar që është haptas person transgjinor. Vendi tërheq një turmë të përzier, modele flokësh sportive e pirsingë që nuk do të dukeshin të pazakontë në distriktet gay edhe në Londër ose Berlin. Argëtimi ofrohet nga drag artistë dhe DJ ndërkombëtarë. Rrjedha e përgjithshme kulturore poashtu luan rolin e saj në lehtësimin e tabuve. Në dhjetor të vitit të kaluar, versioni ekskluziv vendor, Big Brother, përfshiu mbretëreshën e tij të parë drag, e cila është bërë e famshme.

Përderisa personave LGBT ende u mohohen shumë të drejta, aktivisti Vullnet Krasniqi tha se komuniteti nuk e ka pasur kurrë punën më mirë. “Kjo mund të tingëllojë utopike”, tha ai, “por më kujtohen kohët kur askush nuk guxonte ta përmendte këtë temë në publik. Komuniteti është më i dukshëm, më aktiv në jetën publike, se kurrë më parë”.

Joni tha se kolegët e tij të marketingut në Prishtinë ishin të vetëdijshëm për seksualitetin e tij dhe kjo nuk kishte krijuar kurrë ndonjë problem. Ai kërkoi të citohet në mënyrë anonime, jo sepse kishte frikë nga diskriminimi, por, tha ai, sepse nuk donte që pikëpamjet e tij të konsideroheshin si përfaqësues i personave LGBT. “Jeta në Kosovë është mjaft e vështirë për të gjithë”, tha Joni. Siç e sheh ai, orientimi i tij seksual është një identitet mes shumë njerëzve, krahas të qenit qytetar i një prej vendeve më të varfra të Evropës dhe mbajtës i një “pasaporte të pavlerë”.

Sovraniteti i Kosovës aktualisht njihet nga më shumë se 100 shtete. Megjithatë, pesë nga 27 shtete anëtare të BE-së nuk e njohin atë, ndërsa Spanja nuk e njeh as pasaportën e Kosovës. Negociatat me Serbinë nisën në vitin 2011, tre vjet pas shpalljes së pavarësisë. Progresi në bisedime mund të çojë në njohje të gjerë të sovranitetit të Kosovës, si dhe një nxitje për ofertat e Beogradit dhe Prishtinës për anëtarësim në BE. Por me një zgjidhje që duket se nuk është e afërt, ekonomia ngec, sistemi i arsimit dhe shëndetësisë është në gjendje të rëndë, ambasadat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Prishtinë përpunojnë dhjetëra mijëra kërkesa për viza nga të rinjtë e frustruar kosovarë çdo muaj. Në rrugë, lidershipi në Bruksel, Prishtinë dhe Beograd merr secili pjesën e vet të fajit. “Politikanët në Kosovë dhe Serbi kanë nevojë për njëri-tjetrin”, thotë Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili tani punon si ekspert televiziv. “Për sa kohë të ketë krizë, ata do të qëndrojnë në pushtet”.

 

Europa

Zyrat e Bashkimit Evropian shfaqin në mënyrë rutinore flamuj të Krenarisë, por vetë institucionet kanë një nocion të turbullt dhe joformal se çfarë përbëjnë të drejtat LGBT. “BE nuk ka asnjë mënyrë për të përcaktuar se cilat janë këto të drejta”, tha Koen Slootmaeckers nga City Universiteti i Londrës. “Për të krijuar ato që kuptohen si të drejta LGBT, ajo mbështetet në standarde të tjera” siç janë ato të vendosura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, tha ai. Detyrimi për të njohur martesat e të njëjtit seks, për shembull, mbështetet në vendime të shumta të Gjykatës dhe jo ndonjë pjesë specifike e legjislacionit të BE-së.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është e vendosur në Strasburg dhe mbikëqyret nga Këshilli i Evropës. Të dy institucionet janë më të vjetra se Bashkimi Evropian dhe të pavarura prej tij. Këshilli punon me Gjykatën për të mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në të gjithë kontinentin. 46 shtetet anëtare të saj, përfshijnë Serbinë, e cila ka lobuar për të bllokuar përpjekjen e Kosovës për t’iu bashkuar këtij organizmi. Megjithatë, pozita e Serbisë u dobësua vitin e kaluar nga dalja e aleatit të saj në Këshill, Rusisë, pas invazionit në Ukrainë. Duke parë një mundësi historike, Kosova aplikoi zyrtarisht për t’u anëtarësuar në Këshill majin e kaluar. Aplikimi i saj u pranua për shqyrtim nga parlamenti i Këshillit, duke hequr pengesën e parë në atë që ka të ngjarë të jetë një proces i ndërlikuar diplomatik. Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gervalla-Schwarz, e përshëndeti vendimin si një “hap historik, ndoshta më i rëndësishmi që nga pavarësia jonë”, ndërsa paralajmëroi se procesi i anëtarësimit mbetet “i gjatë dhe i vështirë”.

Qytetarët e shteteve anëtare të Këshillit të cilët janë të zhgënjyer nga gjykatat në vendin e tyre, teorikisht, mund ta çojnë çështjen e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Derisa Kosova të bëhet anëtare e Këshillit, qytetarët e saj nuk kanë një mbrojtje të tillë. Sistemi i saj ligjor duhet të rishikohet përpara se të anëtarësohet në Këshill, thonë ekspertët, ose përndryshe Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut mund të mbushet me raste nga Kosova. Një kod civil funksional shihet si një parakusht për ofertën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill.

Kosova ka shumë për të përfituar nga anëtarësimi, sipas Demush Shashës, një ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Integrimit Evropian të Kosovës dhe drejtues aktual i Institutit EPIK, i fokusuar në procesin e integrimit. Anëtarësimi në Këshill, tha ai, do të çonte përpara kërkesën e Kosovës për njohje ndërkombëtare – “do të ishte përparimi më i madh në këtë proces për vite me radhë”. Të drejtat e qytetarëve të Kosovës do të mbroheshin më mirë, shtoi ai, ndërsa përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar lirinë e mediave do të përshpejtoheshin.

Nga ana e saj, BE-ja i ka dhënë Kosovës miliona euro për të reformuar sistemin e saj të drejtësisë. Megjithatë, ajo ka pak mjete të drejtpërdrejta për të promovuar të drejtat LGBT, ashtu siç nuk ka asnjë mekanizëm për përcaktimin e tyre. Sipas Slootmaeckers, mbështetja e saj për të drejtat LGBT priret të ofrohet brenda një kompetence më të gjerë të shtytjes për ligje kundër diskriminimit. Megjithatë, BE-ja nuk mund t’i detyrojë anëtarët ose anëtarët aspirantë të miratojnë ligje specifike për të mbrojtur personat LGBT, tha ai. “BE-ja nuk ka kompetencë kur bëhet fjalë për ligjin për familjen… Nuk ka asnjë bazë të kërkojë paradat e krenarisë dhe martesat e të njëjtit seks si kusht për anëtarësim”.

 

Klasa politike

Perspektiva e legalizimit të martesave të të njëjtit seks nxiti një shfaqje të pazakontë uniteti nga udhëheqësit fetarë të Kosovës. Në prag të votimit mbi kodin civil, kleriku më i lartë islamik i vendit lëshoi ​​një deklaratë të përbashkët me figura të larta që përfaqësonin kishat katolike dhe ungjillore, si dhe besimin hebre. Deklarata theksoi kundërshtimin kolektiv të liderëve ndaj idesë që dy persona të së njëjtës gjini të lejohen të martohen dhe të krijojnë një familje. Kisha Ortodokse Serbe, që merr mbështetje nga pakica serbe në veri të Kosovës, nuk i dha mbështetje deklaratës. Megjithatë, mungesa e saj pasqyronte më shumë raportet e saj të ftohta me Prishtinën se sa ndonjë divergjencë me besimet e tjera, pikëpamjet e të cilëve për të drejtat LGBT kanë jehonë brenda Kishës.

“Bashkësitë fetare në Kosovë mund të përdorin gjuhë urrejtjeje kundër njëra-tjetrës për shkak se ato ndryshojnë në lidhje me emrat e profetëve të tyre apo mënyrën se si i drejtohen Zotit, por ata janë mjaft të bashkuar në kundërshtimin e tyre ndaj martesave të të njëjtit seks”, tha Vullnet Krasniqi, aktivist. “Fetë nuk kanë ndryshuar shumë – ato mbeten djep i prapambetjes së shoqërisë”.

Islamistët e Kosovës kanë qenë tradicionalisht lojtarë të vegjël në skenën politike. Laicizmi është i rrënjosur në kushtetutë ndërsa nacionalizmi që ka formësuar Kosovën bashkëkohore përqendrohet në gjuhën dhe kulturën e shumicës shqipfolëse dhe jo në besimin e saj islam. Përderisa ka një dimension fetar për armiqësinë midis popullatës shqiptare dhe serbe të vendit, kjo vështirë se është një forcë shtytëse.

Vetëvendosje filloi t’i afrohej votave islamike derisa ishte në opozitë. Më shumë se një dekadë më parë, partia kundërshtoi një rregullore të qeverisë që ndalonte nxënëset të mbanin mbulesën e kokës ose hixhabin islamik. Lidhjet e partisë me islamistët u afirmuan në vitin 2014, kur kundërshtimi i Vetëvendosjes sfidoi një dekret të qeverisë që ndalonte kosovarët të merrnin pjesë në luftërat e jashtme. Dekreti u nxit nga raportimet se të rinjtë kosovarë po dyndeshin në luftën në Siri. Vetëvendosje e kundërshtoi ligjin me arsyetimin se ai mund t’i pengojë kosovarët të rrëmbejnë armët në mbrojtje të pakicave etnike shqiptare në vendet fqinje.

Qeveria aktuale është e para që ka kapacitetin për të shtyrë ligjet në parlament pa pasur nevojë të mbështetet te partnerët e koalicionit apo elementët e opozitës.

56 deputetë nga 120 sa i ka parlamenti i takojnë partisë Vetevendosje, përderisa deputetët nga komunitetet pakicë ofrojnë mbështetje shtesë. Votimi për kodin civil, më 16 mars 2022, shënon rastin e parë – dhe deri më tani, i vetmi rasti kur shumica e partisë e ka zhgënjyer. Meqenëse në seancë morën pjesë 61 deputetë, një shumicë e thjeshtë prej 31 votash do ta kishte miratuar projektligjin. Megjithatë, vetëm 28 deputetë votuan pro kodit, ndërsa 29 votuan kundër.

Mocioni për miratimin e kodit civil ra për tri vota. Disa nga këto vota, teorikisht, mund të kishin ardhur nga partitë opozitare që kanë miratuar më parë rishikimin ligjor. Megjithatë, ditën kur kodi civil doli për shqyrtim, shumica e deputetëve të opozitës qëndruan larg parlamentit. Pothuajse gjysma e deputetëve – 59 në parlamentin me 120 vende – nuk u paraqitën për të votuar.

Në pamundësi për të kërkuar mbështetjen ndërpartiake, qeverisë do t’i duhej të mbështetej në mbështetjen dërrmuese të deputetëve të saj për të kaluar kodin civil në parlament. Dështimi i saj për të siguruar këtë mbështetje nxori në pah një përçarje brenda radhëve të saj. Nga 29 deputetë që votuan për refuzim të kodit, 14 ishin të Vetëvendosjes.

Të 14-të janë të njohur për pikëpamjet e tyre islamiste. Njëra prej tyre, Labinote Demi Murtezi, deklaroi se morali kërkon që martesa të kufizohet në çiftet heteroseksuale. “Çdo marrëdhënie jashtë këtij kombinimi konsiderohet të jetë e shthurur dhe e degjeneruar”, tha ajo në parlament. Një tjetër deputet islamist nga partia, i intervistuar më vonë në kushte anonimiteti, tha se grupi prej 14 vetash ishte i përgatitur të hiqte dorë nga kundërshtimi i tyre ndaj kodit civil nëse teksti në lidhje me martesat e të njëjtit seks “fshihej ose riformulohej”.

Partitë qeverisëse të Kosovës, përfshirë Vetëvendosjen, kanë pohuar vazhdimisht përkushtimin e tyre ndaj vlerave liberale të përqafuara nga aleatët perëndimorë. Megjithatë, liderët e partisë kanë mjete të kufizuara për të “shtyrë” deputetët e tyre. Sistemi zgjedhor u jep deputetëve një shkallë autonomie në parlament, duke i lejuar ata të argumentojnë se duhet të përfaqësojnë interesat e zgjedhësve të tyre mbi ato të partisë.

“Nuk mendoj se mund t’i ndryshoj mendjen askujt dhe t’i bëj të besojnë në konceptin e martesave të të njëjtit seks apo bashkësive civile”, tha Mimoza Kusari-Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. “Ajo që mund të përpiqem të bëj është t’i bind ata se ne nuk duhet t’i mohojmë askujt të drejtat e tyre”. Përvoja e Kusari-Lilës ofron një aluzion të diversitetit ideologjik brenda Vetëvendosjes. Para se të hynte në qeveri, ajo shërbeu si kryetare e qytetit të Gjakovës, duke u bërë gruaja e parë në vend që mban atë pozitë. Vëllai i saj njihet gjithashtu si pionier: ai emigroi në Kanada dhe krijoi një familje atje me burrin e tij.

Votimi për kodin civil dështoi pjesërisht për shkak të përplasjes së vlerave. Udhëheqja e Vetëvendosjes e mbështet kodin në formën e tij aktuale. Megjithatë, disa nga deputetët e saj kundërshtojnë njohjen e bashkësive të të njëjtit seks dhe votimi u dha atyre mundësinë për të vepruar sipas bindjeve të tyre. Por përplasja e vlerave është vetëm gjysma e historisë. Kodi civil ra gjithashtu viktimë e një loje pushteti nga opozita, e cila përdori votën për të krijuar ekuivalentin politik të një kurthi jashtë lojës. Duke qëndruar larg parlamentit, opozita synoi të minonte kredencialet liberale të Vetëvendosjes – votimi ishte një mënyrë për të treguar se islamistët mund të ushtronin një veto mbi politikën.

Analistët besojnë se opozita në fund shpresonte të nxirrte koncesione nga qeveria. Një deputet i opozitës, duke folur në parlament ditën e votimit, sugjeroi se qeveria ishte tradhtuar nga fraksionet që ajo kishte krijuar. “Nuk është faji ynë nëse dikush ka flirtuar me grupe të veçanta të interesit në një situatë zgjedhore dhe ato grupe tani po i kthejnë shpinën”, tha Driton Selmanaj, deputet i partisë së qendrës së djathtë, LDK. Megjithatë, ndikimi i islamistëve brenda Vetëvendosjes mund të jetë mbivlerësuar. Gjatë zgjedhjeve të brendshme të vitit të kaluar për komitetin drejtues të partisë, deputetët e fraksionit u mënjanuan – thuhet si hakmarrje për thyerjen e rendit të partisë mbi kodin civil.

Megjithatë, islamistët brenda vetëvendosjes mbesin një pengesë madhore në miratimin e Kodit Civil. Në mënyrë domethënëse, vota kundër kodit bashkoi një grup deputetësh që ishin të një mendje nga Vetëvendosje dhe parti të tjera. Sipas Abit Hoxhës, një asistent profesor në Universitetin e Agderit në Norvegji, i cili ka shkruar për peizazhin mediatik të Kosovës, kjo aleancë e lirshme mund të shihet si një pikë kthese për islamistët si bllok. “Fuqia e këtij grupi politik joformal shkon përtej agjendave partiake dhe mund të përkeqësojë ndarjet brenda Vetëvendosjes”, tha ai. Ai argumentoi se bashkëpunimi mbi kodin civil mund të sigurojë një model për marrëveshje të mëtejshme midis islamistëve të partive të ndryshme, mbi çështje të tilla si riprodhimi artificial dhe e drejta për të mbajtur shami.

Analistët besojnë se islamistët e guximshëm nuk ka gjasa që të mbështesin përpjekjet e mëtejme që ta miratojnë Kodin Civil në parlament. Alternativa e vetme e Kurtit mbetet që të bëjë marrëveshje me opozitën por edhe ky opsion mbetet pa gjasa. Animoziteti ndërmjet qeverisë dhe opozitës është në nivelin më të lartë dhe kjo është treguar me përleshjen e fundit në parlament. Tash për tash, paraqitja e Kurtit në Paradën e Krenarisë në qershor duket të ketë qenë gjerësisht një ushtrim simbolik, për të kompensuar mungesën e progresit substancial në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT.

Sa i përket BE-së, nevoja për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm në veri të Kosovës ka të ngjarë të ketë përparësi ndaj njohjes së të drejtave LGBT, sipas Koen Slootmaeckers, nga City Universiteti i Londrës. “Ne kemi parë prej kohësh se… nëse ka shqetësime gjeopolitike, të drejtat themelore priren të zhduken nga diskutimi”, tha ai.

Joni, menaxheri i marketingut nga Prishtina, nuk është optimist. Nëse do të ketë progres në fushën e të drejtave për LGBT, ai tha se kjo do të arrihej vetëm si nën-produkt i proceseve më të gjera politike. “Edhe nëse marrim anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha ai, “komuniteti LGBT do të përfaqësojë një mjet për një qëllim dhe jo një qëllim në vetvete.”

Leart Hoxha është kryeredaktor i rrjetit ATV në Kosovë. Kjo storje është prodhuar si pjesë e Bursës për Ekselencë në Gazetari, e mbështetur nga Erste Foundation në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese. Redaktuar nga Neil Arun.