Leposaviq. Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com

Demokracia në Veprim: Kushtet në qendrat e votimit nuk kanë plotësuar standardet

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV) e ka cilësuar si të qetë dhe pa incidente procesin e votimit të sotëm me 21.04.2024 për largimin ose jo të kryetarëve në katër komunat veriore me shumicë serbe në Kosovë.

Por megjithëse ka thënë se kushtet teknike nëpër disa qendra të votimit nuk i kanë plotësuar standardet e procesit të veprimit.

KALLXO.com raportoi pamjet skandaloze nga qendra e votimit në Koshtovë të Leposaviqit:

“Vlen të përmendet përzgjedhja joadekuate e objekteve të cilat kanë luajtur rolin e Qendrave të Votimit, pasuar nga grumbullimi i disa vendvotimeve në një hapësirë të vetme, vendosja e vedvotimeve në katet e larta të ndërtesave komunale, improvizimi i zyrave ose dhomave të ngushta si vendvotime si dhe mungesa e ngrohjes apo ndriçimit në vendvotimet e organizuara në kontejnerë” – thuhet në reagim.

Tutje, në reagim thuhet se sipas DnV-së, qytetarët në veri kanë humbur një mundësi për të shprehur vullnetin e tyre, për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarët e rinj.

“DnV vlerëson se kjo ishte një mundësi e humbur për qytetarët që të shprehin vullnetin e tyre për t’i hapur rrugë zgjedhjeve për kryetarë të rinj të komunave të cilët do të gëzonin legjitimitet përfaqësues. Hedhja e votës është instrumenti i parë demokratik përmes së cilës qytetari krijon lidhshmëri dhe pjesëmarrje në politikat lokale e më pas edhe ka mundësi të kërkojë llogari nga të zgjedhurit” – thuhet në fund të reagimit të Demokracisë në Veprim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar që gjatë votimeve për ose kundër largimit të kryetarëve shqiptarë nga funksioni në katër komunat me shumicë serbe në veri – Leposaviq, Zubin Potok, dhe Mitrovicë e Veriut kanë votuar vetëm 253 qytetarë, derisa në Zveçan asnjë votë e vetme, duke e cilësuar të dështuar këtë proces.

KQZ ka njoftuar që duke u mbështetur në të dhënat e daljes së votuesve në këtë proces nuk kanë votuar shumica e votuesve të regjistruar siç kërkohet me nenin 72 të Ligjit për Vetëqeversjen Lokale në Republikën e Kosovës, “pra nuk është arritur 50% i domosdoshëm, andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”.

Sipas të dhënave të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, numri i qytetarëve që kanë votuar është: në komunën e Leposaviqit kanë votuar 124 votues nga 13,674 apo 0.91%; në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues nga 6,877 apo 0.26%; në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues nga 7,209 pra kemi 0%; në komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues nga 18,796 apo 0.59%.

KQZ-ja thotë së vendosja e kamerave në vendvotime s’vlen vetëm për votimin e 21 prillit në veri